nga MSC. Albert HABAZAJ/poet,studiues/
Parë me lentet artistike të shekullit të ri, nëqoftëse letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër.
Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot.
Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30 – të, tok me Migjenin, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. I katërti është Fatos Arapi, poeti i Zvërnecit, që i përket letërsisë së pasluftës, të cilit “Neraida”, një nga shtëpitë botuese cilësisht më prestigjoze në Shqipëri, me botues njeriun qytetar të kulturës Jani Malo, i botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Robert Elsie, historian i njohur i letërsisë shqiptare e cilëson F. Arapin “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.
Në linjën kronologjike, Shquhet publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885 – 1964), politikan, erudit e studiues historie, kulture dhe etnografie. Është ndër shqiptarët e parë me bibliotekë të pasur, që njihet, për kohën, ndër më të dëgjuarat dhe në Ballkan. “Kujtimet” e tij janë një vlerë e rrallë albanologjike.
Një personalitet i njohur është dhe atdhetari demokrat Halim Xhelo (1893 – 1937), ndër themeltarët e zjarrtë e titanikë të publicistikës letrare, ideator dhe frymë e luftës së Vlorës.Halim Xhelo është cilësuar si Abdyl Frashëri i kësaj epopeje, që gremisi perandorinë e pushtimit…
Nga Vlora është dhe i njohuri lirik Nexhat Hakiu (1917 – 1978), autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane, zotërues i vargut me ndjenja të holla romantike e sentimentale, botuar më1939, në tiranë me titullin “Këngët e zambares”. Për lirikat e dashurisë radhitet i dyti pas Ali Asllanit, për atë lloj vjershërimi.
Të tjerë shkrimtarë të angazhuar, por më minorë janë Isuf Luzaj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi dhe Spiro Çomora. Një emër i paharruar për letërsinë është dhe juristi vlonjat Kudret Kokoshi ( -1991), poet i hollë e përkthyes i zot, burgosur edhe nga fashistët, edhe me pas nga komunistët. Dramaturgu i talentuar Minush Jero (1933- ) nga Vlora për dramën “Njolla të murme” fitoi çmim të parë më 1968, në Festivalin Kombëtar të Teatrit, por u burgos për “mungesë të pastërtisë ideologjike”. Në vitet 1970-’80 dalin në skenën letrare shqiptare emra si Fadil Zeqiri, Neshat Tozaj, Shefqet Tigani, Flora Gjondeda, Llambro Ruci, Ruzhdi Gole, Dalan Luzaj, Lefter Çipa, Kastriot Mahilaj, Maro Pasho, Irfan Bregu, Miliano Stefa, Odise Goro e Hiqmet Meçaj, i krahasueshmi në poezi me nivelin artistik të Xhevahir Spahiut, që dhe u inkurajuan si talente të reja të kohës.
Nga autorët vlonjatë janë përfaqësuar në antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare: Petro Marko, Shevqet Musaraj, Spiro Çomora, Fatos Arapi e Neshat Tozaj.
Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë: Odhise Grillo -lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; poeti Tasim Gjokutaj, origjinal në humorin dhe satirën e tij; Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël; Skënder Hasko që i sjell frymëzime të thella botës letrare fëminore;
Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët,ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë.
Një rrymë e re letrare
Gjatë viteve 1985-1995 një rrymë e re letrare lind në Vlorë, e përfaqësuar nga Seit Seitaj,
Xhemil Lato, Albert Habazaj (Abazi) e Qerim Skënderi. Nëqoftëse, deri atëherë njihej në nivel kombëtar Shkolla Vlonjate e Pikturës, po konturohej tashmë denjësisht Shkolla Poetike e Vlorës, (krahas shkollave të tjera, kuptohet). Ndihej, tok me shqetësimin qytetar e intelektual, aroma e së nesërmes dhe vizioni universal i poetëve të rinj, që tashmë s’ishin më të rinj e të pakët, sepse shoqëria letrare e qytetit po rritej dhe njëkohësisht ngrihej cilësisht me individualitete të dalluara për nivel artistik në veprat e tyre. Idajet Jahaj, Enrieta Sina, Eqrem Canaj Anastas Bita,Aleksandër Çipa, Hiqmet Mehmetaj, Elma Rama, Kozma Billa, Gëzim Llojdia, Astrit Xhaferi, Albana Hodo, Avni Varfi, Liljana Zoga, Astrit Hajdini, Laureta Petoshati, Ruzhdi Bajrami, Nertesi Asllani, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Myrteza Mara, Tomor Balla,Sinan Elmazi,Blerina Kotorri, Vangjel Stefa, Luto Memokondi, Leka Skëndaj, Vjollca Staro, Pajtim Xhelo, Vangjel Pici, Pelivan Bajrami, Mynyr Zyka, Kudret Mara, Pali Shtëmbari, Zyba Hysa (Bashmili), Ylli Bora, Petrit Velaj, Enver Qamo, Asqeri Llanaj, Shkëlqim Zotaj, Çlirim Hoxha, Novruz Abilekaj, Pelivan Bajrami, Ideal Muho, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Robert Goro, Besiana Koshena, Valbona Gaçe, Zenepe Luka, Thodhori Babe, Sokrat Habilaj, Idlir Azizi, Kristo Çipa, Neki Dredha, Kristaq Xhaho, Dionis Qirixidhi, Elisabeta Alikaj, Lavdie Çela e të tjerë emra që do të vijojnë, përbëjnë gjethet e degët e gjelbra të pemës së shëndetshme të krijimit letrar në Vlorë.
