-Mbyllen vendvotimet e zgjedhjeve lokale.Sipas një Exit Poll, paralajmërohen befasi në rezultate, shumë balotazhe për kryetarë komunash/
– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë paralajmëron publikimin sonte të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të sotme lokale, por ende nuk e ka njoftuar orën/
-Ambasada e SHBA në Kosovë 36 ekipe në vëzhgimin e zgjedhjeve/
PRISHTINË, 22 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në zgjedhjet e sotme lokale në Kosovë votimet për kryetarët dhe asambleistët e komunave të nisura në orën 07:00 përfunduan zyrtarisht pak më parë në orën 19:00.
Sipas një Exit Poll në rezultatet e votimeve do ketë “shumë befasi” e balotazhe për kryetarë komunash dhe ato do shpallen menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.
Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë paralajmëron publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të sotme lokale, por ende nuk e ka njoftuar orën e konferncës për shtyp që pritet të mbahet gjatë natës së sontme.
“Për komunën tënde. Voto” ishte sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2017 në Kosovë, të cilat u monitoruan nga mëse 33.200 vëzhgues të akredituar, rreth 100 të misionit të dërguar nga Bashkimi Evropian. Ambasada e SHBA në Kosovë kishte 36 ekipe në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe ka shprehur kënaqësi për procesin.Në zgjedhjet lokale në Kosovë, të gjashtat në liri e të tretat në pavarësi, është votuar në të gjitha 38 komunat e Kosovës, prej të cilave 27 janë me shumicë shqiptare, e në 11 komunitetat pakicë e bëjnë shumicën – në 10 serbët e në 1 turqit.