Thanas L. Gjika
Më 26 nëntor në ambjentet e Kishës shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” Worcester MA. u organizua nën drejtimin e Z. Frank Zdruli, kryetar i Shoqërisë “Djemtë e Sh. Mërisë”, festa e Ditës së Flamurit me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Morën pjesë mbi 250 persona të të gjitha moshave. Krahas banorëve të qytetit e rrethinave të Worcester-it, ishin atu dhe Atë Mark Doku e klerikët e rinj që e ndihmojnë; disa miq nga Boston, MA. si i Përndershmi Arhimandrid Theofan Koja, kryekleriku i Katedrales së Sh. Gjergjit, koreografi Dhimitër Demiri, etj. Nga qyteti Natick MA kishte ardhur familja Stratobërda, nga shteti Conneticat grupi muzikor “MALLI’ me këngëtarët e shquar fjerakë Brunilda e Rik Hoxha, etj. Gazetari dhe kameramani Arben Murraj xhiroi si gjithnjë ngjarjen nga fillimi në fund.
Festën e hapi Z. F. Zdruli, i cili në fjalën e tij falenderoi drejtuesit e kishës dhe biznesmenin Kozma Cane, që mbuloi shpenzimet e ushqimit e të pijeve të gostisë, si dhe vullnetarët Klodi Melka, Ilir Mihallari dhe Renato Robo që përgatitën mezet dhe ushqimet e bollshme, z. Gaqo Gjylapi që shërbeu si banakier, si dhe grupin tjetrër të punës që ndihmoi për organizimin me sukses të kësaj feste tradicionale.
At Marku dhe Arhimandrid Koja bënë lutjet e rastit për bekimin e ushqipmit dhe falenderimin ndaj Zotit. Nëpër tavolina ishin vendosur kopje të librit “Kënga Popullore Shqiptare”, përmbledhje me këngë popullore të cilat u kënduan prej grupit muzikor dhe vetë pjesëmarrësve. Më tej u vijua me këngë të tjera erotike shqiptare, angleze dhe italiane. Grupi “Vallet Tona” dha shfaqjen e vet, e cila u shoqërua dhe me pjesëmarrjen e publikut, ku shkëlqyen krahas valltareve profesioniste dhe zonjat e zotërinjtë Terova, Danga, Robo, Gërmenji, Zdruli,, Cane, Mano, Asllani, Christo, Lito, etj dhe fëmijët e tyre.
U bë një intermexo gjatë së cilës Z. F. Zdruli i dhuroi drejtuesit të korit të Kishës Zotit Danga si pasuri të bibliotekës së kishës sonë, librin në tre vëllime “Muzika e Kishës Otodokse Shqiptare” të studiuesit Theodhor Peci. Në vijim iu dha fjala Prof. Thanas L. Gjika, sekretarit të degës së Federatës Vatra -Worcester MA, për ta përshëndetur festën në emër të Federatës.
Midis tjerash z. Thanas Gjika tha:
28 NËNTORI NA BASHKON, POR DHE NA DETYRON…
Falenderoj kishën shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” dhe shoqërinë “Djemtë e Sh. Mërisë” që na bashkuan sonte në këtë darkë ku festojmë Ditën e Famurit me rastin e 110-vjetorit te Pavarësisë. Kjo festë na kujton sakrificat e mëdha të rilindasve tanë, që nga Naum Veqilharxhi, Vaso Pasha, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Mic Sokoli, Dedë GjoLuli, Hasan Tahsini, Atë Gjergj Fishta, vëllezërit Topulli e Grameno, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Papa Llambro Ballamçi, Spiro Bellkameni, etj, të cilët të ndihmuar dhe prej aleatëve Austri dhe Itali, arritën të krijonin shtetin e pavarur shqiptar. Por Rusia Cariste me politikën e saj shoviniste u imponoi Fuqive Europiane që shteti i ri shqiptar të mos ishte një shtet i plotë kombëtar, por gjysmak. Në këtë shtet të cunguar, të quajtur ‘Shqipëria Londineze’, u përfshinë vetëm 28.000 km katrore që banoheshin prej shqiptarëve, kurse më shumë se gjysma e tokave dhe e popullsisë shqiptare iu dhanë shteteve fqinjë: Serbisë, Greqisë e Malit të Zi.
Gjatë shekullit të XX-të në trojet shqiptare që mbetën jashtë territorit të shtetit shqiptar u ndoq një politikë e egër asimilimi, përndjekjesh dhe dëbimesh nga vatrat stërgjyshore. Në fund të shekullit të XX-të popullsia shqiptare në Greqi ishte pakësuar së tepërmi, shumica e saj ishte greqizuar. Kurse në ish-Jugosllavi, edhe pse trojet shqipfolëse ishin rrudhur, ishte ruajtur një popullsi prej mbi dy milion shqiptarësh, e cila kishte vazhduar lëvizjet për të drejta dhe liri kombëtare.
