

Është krijuar Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë (Forumi 26), një organizim i ri letrar që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë. President i Forumit është zgjedhur Stefan Çapaliku, zv/president Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.
Në ceremoninë e shpalljes publike, Stefan Çapaliku theksoi se Forumi 26 u krijua nga një grup shkrimtarësh pas një sërë takimesh dhe diskutimesh të përqendruara në letërsinë shqipe, të cilat çuan në përfundimin se ekziston një nevojë e qartë për një organizim të ri, gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor të shkrimtarëve shqiptarë.
Nga kjo nevojë lindi Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26, një bashkësi shkrimtarësh që synon të bashkojë personalitete letrare me kontribute estetike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si edhe autorë që jetojnë dhe krijojnë në mërgatë.
Forumi 26 krijohet si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare takohen për të ndërtuar kontakte reale kulturore, ndërshqiptare dhe ndërkombëtare.
“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Në këtë frymë, Forumi 26 synon të ushtrojë një ndikim konstruktiv ndaj institucioneve dhe vendimmarrësve në fushën e kulturës, për ndërtimin e politikave kulturore koherente, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj integritetit dhe unitetit të letërsisë shqipe. Prioritet mbetet promovimi i letërsisë shqipe si një e tërë e pandashme, si një hapësirë e përbashkët kulturore dhe artistike”, u shpreh z. Stefan Çapaliku gjatë ceremonisë së shpalljes publike, e zhvilluar sot në mjediset e Librarisë Babel, në prani të medias dhe anëtarëve të Forumit 26.
Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26 përbëhet nga: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku.
President Nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.