-Papa Françeku emëron Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani të Dërguar të Veçantë për kremtimin e shugurimit/
-Ipeshkvia e Kosovë shpall programin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë/
-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik/
-Në 16 gusht 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, ku u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë dollarë/
SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 15 Korrik 2017/ Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë sot në nesditë, në orën 12:00.
Në të njëjtën orë në Prishtinë lajmin e gëzueshëm e përcolli Mons. Lush Gjergji, Vikari Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovë, në një konferencë shtypi në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales Nënë Tereza, ku ishte edhe korrespondenti i Gazetës DIELLI. Me këtë rast u bë edhe përurimi i Stemës së Festës së Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Ipeshkvia e Kosovë shpalli sot Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.
Kremtimi fillon me hapjen e Ditëve të Nënë Terezës, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.
Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.
Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.
Don Zefi ka shpjeguar simbolikën e Stemës së realizuar nga i riu Lin Halili.
“Në Stemë, Katedralja brenda dy krahëve të Shqiponjës simbolizon Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet”, u shpreh ai.
E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Në këtë takim në verën e para një viti, edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.
Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të gjithë vatranëve.
“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.
Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…
KARDINALI SHQIPTAR TROSHANI I DËRGUAR SPECIAL I PAPA FRANÇESKUT PËR SHUGURIMIN E KATEDRALES NËNË TEREZA
Në Vatikan, sot, në orën 12:00, Selia e Shenjtë ka lajmëruar se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, i cili do të jetë më 5 shtator 2017. Lajmin e ka publikua edhe gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”.
Ipeshkvia e Kosovës, e prirë nga bariu i saj Imzot Dodë Gjergji, me moton “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”, pati lajmëruar se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shugurojë Kishën Katedrale, e cila i kushtohet bijës së popullit dhe kishës sonë, shenjtëreshës së dashurisë. Këtë ngjarje të madhe festive tani i jep solemnitet edhe më të madhe Papa Françesku duke e emëruar të Deleguarin e Tij të Veçantë, Eminencën e Tij Kardinal Ernest S. Troshani.
Kush është Kardinali Ernest Troshani?
Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.
Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për bashkëvuajtësit.
Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.
Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi. (Nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016.).