-Dialogu në Bruksel të përfundoj me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/
-Tryeza e diskutimit “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Sa po ndihmon dialogu politik?”/
PRISHTINË, 19 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e diskutimit “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Sa po ndihmon dialogu politik?”, i organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa foli për rëndësinë e procesit të dialogut, për marrëveshjet e arritura, për pengesat në zbatimin e tyre, duke theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së opozitës dhe të shoqërisë civile në procesin e dialogut me Serbinë.
Kryeministri Mustafa tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën.
Sa i takon Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Isa Mustafa tha se ai mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Dialogu në të ardhmen duhet të jetë qartë i kornizuar, të jetë i përcaktuar në kohë, në mënyrë që të arrijmë që për një periudhë më të shkurtër të kemi njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si qëllim përfundimtar i dialogut”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe shefja e zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.
Gjatë tryezës, u prezantua edhe një Raport lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i hartuar nga Agron Bajrami, si dhe u zhvilluan diskutime lidhur me procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Fjala e kryeministrit Mustafa në tryezë:Do të bëj përpjekje të jap opinionet e mia lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me dialogun, duke iu përmbajtur edhe titullit të kësaj tryeze se “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi sa po ndihmon dialogu politik?”.Unë do të mundohem të jap disa përgjigje në këtë, të ndalem pak edhe për Asociacionin të cilin zoti Bajrami e prezantoi këtu dhe atë se si ne e mendojmë vazhdimin e dialogut në të ardhmen.Jam shprehur edhe më parë se konsideroj që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën. Në këtë rast, unë nuk mendoj vetëm në lehtësimin e BE-së, por mendoj edhe në një mbështetje të fuqishme që e kemi pas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e cila mbështetje na nevojitet edhe më tutje ta kemi.
Ky dialog ka dhënë rezultate të mira për arsye se të gjitha marrëveshjet janë arritur mbi bazën e Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve të Kosovës. Qëllimet themelore janë arritur në disa fusha. Ajo që është themelore është shtrirja e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit, përfshirja e qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës, zvogëlimi i dëmeve ekonomike dhe ekonomisë informale të shkaktuara nga veprimi i strukturave paralele serbe por edhe i ndërhyrjeve të shtetit serb në disa komuna dhe në disa kompani dhe avancimi i rrugës së Kosovës në integrimet evropiane.
Një prej rezultateve të cilin konsideroj se e kemi si kontribut edhe të dialogut është arritja e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, por e cila marrëveshje na obligon edhe më tutje të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të implementojmë marrëveshjet nga ky dialog.
Mendoj se e arritur tjetër është vendosja e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në disa fusha, në fushën e lëvizjes së lirë, në fushën e tregtisë së lirë, në fushën e njohjes së diplomave, të sigurimit të automjeteve, certifikatave fito-sanitare, etj. Do të thotë, për herë të parë kemi arritur t’i bëjmë dhe të arrijmë reciprocitet ndërmjet dy vendeve. Është pastaj hapja e zyrave ndërlidhëse, e Kosovës në Beograd dhe e Serbisë në Prishtinë, prapë si e arritur në vitin 2013, është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, që na ka mundësuar që ne të kemi kufij shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bëjmë kontrollimin dhe mbikëqyrjen e këtyre kufijve, të fillojmë të ndërtojmë edhe pikat e përhershme kufitare me mbështetjen e Bashkimit Evropian, që është prapë rezultat i këtyre marrëveshjeve. Është vendosja e institucioneve shtetërore të Kosovës në katër komunat veriore, meqenëse nuk e kemi pasur përpara të vendosura atje dhe veprimi i këtyre institucioneve para së gjithash e kemi funksionimin e doganave në veri, e kemi funksionimin e Policisë së Kosovës në veri dhe heqjen e veprimit të policive paralele, që kanë qenë dhe kanë vepruar atje. Është e arritur shuarja e disa strukturave paralele, po them disa jo të gjithë strukturave paralele, sepse strukturat janë shuar vetëm në fushat në të cilat ne kemi arritur marrëveshje. Këto kryesisht kanë të bëjnë me shuarjen e “Mbrojtjes Civile” në veri të vendit. Sot, përfundimisht në Qeveri kemi vendosur që edhe pjesën prej 50 sa kanë mbetur nga pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile”, ta integrojmë në institucionet e Kosovës dhe me këtë e kemi përfunduar krejtësisht. Është funksionimi i organeve të drejtësisë me marrëveshjen për drejtësi që e kemi arritur në Bruksel, që nënkupton se do të shuhen të gjitha gjykatat ilegale serbe, të cilat kanë vepruar në Kosovë dhe do të zbatohen ligjet e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe veriun e Kosovës dhe është pastaj edhe zbatimi i marrëveshjes për heqjen e targave ilegale nga përdorimi.
Si të arritur, e vlerësoj edhe heqjen e të gjitha barrikadave që kanë qenë në veri. Ju e dini se ka pasur shumë barrikada dhe përfundimisht barrikada është hequr në vitin e kaluar edhe nga Ura e Mitrovicës dhe presim që kjo, me financim të Bashkimit Evropian, të fillojë shpejtë të funksionalizohet dhe të bëhet komunikimi ndërmjet pjesë jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës.
Kemi filluar tani me pajisjen e qytetarëve serbë në veri me dokumentet e Republikës së Kosovës. Kemi proceduar në Qeveri me aktet lidhur me këtë dhe mendoj se edhe kjo është një e arritur mjaft e madhe e procesit të dialogut. Është arritur kodi shtetëror telefonik i Kosovës mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, që nuk ka vetëm simbolikë ose karakter shtetëror, por ka karakter ekonomik, sepse përmes kësaj ne i kemi kursyer Kosovës qindra miliona euro, që i kemi shpenzuar më parë për këto çështje.
