– Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave. Theks i veçantë – marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë sot në mbrëmje do jetë premiera e shfaqjes “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila është pjesë e axhendës së Këshillit Organizativ, të themeluar nga qeveria e Kosovës, për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shfaqja është punuar nga regjisori i famshëm boshnjak Dino Mustafić, me iniciativë dhe përkrahje financiare nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë.
Shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave, që për shumë njerëz do të thotë liri dhe mundësi për tu njohur me kultura të ndryshme. Theks i veçantë i ipet marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pasi që ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe procedura e marrjes së një vize është shumë e lodhshme, dhe në shumë raste edhe e pamundur. Shfaqja, me tekst të Biljana Srbljanović, është punuar në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe boshnjake me aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Armend Smajli, Jusuf Brkić dhe Jelena Kordić Kuret.
Për më tepër se një vit, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë kanë ndërmarrë disa iniciativa që për qëllim kanë liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Përveç takimeve zyrtare, pjesë e projektit janë edhe takimet e avokimit me palët kyçe të interest, akterët vendimmarrës në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, si dhe shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila premierën do ta ketë sonte në Prishtinë. Ndërsa, në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjes e Hercegovinës, premiera e saj është dhënë në 6 janar 2016.