
Sokol Paja/
Media e shkruar në komunizëm luajti një rol të tmerrshëm në shkatërrimin e fesë në Shqipëri. Shteti nëpërmjet organeve të shtypit ateist krijoi një bindje në masat popullore dhe i nxiti “revolucionarët” në aksione fizike konkrete për shkatërrimin e fesë si ideologji dhe institucione. Muzeu Ateist në Shkodër u inagurua më 9 qershor 1973. Këtij Muzeu i parapriu ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë” organizuar më 10 korrik 1968. Propaganda antifetare për likuidimin e klerit dhe të institucioneve fetare i mëshonte faktit se populli nuk është krijuesi i ideologjisë së cilësuar prej komunistëve si obskurantiste fetare, por viktima e saj. Propaganda antifetare në shtypin komunist, me qëllim që të prekte e ta bënte për vetë popullin shkruante se përgjatë historisë së dhimbshme të pushtimit të popullit shqiptar, klerikë reaksionarë gjoja kanë bashkëpunuar me pushtuesit e Atdheut.
Nën udhëheqjen e partisë komuniste dhe me ndihmën e organeve të pushtetit për ngritjen e Muzeut Ateist u mobilizua e gjithë inteligjenca e rrethit të Shkodrës e Tiranës, me qëllim gjetjen e dokumenteve, të objekteve fetare, përpunimin e tyre për në muze, u miratua një plan ekspozicional-tematik me përmbajtje të thellë ideologjike. Muzeu Ateist, në Shkodër, jep një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një propagande frontale në luftën kundër fesë. Aty ku feja kishte ndikim, aty goditej edhe më shumë. Në këtë muze paraqiten, sipas Vasil Llazarit, në shkrimin “Feja, “drogë” e rrezikshme”, botuar në gazetën “Jeta e re”, të datës 6 tetor 1973, ilustrime me dokumente të shumta rreth rolit reaksionar e antikombëtar të klerit të tri besimeve fetare në Shkodër përgjatë historisë qindvjeçare të Shqipërisë që fillon që nga Lidhja e Prizrenit, shpallja e pavarësisë, regjimi i Zogut, pushtimi i Shqipërisë nga italianët dhe gjermanët, por kryesisht autori shkruan rreth figurave kryesore katolike.
Detyrë e këtij Muzeu ishte që të organizonte sa më shumë aktivitete me përmbajtje të luftës kundër fesë në mënyrë që nëpërmjet propagandës dhe punës së mëtejshme hulumtuese të shndërrohej në një vatër edukimi marksist-leninist. Sipas Kleanth Dedit, në shkrimin “Muze që akuzon”, botuar në gazetën “Mësuesi” të datës 25 korrik 1973, në shekuj atmosfera ka qenë rënduar nga feja që në shkrim quhet një re e zezë. Autori akuzon duke deklaruar se veprimtaria dhe ekzistenca klerikale është shoqëruar nga gënjeshtra dhe hipokrizia, që shqiptohej me plot gojën nga njerëzit me veladon, me çallmë e me kamillaf. “Figura të ashtuquajtura të shenja, të gdhendura në dru, të derdhura në allçi e në bronz, të pikturuara në beze, dërrasa e mure, gjeje jo vetëm në institucionet fetare, ku me nderime u bëheshin ceremonitë e shumta, por ato kishin depërtuar edhe në familje” çka tregon për aksionin e jashtëzakonshëm antifetar që do të depërtonte deri në individët e secilës nga familjet shqiptare. Besimin e trashëguar nga të vjetrit e sidomos nga plakat, autori e sheh me dhimbje duke i quajtur të shkretat plaka që, sipas autorit, përgojoheshin pas atyre figurave, besonin në çudinë e tyre, u ndizni qiri, harxhonin edhe pikën e fundit të vajit për të ndriçuar, na hiqnin edhe atë grusht miell gruri për shpirtin e tyre. Sipas autorit për këto veprimtari antiatdhetare e antipopullore më përpara dihej fare pak, por me ardhjen e socializmit në drejtimin e shtetit gjyshërit e prindërit tanë, që nderin e adhuronin aq shumë, që Atdheun e donin me shpirt, që armikut i kishin treguar vendin, që shtypjen e padrejtësinë e urrenin, dhe luftonin, tronditeshin nga ky ortakllëk i klerikëve, nga poshtërsitë e tyre, dhe në këtë mënyrë, sipas autorit, vendosën braktisjen e fesë dhe përqafimin e idealeve marksiste-leniniste. Gënjeshtrat dhe shkrimet patetike ateiste të komunisteve, ndikuan në shkatërrimin e botës shpirtërore të shqiptarëve dhe krijimin e njerëzve monstra të një sistemi kriminal, monstruoz dhe komunist.
Foto: shqiptarja.com