SHFLETOJME DIELLIN E VITIT 1912/
Për të lëvduar janë shqiptarët e Southbridge-it për kremtimin e Krishtlindjeve aqë me shkëlqim. Për këtë çështje kërkuan lejë nga zyra e fabrikës, po meqë fabrika kishte shtrëngim për punë dhe nuk u dha lejë për ditën e Krishtlindjeve, shqiptarët të bashkuar më një mëndje s’vajtën në punë fare.
U lumtë!
Për të vënë re është veprimi i atdhetarit të ndershëm, Z. Nastas Th. Trebicka i cili, duke gdhirë dita e Krishtlindjes, rendi tërë natën nëpër konaket duke i këshilluar që të mos venë në punët. Pra kësisoj, duke dhënë besën shqiptarët midis tyre dhe plotësuan dëshirën plotësisht, edhe u nderuan në sy të kompanisë, se me këtë mënyrë rrëfyen që janë të bashkuar.
Prandaj kështu dëshërojmë që shqiptarët të përkujdesen dhe për disa paudhësi që u bëhen në punët, si për rrogat ashtu edhe për përkrahjen e njëri tjetrit, se porsa të jenë të lidhur të gjithë është fare lehtë që t’a fitojnë prej kompanisë ç’do gjë për lehtësinë e tyre, meqë në këtë fabrikë të syzeve janë më tepër se 300 shqiptarë. Gëzohemi tepër dhe i përhirojmë shqiptarët e Southbridge-it për afrimin që rrëfejnë me njëri tjetrin, duke u thirrur : “Rrofshin shqiptarët e Southbridge-it!”
KRISHTLINDJET
Në Judè ishte natë. Në heshtjen e thellë që mbretëronte s’dëgjohej gjë, gjithësija ishte në qetim edhe blegërimat e bagëtive dhe xhuratë e barinjvet ndalonin nga pak qetësinë. Po me gjith’ato një gjë tregonte ardhjen e një ngjarjeje të këndëshme.
Atë natë në një shpellë të Bethlehemit, në një grazhd kuajsh lindi Krishti, i biri i Perëndisë, zbriste nga Qielli që të afronte njerëzinë te Perëndia! Mister i madh sa edhe i çuditshëm! I ati shfaqet tek i biri në formë njeriu. Zotit i erdhi keq për njerëzinë të rënë në mëkat edhe si mëshirëmadh dërgon të birin e tij mesës për një paqësim dhe Shpëtimtar për njeriun. Engjëjt e Qiellit me barijtë e Dheut lusin këtë natë kaq të uruar! Magjistarët nuk peshojnë frikën e Herodit, mbretit të Judesë, po duke u hequr nga Ylli vijnë në shpellë me kanisqe dhe i falen Shpëtimtarit : “Lavdí Perëndisë në të naltat qiej e paqe mbi Dhè njerëzisë mirëdashëse”
Njëzet shekuj kaluan që kur u dëgjua lajmi gazmor i shpëtimit të njeriut, edhe Bota e Krishterë përsërit për të 2000-ën herë këtë kujtim të madh.
S’jam unë ai, tha “Joani pagëzimtari”, po ai që vjen pas meje, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh gjalmën e këmbës. Shpëtimtari u lind! Zoti u çfaq te njeriu!!
Le të lusim e të adhurojmë këtë ditë plot gaz e kujtime, të vetmen e më të madhen e të shkëlqyerën ditë për shpëtimin e njerëzisë.
U lustë gjithënjë brez pas brezi kjo ditë, dhe Zotit, Perëndisë, i ardhtë keq dhe për vuajtjet e pësimet t’ona, dhe na shpëtoftë nga zgjedha tiranike siç shpëtoi njerëzinë nga mëkat’ i përprindëshëm.
4 janar 1912 SHKËMB’ I MBLETËS(Pas këtij pseudonimi qëndron Sotir Gjika)