-Eksperti i çështjeve demografike, Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, në funddhjetorin e vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja deklaronte se vlerësohej se në vitin 2009 shteti më i ri në botë hyn me 2 milonë e 700 mijë banorë/
-Në kohën kur Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991, Rifat Blaku ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit/
-Në 21 Qershor 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar profesorin Rifat Blaku me Medaljen Presidenciale të Meritave/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 20 Mars 2020/ Është shuar sot demografi i njohur i Kosovës dhe profesori i ekonomisë, Rifat Blaku. Familja e tij ka njoftuar se varrimi do të bëhet vetëm nga rrethi i ngushtë familjar, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19.
Prof. Dr. Rifat Blaku ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës lëndët “Ekonomia e Kosovës dhe BE” dhe “Psikologjia e punës”.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se, me pikëllim mori lajmin për vdekjen e profesorit universitar, demografit të njohur Rifat Blaku. “Profesor Blaku ka dhënë kontribut si në rrafshin akademik, ashtu edhe në jetën politike, në periudhat më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Familjes Blaku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan Presidenti i Republikës.
Eksperti i çështjeve demografike, Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, në funddhjetorin e vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, për të cilën vazhdimisht shprehte shumë vlerësim e interesim, deklaronte se vlerësohej se në vitin 2009 shteti më i ri në botë hyn me 2 milonë e 700 mijë banorë.
“Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezident) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës”, ka thënë ai.
Shifrat janë të përafërta, meqë në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të plotë të popullsisë qe më shumë se një çerek shekulli, theksohej atëherë.
Gazeta historike Rilindja në numrin e saj të 6 Korrikut 1962 shkruante se në atë kohë Kosova kishte arritur në një milion banorë – “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Në kohën kur Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991, Rifat Blaku ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.
Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil. Ai vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.
Në 21 Qershor 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar profesorin Rifat Blaku me Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Për kontributin e shquar në fushën akademike: në shkencë, arsim dhe edukim për dekada të tëra, sot me Medaljen Presidenciale të Meritave e dekorova Prof. Dr. Rifat Blakun”, shkruante Thaçi.
Presidenti vlerësonte se Blaku ka dhënë kontribut të çmuar edhe si studiues në fushën e migracionit dhe diasporës, si dhe në afirmimin e çështjes së Kosovës në periudhën e viteve të nëntëdhjeta.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka shkruar:
Me keqardhje mësova lajmin për vdekjen e profesorit dhe demografit të njohur, Rifat Blaku. Ai ishte një njeri me virtyte të larta që punoi shumë dhe kontribuoi në edukimin e gjeneratave të reja. Duke marrë pjesë aktivisht në jetën politike e publike, profesor Blaku u angazhua për ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë të ri. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të.