Ledio Xhoxhi/
Më 22 maj 1827, në Elbasan, lindi Kostandin Kristoforidhi, lëvrues dhe studiues i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës. Nga viti 1847 ndoqi gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më 1857 shkoi në Stamboll dhe hartoi një “Memorandum për gjuhën shqipe” për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e “Dhiatës së Re” toskërisht e gegërisht. Më 1861 deri më 1865 u vendos si mësues në Tunis (Tunizi), ku hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës, në Stamboll. Më 1866 botoi përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet nga Shkrimi i Shenjtë: “Psallmet” (toskërisht 1868, gegërisht 1869, “Dhiata e Re” (gegërisht, 1869; toskërisht, 1870), “Të bërët dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Fjalët e urta të Solomonit” etj. Që nga vitin 1870 udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen e shkruar. Veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit u përqendrua në dy fusha të lidhura ngushtë: në fushën e gjuhës dhe të arsimit shqip. Më 1867 botoi “Abetaren” gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Ai nxori në dritë vlera të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. U nda nga jeta në vitin 1895.