Nga Andon Andoni
Edhe pse Amerika vendi i madh i lirisë e befasoi dhe mahniti me njerëzit dhe vendet ku shkeli anë e mbanë, KostëÇekrezi, me Bostonin u dashurua që në ditën e parë. Lumi i madh që i shkonte qytetit përmes, natyra e ftohtë dhe me dëborë, i sillte ndër mend Ziçishtin, fshatin e tij të lindjes, dhe mbarë Devollin që i shkonte lumi përmes dhe i mbuluar nga dëbora në dimër. Aq më shumë kur kurbetçinj devollinj në qytetin e Bostonit dhe rrethinat kishte plot. Tek i takonte në çdo hap që hidhte, dhe duke ju folur për vendlindjen që sapo kishte lënë pas, KostëÇekrezi nuk e hiqte dot nga mendja mëmëdheun, përpjekjet e rinisë shqiptare për të bërë Shqipërinë të mëvetshme dhe të lirë. Por puna e re që do të niste, pak kohë i linte për ëndërrime e pezm të shkuar. Ai kishte ardhur në Amerikë të drejtonte gazetën “Dielli”, një ëndërr e cila shumë shpejt do ta çonte larg.
Një vit më parë, gjetja e një editori të përshtatshëm për “Diellin” kishte qenë një shqetësim në kuvendet e “Vatrës”. Kuvendi, që ishte mbledhur më 10 janar 1914, duke mos gjetur një kandidaturë të përshtatshme vendosi që të përzgjidhte mes këtyre kandidaturave: Faik Konicës, që aso kohe ishte në Durrës, MiloDuçit, që ishte në Vlorë, Aleksandër Xhuvanit, MithatFrashërit, SimonShuteriqit, në Elbasan dhe AbdylYpit në Vlorë, thuhet në kronikat e “Vatrës”. U shkroi letra secilit prej tyre. Këta ishin kandidatë të dorës së parë për “Vatrën”. Faik Konica nuk u kontaktua dot. Ndërsa të tjerët kthyen përgjigje se nuk vinin dot në Amerikë.
Deri në fillim të gushtit punët e gazetës hiqeshin zvarrë. Gjithçka kishte mbetur në dorën e LoniKristos, që nga posti i kryetarit, i sekretarit dhe editorit të “Diellit”. Atëkohë, “Vatra” mori një letër nga Noli, i cili kërkonte redaksinë e “Diellit”, por me disa kushte. Komisioni u mblodh me 5 gusht 1914 për të diskutuar kushtet që vinte Noli. U pranuan ato kushtet dhe iu dërgua ftesë që të vinte dhe të merrte drejtimin e “Diellit” me 80 dollarë në muaj (ky ishte një nga kushtet që kishte vënë Noli, përfshi dhe pavarësinë në drejtimin e gazetës). Komisioni mori dhe një vendim rezervë për të mos humbur kohë, që nëse s’vinte Noli, të ftohej KostëÇekrezi. Si përfundim, Noli nuk erdhi dhe ftesa iu dërgua Çekrezit.
Më pak i parapëlqyeri KostëÇekrezi, u paraqit menjëherë të nesërmen e zbritjes në Amerikë tek zyrat e “Diellit”, në 97 Camptonst., Boston Mass. Ai e mori gazetën me 10 nëntor 1914. Ishte vetëm 22 vjeç kur nisi të drejtojë “Diellin”, që në atë kohë dilte dy herë në javë.
