Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Gusht 2015/ Në Kosovë vazhdon ndërtimi i “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë. Në rajonin e Gjakovës, javën e ardhshme, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë do ketë shkyqje në linën LP 10 kV Cërmjan dhe Sopot.
“Çkyqjet janë të domosdoshme për të mundësuar punimet në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri”, thekson njoftimi dërguar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa në konferencën e fundit për shtyp këtë muaj, i pyetur nga ATSH, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar.
Kreu i qeverisë së Kosovës, gjatë konferencës për shtyp ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
“Jemi shumë afër me Shqipërinë që të zhvillojmë një lloj tregu të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit, të cilat po i ndërtojmë, sidomos të linjës interkonektive 400 kV, ku punimet gati përfundojnë këtë vit, ndërsa presim që në vitin 2016 të përfundojnë tërësisht dhe të aktivizohet kjo linjë dhe të krijohen kushte të veçanta që Kosova e Shqipëria të kenë këmbim të energjisë elektrike në sezone të ndryshme kur mund të ketë mungesë ose mund të ketë tepricë të energjisë elektrike”, ka thënë kryeministri Mustafa.
“Dhe, krahas kësaj, ne do të shikojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë edhe në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike, dhe do të zhvillojmë biseda në të ardhmen edhe për këtë”, ka shtuar ai.
“Po punojmë poashtu edhe në planin e zhvillimit të energjisë së ripërtritëshme në Kosovë, orientimet tona janë që diku deri në vitin 2020 të arrijmë 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërtritëshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu llogarisim edhe në hidrocentralin e Zhurit, e poashtu do të shohim edhe mundësinë e kombinimit me Shqipërinë”, ka thënë kreu i qeverisë kosovare, Mustafa.
Në 21 dhjetor te vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes së Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kVKosovë-Shqipëri.
“Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë”, u theksua me atë rast.
Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar NS 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhet për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri, “autostradës” energjetike.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, vlerësoi se përfundimi i kësaj linje krijon damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore ku ky sistem do të ngrihet, i cili do harmonizohet me politika të përbashkëta, strategji të përbashkëta dhe investime të përbashkëta, pasi dyja vendet kanë sfida të përbashkëta sa i përket energjisë.
“Shqipëria dhe Kosova kanë nevoja të mëdha, prandaj është i nevojshëm koordinimi dhe harmonizimi i tyre dhe kjo ardhje këtu nuk është vetëm simbolike, por është konkrete, është për t’u treguar njerëzve se gjërat po avancojnë përpara”, tha Gjiknuri.
Ministri Stavileci theksoi se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri rrit pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundojë pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë. “Kjo është ‘autostrada’ energjetike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur rëndësinë që ka dhe benefitet e shumta që përfitojnë dy shtetet. Por, ne do të shkojmë edhe përtej kësaj, pra edhe me një linjë të re 110kV Dragash-Kukës. Dhe po ashtu jemi dakorduar që në konceptet tona zhvillimore të fusim ide që lidhen me ndërtimin e kapaciteteve të reja që e plotësojnë tregun energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Stavileci.
Vizita në NS 400/220kV Kosova B u realizua pas themelimit të Komitetit Drejtues dhe takimit të grupeve punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë mes dy vendeve, që është mbajtur po atë ditë në Prishtinë në mjediset e Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik.
Pjesë e mbledhjes së përbashkët, të parës historike, të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në 11 janar 2014, në qytetin e Prizrenit, pas së cilës u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, ishte edhe Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë.