I Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell: Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në 2 Shtator për të biseduar/
-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi: Mirëpres takimin në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon/
-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti: SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 Shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 14 Gusht 2020/ Kosova dhe Serbia do të takohen në 2 Shtator 2020 në Uashington, ku sipas deklaratave sot në Prishtinë, temë e diskutimit do të jetë ekonomia.
I Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka paralajmëruar takimin:
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në 2 Shtator për të biseduar”.
Pas këtij njoftimi të Emisarit Amerikan, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot është shprehur: “Mirëpres takimin në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi:
“SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Më 2 Shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit.
Kosova është e bekuar me miqtë që ka”.
Një takim Kosovë-Serbi në Uashington në Shtëpinë e Bardhë ishte paralajmëruar më herët për në në 27 Qershor 2020. Por, Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës ndaj tij, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi në 25 Qershor 2020 se, “për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën”.
Kryeministri i Kosovës bënte të ditur se e ka njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar 16 Korrik 2020 në Bruksel, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit 2018.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012 në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.
Nga Brukseli është njoftuar se nikoqir i takimit Kosovë-Serbi ishte Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kryeministri i Kosovës Hoti në deklaratën pas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiç ka konfirmuar se një nga temat e diskutimit sot në Bruksel ishte edhe çështja e të zhdukurve të luftës në Kosovë, të përfunduar para më shumë se 21 viteve.
Në 21 Korrik 2020 në një njoftim të dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës theksohej:
“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”.
Në 4 Gusht 2020, Koordinatori Hyseni derisa ndodhej në SHBA, ku ka pasur disa takime me zyrtarë amerikanë, njoftonte:
“Sot në pamundësi të takimit në Uashington (Ambasadori Grenell ishte në Kaliforni) pata një bisedë të gjatë telefonike me Ambasadorin Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Trump.
Bisedën e përqendruam në aspekte të veçanta të zhvilimeve në Kosovë dhe rajon. Ambasadori Grenell mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar fuqishëm rreth dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë. Normalizimi i raporteve përmes zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e projekteve investive mbeten në fokus të agjendës dhe përkushtimit të Ambasadorit Grenell”.
JANAR 2020: I DËRGUARI I PRESIDENTIT AMERIKAN TAKIME NË KOSOVË
Në 22 e 23 Janar 2020 i Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell zhvilloi takime në Prishtinë, prej ku shkoj edhe në Beograd.
Në 9 Tetor 2019 njoftohej se Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell do mbërrinte në Prishtinë pak ditë pas emërimit.
Në 4 Tetor 2019, në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:
Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.
Richard A. Grenell ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga 8 maji i vitit 2018. Z. Grenell është shkrimtar dhe komentues i politikës së jashtme, dhe ka themeluar firmën ndërkombëtare konsultuese Capitol Media Partners në vitin 2010. Për gati dy dekada ai ka shërbyer si këshilltar kryesor për komunikime për zyrtarët publikë në nivelin federal, shtetëror, lokal dhe ndërkombëtar, si dhe për kompanitë të ranguara në Fortune 200. Z. Grenell është personi që ka shërbyer më së gjati si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara (2001 – 2008), dhe gjatë kësaj kohe ai ka punuar për katër ambasadorë. Ai ka diplomuar në Evangel University dhe ka magjistruar në fushën e administratës publike në Fakultetin e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit.”
Po në 4 Tetor 2019, Presidenca e Kosovës në një komunikatë të dërguar theksonte se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel të cilin Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kishte emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.
“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur Presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike. “Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, theksonte Presidenti Thaçi.