Ambasador Blerim Reka/
Aleatët euro-atlantik, javën e kaluar festuan 80 vjetorin e mposhtjes së nazizmit hitlerian, e Kosova sot po kremton 25 vjetorin e çlirimit nga fashizmi millosheviqian. Para tetë dekadash, zbarkimi i aleatëve në Normandi dhe para çerek shekulli hyrja e NATO-s në Kosovë, pas ndërhyrjes ajrore 78 ditëshe; i dhanë fund dy regjimeve gjenocidale.
“D-Day”, shënoi desantin trans-atlantik krah rezistencës së armatosur franceze. Hyrja e tankeve britanike të KFOR-it, shënoi zbarkimin e trupave veri-atlantike, në vijim të luftës çlirimtare të UÇK-së.
Derisa Republika e Kosovës, u ngrit nga hiri i luftës, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik; Beogradi, nuk ndryshoi as pas çerek shekulli. Agresioni në Banjskë vjet dhe “Kuvendi Pan-Serb” sivjet, dëshmuan se Serbia mbeti e njejta: hegjemoni militariste, e papenduar për të kaluarën e saj gjenocidale.
Falemnderim luftëtarëve të lirisë dhe aleancës veriatlantike. Kosovë, urime dita e çlirimit!