Për më shumë se një vit u zgjidh problem i editorit dhe gazeta “Dielli” duket se gjeti ustain. Madje, ai kërkoi që gazeta, hap pas hapi duhej të madhohej dhe të dilte më shpesh, -shkruan pas vitesh RefatGurrazezi, që në kohën kur drejtoi “Diellin”, nuk la gjë pa shkruar kundër Çekrezit.. “KostëÇekrezi mund që të kish të metat e tij, si çdo njeri tjetër, por si punëtor i kish shokët e rrallë”[1]. Dhe fati duket se këtë herë, ose së paku përkohësisht, është me të dhe i jepet dorë për të rritur kredencialet e veta si punëtor i palodhur dhe deri lider i bashkëkombasve, pasi themeluesit e dikurshëm dhe liderët e “Vatrës” dhe “Diellit”, Faik Konica dhe Fan Noli, gjenden prej kohësh larg Atllantikut, në Evropë. Edhe Kristo Dako, i zgjedhur si kryetar i “Vatrës” në kuvendin e 1913-ës, pas disa muajve qe larguar për në Shqipëri. Në mungesë të tyre Çekrezit të ri duket se i bije hija e liderit.
Dhe me të vërtetë, që në numrin e parë të janarit, boton tek “Dielli” kronikën e zezë të një viti të mbrapshtë me luftëra dhe theror të paparë gjer më atë ditë për shqiptarët. Ai, që ka ndjekur nga afër tërë dredhitë e politikës së brendshme dhe të jashtme, ka mësuar se vetëm njerëzit e vendosur me ideale dhe patriotë mund të lartësojnë emrin e madh të mëmëdheut.
Atij i dhemb shpirti kur shikon bashkëkombasit e tij që hyjnë në Amerikë dhe në Casten Gardën të Bostonit apo të NewYorkut deklarohen turq ose grekë. Nga nevoja për të kapërcyer kufirin, janë gati të harrojë emrin e mëmëdheut. Ai nuk mund t’i pëlqejë këta lloj shqiptarësh që kërkojnë “të përfitojnë në kurriz të mohimit të patriotizmës”, kur nga ana tjetër ka njohur njerëz, me të cilët e lidhi fati i luftës dhe i përpjekjeve për Pavarësinë e Shqipërisë, që bënë sakrifica sublime si Ceno Sharra, Haki glina, Gani Butkaetjetj
I ndodhur mes bashkëfshatarëve të tij, sipas citimeve të tyre, ligështohet teksa mësonte se më 25 dhjetor të vitit 1914 italianët kishin pushtuar Vlorën. Vlorën ku ai kishte lënë vitet e rinisë së tij të parë, Vlorën e muhaxhirëve të drobitur e leckosur që vinin nga të gjitha viset e vatanit, të përzënë prej fqinjëve grabitqarë, grekë e serbë, malazezë e bullgarë.
Ai u vu në radhën e parë të kundërshtimeve të këtij pushtimi. Me anë të “Diellit” e denoncoi, si një paturpësi të madhe të qeverisë së Romës. Por sikur të mos mjaftonte kjo, lajmi për daljen e kryqëzorit grek në Durrës, në janar të 1915, e tronditi pa masë. Tek “Dielli” që drejtonte vetëm prej dy muajsh, ai i komentoi lëvizjet e fqinjëve tanë grekë dhe italianë, si dëshmi të një marrëveshjeje të fshehtë që mund të ishte arritur midis tyre në kurriz të Shqipërisë[2]. Dhe “profecia” e tij do zbulohej vite më vonë, dhe do dilte në shesh në Konferencën e Paqes nga presidenti Willson, si marrëveshja famëkeqe me emrin “Titoni- Venizellos” për ndarjen e Shqipërisë.
Pikërisht kjo është ndjesia e politikanit të ri KostëÇekrezi, për t’iu përveshur punës që të botojë në shtypin e kohës, për të huajt, në gjuhët frënge, angleze dhe italiane, një sërë artikujsh për Shqipërinë dhe për shqiptarët, duke polemizuar me qarqet shovene greke në Amerikë dhe në Greqi. Në këto shkrime ai shfaqet një patriot i flakët dhe sidomos nga pozitat indulgjene. Ai pranon haptazi se është një i shkolluar në shkollat greke dhe një ortodoks nga feja, por kurrë një grek. Ai është shqiptar si mijëra shqiptarë të tjerë në jug të vendit.
