Nga B.Jashari/.-Prishtinë, 10 Mars/ Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, organizuan sot një takim plenar në Prishtinë, me ekspertët e Misionit Vlerësues të Komisionit Evropian, të cilët do të vlerësojne kriteret që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, respektivisht blloku 2 – menaxhimi i integruar i kufirit dhe blloku 3 – mbi rendin publik dhe sigurinë.
Misioni vlerësues do të verifikojë zbatueshmërinë e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi, rekomandimet e identifikuara në raportin e fundit për viza.
Ministrja Çitaku tha se, Raporti që është përgatitur dhe i është dorëzuar misionit vlerësues. “Ky është një raport gjithëpërfshirës i përcjellur me shumë anekse”, tha ajo. Nga ana e tij, ministri Rexhepi theksoi nevojën për të dhëna statistikore të harmonizuara dhe kërkoi nga zyrtarët relevantë që këto të dhëna të prezantohen sa më saktë pranë Vlerësuesve të Komisionit Evropian.
Udhëheqësi i Misionit Vlerësues për Liberalizimin e Vizave, Ioan – Dragos Tudorache tha se, “Kosova është në rrugë të mbarë drejt përmbushjes së kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”.
Në njoftimin e Ministrisë së Integrimit Evropian theksohet se Misioni Vlerësues do të ketë takime me zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal, si dhe do t’i inspektojë pikat kufitare në tërë territorin e Kosovës. Në këtë mënyrë është duke u realizuar kordinimi gjithëpërfshirës për të prezantuar zbatimin e të gjitha kritereve që kanë dalë nga udhërrëfyesi për liberlizimin e vizave