Kreu i Dhomës Amerikane i përgjigjet Edi Ramës pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit në Këshillin Ekonomik Kombëtar./
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford ka reaguar pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit Edi Rama në Këshillin Ekonomik Kombëtar. I kontaktuar nga Ora News me telefon, numri një i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Mark Crawford deklaron:“Ne nuk jemi kundër nismës anti informalitet. Nëse ka rezultat, aq më mirë për qeverinë. Nuk kemi qenë dje të ftuar në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, pasi është rotacion. Qëndrimin për nismën anti informalitet e kemi dhënë. Në Amerikë ka politika fiskale të ndryshme për çdo shtet. Nuk futet njeri në burg se nuk lëshon kuponin tatimor. Madje, nuk lëshohen fare kupona apo faturë, pasi çdo transaksion kryhet me bankë. Ne ditën e enjte kemi mbledhjen e Bordit të dhomës dhe mund të dalim me një deklaratë”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka lëshuar kritika të forta për mënyrën sesi qeveria po zbaton nismën anti informalitet, pasi sipas saj, biznesi po përballet me masa represive që rrezikojnë ta falimentojnë.
Rama kritikoi qëndrimin e mbajtur publikisht nga Crawford për mënyrën sesi po zbatohet nisma anti informalitet dhe i kujtoi përfaqësuesit amerikan të Dhomës sesi trajtohet moslëshimi i kuponit tatimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
” Më vjen keq që nuk e shoh përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ti thosha se përpara se sa të bëjë deklarata pas deklaratash, duke iu kundërvënë këtij operacioni t’ju tregojë shqiptarëve se cfarë i ndodh në SHBA dikujt që kapet me evasion apo duke shitur pa lëshuar faturën tatimore. Pasi ta tregojë këtë le të na tregojë ne se çfarë të bëjmë më mire” deklaroi dje Rama.
****
JA CFARE THA KRYEMINISTRI NE KESHILLIN KOMBETAR
Në mbledhjen djeshme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, teksa analizonte bilancin e aksionit kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar rastin për të thumbuar Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë. Teksa një javë më parë, në një deklaratë për mediat, Dhoma Amerikane rendiste një sërë kritikash ndaj aksionit të qeverisë dhe ligjit të ri për gjobat ndaj evazonit fiskal. Dhe mesa duket, kritikat e ardhura nga biznesi amerikan që operon në Shqipëri nuk janë pritur mirë nga kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik, ai është marrë personalisht me drejtuesin e kësaj organizate ekonomike, presidentin Mark C. Crawford.
“Më vjen keq që nuk e shoh këtu përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sepse do kisha parapëlqyer që ta shikoja në sy (nënkupto: Mark C. Crawford) dhe t’i thosha që përpara sesa të bëjë deklarata pas deklaratash duke iu kundërvenë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepta të qeverisë si masa penguese, t’ju tregojë shqiptarëve se çfarë ndodh në Amerikë kur dikush kapet me evazion apo kapet pa lëshuar faturën tatimore. Mbasi t’ua tregojë shqiptarëve këtë, atëherë le të vazhdojë dhe të na tregojë neve se çfarë duhet të bëjmë më mirë”, – u shpreh kreu i qeverisë.