Ndaj dhe si kryeredaktor i “Diellit” kërkon përmes editorialit, që shqiptarët patriotë; “që gjashtë muaj qëkurse të mbledhur rreth flamurit kombëtar që zbukuronte atdheun e Skëndërbeut, u përndanë në tokat e huaja, “lipset dhe janë të lutur të informojnë gjithë shqiptarët, përmes korrespodencave që do t’i dërgojnë “Diellit” për punërat e Shqipërisë në sytë e botës dhe vendeve ku ata janë vendosur. “Një letër e tillë, që do të vinte prej një njeriu të çquar, ndoshta do ta shkrinte akullin e trashë që ka ngrirë telat e patriotizmës në zemrat e shumë shqiptarëve”[3]. Nga ana tjetër krijon rubrikën “Nënshtypjet e ditës”, ku boton qëndrime e analizat e tij, përmes një gjuhe pamfletiste dhe sarkastike, për problemet më të mprehta të kohës dhe të komunitetit shqiptar të Amerikës, për situatën që kalonte mëmëdheu nën kërcënimin e luftës dhe pretendimeve territoriale të fqinjëve, që në këtë kohë ishin intensifikuar si kurrë ndonjëherë. Ai e shikon shpëtimin e mëmëdheut edhe përmes kulturimit të bashkë-kombasve duke i ftuar për t’u pajisur me sa më shumë dituri, shkollë dhe kulturë demokratike. Madje për këtë të fundit duket se ka dhe vetë nevojë të provojë sfidat dhe frytet e saj. Kështu, me vendimin që ka marrë për ta bërë “Diellin” të përditshëm, provon në Janar të këtij viti të shpallë në faqet e gazetës “Votim për “Diellin”. “Ne shqiptarët duhet të mësohemi se me anë të votimit të lirë, janë bërë popujt e qytetëruar ndaj dhe ne le ta provojmë këtë edhe “me vënien në votë të çështjes së daljes së “Diellit” më dendur ose me formë më të madhe, duam t’iu tregojmë sot shqiptarëve që shkaku i parë ishte dëshira jonë t’iu tregojmë bashkatdhetarëve që “Dielli” është i tyre”[4]. Dhe vërtet në kohën e drejtimit prej tij, “Dielli” ishte “i shqiptarëve”, porse produkt nga dora dhe mendja e një njeriu të vetëm, KostëÇekrezit. “Në pyesni se si mbahej ajo gazetë e përditshme, (“Dielli” në 1914-1915 kur e drejtonte Çekrezi dhe kur numëronte vetëm 800-900 lexues – A. A.) mund ta gjeni në dy fakte: në ndihmat e jashtëzakonshme që jepte çdo shqiptar me gjithë zemër dhe në harxhet e pakta të botimit; për shembull gjithë gazetën e shkruante një njeri, i nënshkruari (KostëÇekrezi – A. A.)[5]. Dhe, sipas votimit të pajtimtarëve, në ditët e para të shkurtit “Dielli” i KostëÇekrezit del katër herë në javë. “Më 5 nëntor 1915 u bë e përditshme, -do pohonte Fan Noli në mars 1965, në 80 vjetorin e tij të lindjes, -kur ishte direktor, ndjesë pastë, KostëÇekrezi, i cili midis virtyteve te tjera kish virtytin që ishte një puntor i rrallë. Ndoshta, puntori më i madh që ka nxjerrë Përlindja Shqiptare”.
[1]DalipGreca, “KostëÇekrezi, gazetari që e bëri Diellin të përditshëm, antizogisti, që pati kundër Konicën dhe Nolin”, Boston 2012.
[2]“Dielli”, Nr. 386, 4 janar 1915, f. 4.
[3]“ Dielli “Nr 407, 26 shkurt 1915, f. 3.
[4]Dielli, Nr. 392, datë 22 janar 1915, f. 2.
[5]Telegraf”, 3 korrik 1927.