


Sokol Paja/
New York, 30 Mars 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA organizoi një mbrëmje kulturore kushtuar tërësisht Eposit të Kreshnikëve e muzikës folklorike shqiptare. Vatra si identiteti më i fuqishëm kulturor, historik e kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, organizoi një mbrëmje madhështore dedikuar historisë, folklorit, trashëgimisë së shkëlqyer kulturore e muzikës së pastër shqiptare. Me pjesëmarrjen e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, në Selinë Qëndrore të Vatrës, Prof.Dr. Zymer Neziri mbajti ligjëratën me temë: “Eposi i Kreshnikëve – thesar monumental i trashëgimisë kulturore shqiptare”. Ky prezantim para Vatranëve e shqiptarëve të Amerikës erdhi në kuadrin e prezantimit të folkorit shqiptar nga Prof.Neziri në Universitetin e Harvardit dhe në Universitetin Columbia. Nën prezantimin brilant të kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mëhill Velaj, pas leximit të jetëshkrimit të Prof. Nezirit, në emër të Federatës Vatra përshëndeti studiuesi z.Idriz Lamaj i cili ndër të tjera tha se “Ligjerata juaj Profesor Neziri, do na rikujtojë sot edhe dy ikona të njohura të kulturës tonë kombëtare, Prof. Arshi Pipën dhe Prof. Stavro Skendin, të cilët studiuan me përkushtim epiken tonë kreshnike. Prof. Pipa dhe prof. Skendi për vite me radhë dhanë mësim në universitete të njohura amerikane”. Prof. Dr. Zymer Neziri në fjalën e tij para të pranishmëve ndër të tjera theksoi se Eposi i Kreshnikëve është kryevlerë poetike e folklorit shqiptar. I takon edhe vendi te kryevlerat në UNESCO. Është vijimësi e këndimit epik ilir-arbëror dhe cikël me fill historik nga koha e ardhjes së fiseve sllave në Gadishullin Ilirik. Eposi i Kreshnikëve bashkëjeton me ciklet epike heroike historike, nga Beteja I e Kosovës, 1389, e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare, 1997-2001. Eposi të Kreshnikëve i takon një vend i rëndësishëm edhe në folklorin botëror. Eposi i Kreshnikëve duhet të konsiderohet i madh ndër më të mëdhenjtë e botës- citoi ai. Sipas Prof.Nezirit nga materialet e Projektit E5 të Eposit të Kreshnikëve mund të shkruhen studime e disertacione, nga aspekti epikologogjik, etnomuzikologjik, dialektologjik, fonetik, leksikologjik, morfologjik, sintaksologjik, etnokulturor, etnopsikologjik, etnosociologjik, etnojuridik e fusha të tjera” përfundoi ai. Sekretari i Këshillit të Vatrës z.Ramiz Mujaj, vatran e veprimtar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 34 vitesh në mesazhin dërguar për këtë manifestim kulturor është shprehur: “Vendasin tim Prof.Zymer Nezirin e përshëndes për punën e madhe që po bën dhe ka bërë në dekada të tëra në lëmin e historisë, shtjellimit të folklorit shqiptar dhe këngëve kreshnike kryesisht të trevës së Rugovës”. Dr. Bexhet Asani në fjalën e tij tha se Prof. Neziri është njohësi më i mirë i epikës jo vetem shqiptare por edhe në Ballkan. Në nder të organizimit dhe vlerësimit për punën patriotike dhe kulturore të Vatrës, Prof. Neziri i dhuroi Federatës Vatra librin: “Eposi i Kreshnikëve në Ballkan”. Në këtë aktivitet të larmishëm kulturor z.Isa Breçani recitoi vargje për Prof. Nezirin ndërsa z.Isë Muriqi i ra lahutës e me z.Shaban Lajqi kënduan së bashkë duke emocionuar pa masë të pranishmit. Rreth Eposit të Kreshnikëve, Prof. Neziri u pyet me kërshëri nga të pranishmit z.Ramadan Gashi, z.Pal Ndrecaj, z.Nikollë Junçaj etj të cilët shprehën edhe vlerësimet e tyre për botimin. Prof. Zymer Neziri në promovim ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij. Ai u shpreh shumë i lumtur për pritjen në Vatër dhe vlerësoi veprimtarinë kombëtare të Federatës Vatra në shërbim të çështjes kombëtare. Ky takim e promovim kulturor tregoi pasurinë tonë kombëtare në fushën e folklorit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore etnografike shqiptare. Me aktivitete të shumta në shërbim të kulturës kombëtare, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA është shndërruar në promotoren më të fuqishme të kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës.