
Kryeministri i Kosovës, Haradinaj: Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme…Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim…/
PRISHTINË, 21 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/ Nuk do qëndrojmë duarkryq përballë tendencave serbe për destabilizim në veri, deklaroi sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj ka shkruar:
“Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme. Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar. Në bazë të këtyre informatave, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”.
Media në Prishtinë shkruante sot në një nga titujt se, “Beogradi kurdis planin për ‘katastrofë humanitare’ në veri të Kosovës”.
Më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. “Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës”, është theksuar në letrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj drejtuar Ambasadorëve dhe shefave të zyrave ndërlidhëse të akredituar në Republikën e Kosovës, në 22 nëntor 2018./b.j/