Realisht ligjet amerikane për biznesin janë të ashpra dhe nuk krijonë asnjë lloj tolerimi për evazionin fiskal. Por debati që realisht hapi Dhoma e Amerikane e Tregtisë nuk kishte të bënte me kuponat, por me gjobat dhe modelin ekonomik që po vendoset në aksionet tatimore në vend. Si një institucion me traditë në financat e vendit biznesi amerikan i kujtoi kryeministrit se reformat e ministrit Shkëlqim Cani mund të sjellin efekte negative. Rasti më konkret ishte ai sesi një biznesi me 5 milionë lekë të reja xhiro në vit mund t’i vendoset një gjobë 10 milionëshe. Praktikisht, një masë e tillë do të thoshte falimentim. Në fakt Mark C. Crawford, pavarësisht kritikave për reformat e qeverisë, në fjalën e mbajtur pak ditë më parë për 15-vjetorin e krijimit të këtij institucioni deklaroi se kishte marrë kupon edhe për printimin e fjalimit të mbajtur. Ironi e egër ishte ndaj Edi Ramës ! Nuk kishte me shumë se kaq të tregonte Mark C. Crawford inatin dhe mërinë ndaj kësaj mënyre pune të tatimeve, gjithnjë sipas tij.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka një forcë tjetër po të kemi parasysh se biznesi vendas ka një sjellje vasaliteti ndaj qeverisë. Këtu nuk flitet vetëm për qeverinë Rama, por për të gjitha qeveritë. Sa herë janë ndërmarrë reforma biznesi vendas është rreshtuar me qeverinë, jo se janë gjithmonë dakord me reformat, por se mbështetja e mazhorancës për biznesin përkthehet në përfitime të tjera që kanë të bëjnë me tenderat dhe me lehtësira ekonomike. Merrni shembullin e mbledhjeve në Këshillin Ekonomik, ku dhjetëra biznesmenë të fuqishëm në vend ulen dhe dëgjojnë njëlloj si të ishte mbledhja e qeverisë dhe nuk thonë atë që mendojnë. Të paktën publiku nuk dëgjoi gjë dje, live. Kjo është pa sens. Biznesi ka një mal me vërejtje ndaj qeverisë, por këto i thonë nën zë. Kur dalin në takime publike i miratojnë në heshtje reformat, duke i legjitimuar formalisht dhe duke pritur shpërblimin nga qeveria. Realisht, këta lloj biznesesh i dëmtojmë më shumë reformat sesa qëndrimet si ai i Dhomës Amerikane.
Basti i qeverisë në këtë aksion që dje mbushi 45 ditë nuk është vetëm marrja e kuponit, por se çfarë do të ndodhë kur aksioni të përfundojë. Biznesi nuk formalizohet me aksione, por me rregulla dhe ndëshkime të sipërmarrjeve të mëdha që deri më sot kanë abuzuar me miliarda lekë. Sfida e qeverisë është nëse do të arrijë të godasë edhe ato biznese që janë rreshtuar si fasadë në krah të saj, ndërkohë që deri dje kanë bërë evazion duke vjedhur jo vetëm qytetarët, por dhe arkën e shtetit. Sinjalet e fundit janë që gjërat po lëvizin në këtë drejtim. Ka njoftime se prokuroria po heton dhe pritet të bëjë arrestime të mëdha nga biznesi VIP. Por a do të cënohen e penalizohen VIP-at që rrijnë pas e para qeverisë? Të shikojmë!
Drejtoria e Tatimeve paralajmëroi arrestime në radhët e emrave të njohur të biznesit në vend. Arrestimet do të kryhen me akuzën e evazionit fiskal dhe emrat e përfolur janë në radhët e bizneseve që janë konstatuar me shkelje në fazën e parë të aksionit kundër informalitetit. Emrat e biznesmenëve që do t’u vihen prangat do të tregojnë edhe sesa seriozisht është gjithë aksioni i nisur prej 45 ditësh.
Dje kryeministri ia ktheu reston Mark C. Crawford për ironinë dhe reagimin e tij të para disa ditëve.
-Ku është ai ?- pyeti kryeministri- që ta shikoj përballë e në sy.
Në të vertetë debati dhe kundërshtimet nuk bëhen me deklarata shtypi, por direkt e në tavolinë aty ku ishte dje mbledhja në fjalë. Nëse Mark C. Crawford do të shkonte dje në takim dhe ti thoshte problemet e shqetsimet në sy ai do të fitonte pikë. Fakti që nuk shkoi tregon që ose kishte frikë ose indiferencë për ligjet shqiptare. Por ligjet janë mbi këdo, edhe mbi amerikanin Mark C. Crawford, edhe mbi çdo biznes tjetër të huaj që operon në Shqipëri.
Në të vertetë ka biznese të huaja ( nuk e dijmë për rastin në fjalë) që nuk paguajnë apo fshihen nën emrin të “huaj” dhe mbushin thasët me euro e ikin, duke mos paguar. E shikojnë Shqipërinë si një “Afrikë”, por Rama nëse arrin të jetë i drejtë dhe i barazlarguar nga të gjithë në zbatimin e ligjit ka bërë një akt të mirë për vendin.
Ndonëse taksat e tarifat kanë vend për diskutime. Dhe duhen riparë. Por kjo nuk do të thotë të mos zbatosh ligjin që është në fuqi. Një ligj sado i keq të jetë duhet zbatuar. Beteja mbetet që të marrësh vota e ta rrëzosh qeverinë ,nëse njërëzit janë të pakënaqur me politikën e taksave të qeverisë.
Rrugë tjetër nuk ka ! As në Amerikë.