-Në prag të shënimit të 54 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur rektorin Qerim Qerimi\
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 8 Shkurt 2024/ Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në këtë muaj Shkurt 2024 shënon 54 vjetorin e themelimit të vlerësuar ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithë kombin shqiptar.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore shqiptare-kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte, në 16 Shkurt 1970, kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, më të cilat u shtyp edhe abetarja e parë në gjuhën shqipe në Kosovë në nëntor 1946.
“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografinë e gazetës historike.
Universiteti i Prishtinës i posathemeluar kishte Fakultetin Filozofik, Fakultetin Juridiko-Ekonomik, Fakultetin Teknik dhe Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa tani ka 17 fakultete.
Kosova shtet i pavarur nga 17 Shkurti historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.
Në prag të shënimit të 54 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 7 Shkurt 2024 ka pritur në zyrën e tij rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, profesorin Qerim Qerimi, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Bisedë e diskutimit ishin arritjet dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion. Rektori Qerimi e njoftoi Kryeministrin Kurti se me draft statutin e ri për Universitetin, përveçse dokument i rëndësishëm për institucionin, ai synon të sjellë ndryshime të nevojshme në ngritjen e standardeve të institucionit në tërësi, jo vetëm në vend por edhe më gjerë.
Ndryshimi i këtij statuti, i cili tani është për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vjen pas plot 11 vitesh. Rektori Qerimi e falënderoi Kryeministrin Kurti për ndihmën që Qeveria ka dhënë përmes skemës së bursave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, STEM, për vajza, e të cilat ai i cilësoi si investim i kthyeshëm për vendin.
Kryeministri Kurti e falënderoi rektorin Qerimi për kontributin e tij drejt përmirësimit të cilësisë në arsimin e lartë, e kësisoj edhe zhvillimit të shoqërisë në shtetin tonë. Ai gjithashtu shprehu përkrahjen e plotë të Qeverisë drejt avancimit dhe fuqizimit të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë takimit u potencua edhe nevoja për angazhim shtesë rreth çështjes së profileve deficitare. Universiteti i Prishtinës deri më tani ka marrëveshje bashkëpunimi me 500 institucione akademike ndërkombëtare. Për të shtuar shkëmbimin e përvojave me shtetet e tjera, Universiteti i Prishtinës është duke krijuar programe të tjera alternative edhe në gjuhë angleze për studentë nga jashtë, si dhe programe të përbashkëta studimi në nivel të doktoratës dhe masterit.