Ka mbetur akoma në vazhdim që të implementohet marrëveshja për energjinë, për të cilën jemi marrë vesh në vitin 2015; marrëveshja për kadastër, për diploma, pastaj marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sa i përket Asociacionit, është pjesë gati kryesore e marrëveshjes së parë të arritur në Bruksel dhe poashtu është komponentë themelore e marrëveshjes së dytë që e kemi arritur në Bruksel në vitin 2015.Kjo marrëveshje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, por ajo që ne kemi arritur në vitin 2015 të bëjmë këtë marrëveshje, është se për herë të parë e kemi caktuar se Gjykata Kushtetuese duhet të japë opinionin e vet lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje.
Edhe Serbia ka pranuar në Bruksel, që komponentë e kësaj marrëveshje të jetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës nga fakti se ka qenë një marrëveshje e re e pa sprovuar në pikëpamje kushtetuese dhe ne kemi kërkuar që asnjë marrëveshje në Bruksel të mos arrihet jashtë Kushtetutës dhe të vërtetohet apo konfirmohet kushtetutshmëria e saj.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa rekomandime lidhur me frymën kushtetuese të kësaj marrëveshje dhe ne kemi insistuar dhe do të insistojmë tërësisht që themelimi Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet mbi bazën e këtyre marrëveshjeve, duke respektuar tërësisht rekomandimet, përkatësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në qoftë se dikush do të më pyeste se a ka dhënë përgjigje të plotë Gjykata Kushtetuese mbi atë se çfarë dhe si duhet të jetë Asociacioni, unë nuk jam tepër i sigurt në këtë, por domosdoshmërisht ne edhe gjatë themelimit të Asociacionit, gjatë shkrimit të statutit të tij do të konsultojmë gjithë sferën e drejtësisë, në mënyrë që asgjë të mos del jashtë Kushtetutës dhe kornizave kushtetuese.
Unë nuk kam parë kohëve të fundit ndonjë disponim shumë të madh të përfaqësuesve serbë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës për të vazhduar me themelimin e Asociacionit, sepse i kam ftuar disa herë që të ulemi ta aktivizojmë ekipin menaxhues që ata të fillojnë dhe të punojnë. Ndoshta edhe arsyeja është se atyre nuk ju pëlqen shumë që kjo të bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por rrugëdalje tjetër në themelimin e kësaj nuk ka, andaj Asociacioni mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sa i përket asaj se çfarë ne duhet të bëjmë në të ardhmen, unë jam i bindur se nuk do të ishte e arsyeshme që ne të vazhdojmë me tempon e deritanishme të dialogut. Është e domosdoshme që ta ngjeshim agjendën e dialogut, në mënyrë që të merremi vesh se cilat janë temat, përkatësisht çështjet që ne duhet t’i zgjidhim përmes dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Pastaj, duhet të sqarojmë procedurat e implementimit të marrëveshjeve, sepse ne kemi diskutuar edhe në vitin 2016, ndoshta edhe në 2017 do t’i diskutojmë marrëveshjet që janë arritur në vitin 2012, se si ato të implementohen. Do të thotë është shpenzuar një kohë shumë e rëndësishme e arritjes së marrëveshjeve dhe tash pas pesë vjetëve duhet të shpenzohet edhe një kohë të diskutohet se si ato të implementohen dhe pasi të bëhet marrëveshja për implementim, të bëhet edhe një marrëveshje tjetër se si të realizohet marrëveshja për implementim, gjë që do të thotë se është një praktikë totalisht e papranueshme që kryesisht po imponohet nga pala serbe dhe këto probleme ne duhet t’i tejkalojmë.
Me arritjen e marrëveshjes, ne duhet të arrijmë edhe marrëveshjen për implementimin e tyre dhe kjo të shkurtohet sepse kam përshtypjen se të gjitha këto po zgjaten për arsye të proceseve të cilat Serbia po i kalon në procesin e integrimit të saj evropian dhe të kushtëzimeve të caktuara me faktorin e dialogut. Po ashtu, konsideroj se në këtë proces të dialogut duhet të gjejmë hapësirë që të kyçet edhe opozita, edhe shoqëria civile, në mënyrë që këto çështje të diskutohen më gjerë dhe të jenë të pranueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Unë kyçjen e opozitës e shoh qoftë përmes përfaqësueseve të tyre në delegacionet tona në Bruksel ose përmes tryezave që ne do t’i organizonim këtu për të trajtuar çështjet për të cilat dialogohet në Bruksel. Por, meqë është fjala për dialog dhe për një proces i cili nuk mund të kushtëzohet vetëm me vendimet apo qëndrimet e njërës palë, por ato duhet të harmonizohen gjatë procesit të dialogut, në një formë edhe kyçja e shoqërisë civile edhe e opozitës do të kishte më tepër karakter konsultativ në të gjitha këto procese, karakter informues, në mënyrë që asnjëra palë të mos e sheh vetën se është shkyçur apo e izoluar nga ky proces.
Procesin e konsideroj të rëndësishëm që të vazhdoj sepse kemi trashëguar probleme me Serbinë të cilat nuk mund t’i zgjidhim në formë tjetër përpos procesit të dialogut.
Prandaj, ne presim një shtytje të Bashkimit Evropian që marrëveshjet të implementohen, ato që janë arritur deri më tash, që të mos lejohet pala serbe që të kushtëzoj në implementimin e marrëveshjeve brenda edhe marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe që dialogu në të ardhmen të jetë qartë i kornizuar, të jetë i përcaktuar në kohë, në mënyrë që të arrijmë që për një periudhë më të shkurtër të kemi njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si qëllim përfundimtar i dialogut.
Faleminderit!