Lëvizja nacionale e popullit shqiptar brenda ish-Jugosllavisë dhe lobi shqiptar këtu në Amerikë arritën ta ndërgjegjësonin Kongresin Amerikan se populli shqiptar, një popull josllav, nuk kishte pse të jetonte nën sundimin serb si popull i robëruar. Mosbindja e qeverisë serbe të Milosheviçit ndaj presioneve diplomatike të ShBA-ve dhe BE-së për t’i dhënë popullit shqiptar në Serbi të drejta të barabarta qytetare me popullin serb, shpuri në ndërhyrjen ushtarake të NATOS dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Kështu u krijua shteti i dytë i pavarur shqiptar. kurse popullsia shqiptare në Republikën e Maqedonisë, në Malin e Zi dhe në Serbinë Jugore fituan më shumë të drejta qytetare.
Zhvillimet ekonomike dhe politike të këtyre 20 vjetëve të fundit po tregojnë se çeshtja shqiptare ka dalë në plan të parë në Ballkanin Perëndimor. Rruga e Kombit dhe Rruga e Arbërit e kanë lehtësuar e shpeshtuar qarkullimin e popullit shqiptar dhe e kanë forcuar tregun e biznesin shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Pra është koha që ne shqiptarët kudo ku jetojmë të mendojmë seriozisht për ngritjen e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar, detyrë që na ka mbetur e pazgjidhur që nga coptimi i kufijve në vitet 1912-1913. Sot, kur Rusia totalitare, armikja shekullore e çështjes shqiptare, po dobësohet nga lufta me Ukrainën, është koha më e përshtatshme për të punuar seriozisht për korrigjimin e padrejtësive që na u bënë në të kaluarën.
Më shumë se kushdo, ne shqiptarët që jetojmë në ShBA, në vendin ku sundon liria, na bie detyra për realizimin e kësaj detyre strategjike mbarëkombëtare. Eshtë koha të shpenzojmë më pak kohë për dëfrime personale nëpër kafene e klube dhe të ndjekim rrugën që na ka lënë Atë Fan Noli: të frekuentojmë më shumë institucionet fetare, të lexojmë më shumë gazetën “Dielli” dhe të anëtarësohemi në Federatën Panshqiptare Vatra, në këto institucione mbi 100-vjeçare, që e kanë ndihmuar më shumë se kushdo tjetër çështjen tonë kombëtare.
Po të rronin sot Atë Fan Noli e Faik Konica me shokë, jam i bindur se ne do t’i ndiqnim këshillat e tyre për t’i frekuentuar këto tri institucione të atdhetarizmit. Prandaj t’i bashkohemi me ndërgjegje trinomit INSTITUCION FETAR-GAZETA DIELLI- FEDERATA VATRA. Ta luftojmë indiferentizmin, qëndrimin tonë e sidomos të fëmijëve tanë larg këtij trinomi, sepse indiferentizmi na ka shpënë tek globalizmi dhe internacionalizmi. Globalizmi dhe internacionalizmi, pa zgjidhur ende problemin kryesor kombëtar: krijimin e shtetit kombëtar, janë të dëmshme, sepse na shpien drejt asimilimit, dobësimit dhe shuarjes së kombit.
Shqiptarët kudo ku jetojnë në Ballkanin Perëndimor e në diasporë duhet tv kujtohen se 28 Nentori na bashkon, por edhe na detyron të kujtojmë se çështja jonë kombëtare ka mbetur ende e pazgjidhur dhe duhet punuar për realizimin e kësaj detyre.
Po t’ia lemë spontanitetit detyrën që na kanë lënë rilindasit për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, si e kemi lënë deri sot, ajo do të mbetet e pazgjidhur dhe për dhjetra vjet të tjerë dhe kështu ndihma e aleatëve do të vejë dëm. Po të mos zgjohemi e po të mos aktivizohemi sot, koha dhe brezat e ardhshëm do të na dënojnë…
Ju faleminderit për vëmendjen. Gëzuar festën që na bashkon, por dhe na detyron!
* * *
Më tej vluan këngët e vallet deri në ora 11:00 PM, pastaj pjesëtarët u shpërndanë të kënaqur. Duke shkuar në shtëpitë e veta të mbushur me emocione, shumë prej tyre thoshin se komuniteti ynë prej mbi 20.000 Shqiptaro-Amerikanësh ka nevojë të organizojë të tilla takime edhe për raste të tjera si promovim librash, përkujtim ngjarjesh të ndryshme, etj. Takime të tilla atdhetare e kulturore e ngrejnë moralin e komunitetit dhe dashurinë midis njëri tjetrit…