TIRANE-24 nëntor 2014/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi sot pasdite gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, veprimtarë të shquar të Federatës Pan-shqiptare në Amerikë “VATRA”./
Kreu i Shtetit nderoi veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare me Dekoratën “Nderi i Kombit” për zotin Agim Rexhaj, ndërsa (pas vdekjes) u dekoruan vatranët dhe gazetarë të “Diellit”, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste: Aqif Përmeti; Bahri Omari; Kolë Tromara; Kristo Kirka; Kostaq Kota; Aqile Tasi; Kristo Floqi dhe Andon Frashëri.
Presidenti Nishani çmoi gjithashtu (pas vdekjes) veprimtarët e spikatur për lirinë dhe çështjen shqiptare si dhe në homazh të heroizmit dhe sakrificës për idealet atdhetare me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”: Faslli Frashërin; Ali Kuçin; Kolë Rrodhen dhe Halit Qytezën.
Në fjalën e Tij të mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh mes të tjerash: “Kjo veprimtari u kushtohet tërësisht atyre burrave të shquar të këtij kombi, të cilët ndonëse larg trojeve shqiptare, ndonëse pa mbështetje të madhe ndërkombëtare, ndonëse në një vend ku iu hapën dyert e mikpritjes dhe miqësisë, nuk kishin infrastrukturën e nevojshme, por ditën të marrin përsipër përgjegjësitë që koha u kërkonte. Këta burrave të mëdhenj ditën jo vetëm të ngrinin zërin për Shqipërinë, për kombin, për pavarësinë, për dinjitetin, por edhe të hidhnin themelet e një projekti: e një projekti të një Shqipërie të pavarur, të lirë, e cila duhet të shkonte drejt prosperitetit. Nuk është një koincidencë që këta burra gjetën pikërisht vatrën e përshtatshme për të ngritur, mbrojtur dhe ushqyer çështjen kombëtare në Amerikë, sepse ata patën të gjithë gatishmërinë e burrave të mëdhenj të atij kombi në atë kohë, por njëkohësisht patën mundësinë për të mbledhur të gjithë shqiptarët rreth asaj ideje të madhe që çoi drejt pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas në ruajtjen e dinjitetit dhe idealit kombëtar për shqiptarët.”
Duke vijuar më tej, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi: “Federata Pan-shqiptare ‘VATRA’ tashmë është pjesë e ndritur e historisë së Shqipërisë. VATRA u kthye vërtet në një vatër reale të idealeve kombëtare, u kthye në një vatër të mikpritjes, të ushqimit, të idealit dhe parimeve kombëtare për çdo shqiptar në Amerikë, por njëkohësisht edhe në një rreze shprese për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodheshin, në Shqipëri, dhe në të gjitha trojet e tjera të copëtuara shqiptare.”
“Është një detyrë e institucioneve shqiptare dhe një përgjegjësi, e cila do të mbetet e përjetshme, që jo vetëm të mos i harrojmë e t’i kujtojmë, t’i nderojmë, por t’i kemi edhe si pikë referimi, si vizion reflektimi për të gjithë brezat që vijnë mendimin, filozofinë, punën, kontributin dhe atë çka arritën burrat e mëdhenj, të cilët krijuan, e rritën, e mbajtën gjallë dhe e trashëguan Federatën Pan-shqiptare ‘VATRA’” – vuri në dukje Presidenti.
“Unë sot ndihem i privilegjuar që në këtë prag 28 Nëntori, me nismën e drejtuesve dhe anëtarëve të ‘VATRA-s’ sot të kujtojmë kontributin e paçmuar dhe patriotik të atyre vatranëve, të cilët mes shumë e shumë bashkëpunëtorëve të tyre, kontribuuesve të tjerë, mbështetësve në Amerikë, por edhe në Shqipëri, bënë aq shumë për kombin shqiptar në kohë që ishin shumë herë më të vështira se sa sot, kur detyrimet tona janë dhjetë herë më të mëdha për t’i nderuar ata, por edhe për të ruajtur atë ideal dhe gjithçka që ata arritën dhe për të promovuar më tej atë që ata mendonin.
Njëkohësisht dëshiroj që sot përmes kësaj ceremonie t’u kërkoj të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Preshevë e Bujanovc, në diasporë, deri në Amerikën e largët, të përkulen me nderim të thellë e të kujtojnë për një çast të vetëm se sa shumë e deshën ata njerëz Shqipërinë, se sa shumë ata njerëz e respektuan idealin kombëtar, dhe se sa shumë kontribuuan ata pikërisht për këto ditë që ne dhe brezi ynë i sotëm jeton dhe që natyrisht i ka të gjitha mundësitë për të përfituar, por edhe për të çuar më përpara kontributin dhe atë që këta burra të mëdhenj me veprën e tyre i lanë Shqipërisë si trashëgim.” – nënvizoi Presidenti Nishani.
“Sot jam i bindur që shpirtrat e tyre, sepse tashmë ata nuk i kemi më midis nesh, ndihen më të lirë, më të lehtësuar, më të arrirë nga ky nderim, të cilin ne si detyrim sot i ofrojmë kujtimit dhe kontributit të tyre! Koha do të ecë përpara, brezat do të zëvendësojnë njëri-tjetrin, por historia mbetet dhe kontributet nuk harrohen. Ndaj le t’i nderojmë edhe njëherë sot dhe përmes këtij vlerësimi t’u konfirmojnë se parimet, idealet dhe kontributet e tyre janë pjesë e arritjeve që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot kudo ku ndodhen. Përmes këtij nderimi le të konfirmojmë edhe njëherë se mbetemi të obliguar, të angazhuar që pikërisht ato vlera të mëdha, të cilat vatranët i lindën, i ushqyen dhe i rritën duke i lënë trashëgim, janë vlera me të cilat shqiptarët krenohen dhe duhet të krenohen porsa kohë shqiptarët ekzistojnë mbi dhé. Jam i bindur që nga kjo sallë ne përçojmë anembanë Shqipërisë, deri në Amerikën e largët, tek çdo zemër dhe vatër shqiptare flakën e pashuar të dashurisë për Shqipërinë, që vatranët dhe ‘VATRA’ na e lanë amanet.” – përfundoi fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar.