Kosovë, Thaçi vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar/
LONDËR, 16 Shtator 2015/ Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë vizitës dyditore, zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me përfaqësues shtetëror të Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësues të Parlamentit, të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve dhe të mediave.
Krahas bisedave për thellimin e bashkëpunimit bilateral me homologun e tij dhe deputetë të parlamentit, në këto takime do të flitet edhe për mbështetjen e Britanisë së Madhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, thekson njoftimi dërguar nga Londra i MPJ-së kosovare.
Në Londër, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet edhe me përfaqësues të bizneseve të cilëve do t’ua prezantojë mundësitë për të investuar në Kosovë.
Kryediplomati kosovar Thaçi sot ka shkruar në ‘Facebook’: “Jam në vizitë zyrtare në Britani të Madhe, ku kam takime te shumta zyrtare por sot në mëngjes e pash këtë artikull në shtypin britanez! I dëshiroj Federatës sonë të futbollit dhe futbollisteve që më në fund t’ju realizohet – atyre dhe neve, ëndërra e kahmotshme të luajmë me përfaqësuesën tonë në Botërorin 2018! Presim me padurim”. /b.j/