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor
Luani nga Vlora says
I dashur Albert!
E kam ndjekur veprimtarinë dhe krijimtarinë tuaj letrare dhe jam entuziazmuar nga puna, përpjekjet, po dhe talenti juaj. Më bëri përshtypje sidomos ligjërata mortore mbi varrin e mikut tim Ilmi Bani. Në fakt ishte ai që më ka folur me simpati të posaçme edhe për rolin tuaj aktiv si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës. Ju lutem të pranosh për këto edhe falënderimin tim, si vlonjat i hershëm dhe dashamirës për letërsinë, artin dhe sportin, djathtësi që për fat i kemi të përbashkëta.
Zanafilla për çka po të shkruaj u bë “DIELLI”, ku të gjej shpesh me shkrimet e tua të larmishme dhe këtë radhë me një studim për shkrimtaret vlonjatë ndër vite, nënshkruar nga ju edhe ne pozicionin e njëstudiuesi profesionist.
Duke të falënderuar edhe për këtë jehonë dashamirëse të një vatre të përbashkët (e them këtë se dhe unë kam botuar 9 libra me tregime e poezi, kryesisht për Vlorën dhe kam dhe shumë të tjera në proces) dhe kështu në këtë shkrim morra kënaqësi për këta krijues të nderuar nga Vlora.
Duke e lexuar studimin e mirëfilltë (e gjeta veten te ” etj.”), po më erdhi keq që kishe lënë jashtë liste shkrimtarë me shumë prodhimtari e cilësi dhe shumë më me meritë nga disa të përfshirë aty, si: Poetin e ëmbël qeparotas sidomos për fëmijët Janaq Pani, poetin dhe shkrimtarin veteran dhe gazetarin e parë të Vlorës Duro Mustafaj, fabulistin ndofta më të mirë që ka vendi Bardhyl Mezinin, tregimtarin dhe eseistin shumë me vlerë Faruk Myrtaj, romancierin e shquar Robert Dino Martiko, poetin, romancierin dhe publicistin me 25 libra Petraq Pali, tregimtarin, poetin, kineastin dhe fotografin e palodhur Vasil Qesari, përkthyesin dhe romancierin Luan Toto, përkthyesin dhe shkrimtarin Luan Rexhep Kapaj, shkrimtarët dhe poetët Spiro Qirixidhi, Eduard Frakulla, Gjinovefa Myrtaj.
Me mendimin se, si i moshuar, do ju kem ndihmuar sadopak, respekte!
Luan Kaman Çipi
Vlorë,31.03.2015
Albert Habazaj says
FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE, I RESPEKTUAR MIK LUAN!
Ç’ka botova te “Dielli” ynë është hyrje për një studim letrar, që ka vite duke mbushur thesin me shënime për librat e botuar të autorëve nga Vlora apo të atyre që banojnë në Vlorë. I kam në proceset vijuese të punimit që kam ndërmarrë.Ke të drejtë për Vasil Qesarin, Petraq Janko Palin,Luan Kaman Çipin,shkrimtarin dhe piktorin Spiro Qirzidhin, vëllain e Nisit,Faruk Myrtajn e madh, Luan Toton e “Sezaiut”, Janaq Panin, Robert D. Martikon, Eduart Frakullën, Gjinovefa Myrtaj etj. Ndërsa Duro Mustafaj më mbush me diell shpirtëror. Me që koha kërkon vërtetim për ç’ka shpreh njeriu, po ta nis “dokumentin” konkret: “KAM MALL SI DURO MUSTAFAJ I DURIMIT DHE I DASHURISË UNIVERSALE
MSc. Albert HABAZAJ*/ studiues, poet
“Kam mall për shtëpinë në kodër,
Ku linda në atë dimër të rrallë,
Ku eca e fëmijëria aty më iku,
Pranë një sokaku me gurë të bardhë.
Dhe për oborrin me gjethe hardhie e fiku…
Sikur mos ta dija dhe sikur mos ta njihja autorin dhe stilin e tij, do të thosha që këto vargje janë bërë, ose nga nobelisti i pashpallur ende, për arsye të korrupsionit global, nga i dali mbi rè, i pakapshmi I. Kadare, ose janë pjellë e Mbretit të Principatës së Letrave Shqiptare, Dritëroit të Madh.
Por unë, që kuptoj simbolikën DUMEMUS, të cilën na e shfaq miku i pastër Luan Çipi, unë që mendoj se e njoh afërsinë dhe distancën midis treshes, përveçueset dhe përbashkueset e kësaj trioje, në shfaqje të panjohur, në thelb të shfaqshme, them se studiuesit e mirëfilltë të letërsisë mund të gjejnë optika studimi tek dritërori ndër dritërues, Abdurahman Mehmet Bashaj. Pse e them këtë? Po ka një logjikë, që të paktën, përdoruesit e penës së dobishme, për vlera e bukuri artistike, estetike e sociale, e njohin mirë e goxha mirë Duro Mustafain, alias = thënë ndryshe Abdurrahman Bashon e Vlorës e sidomos të Tiranës, që qe kupola e situr mirë për klasifikimin hierarkik të shkrimtarëve dhe artistëve shqiparë (dje qe oaz, sot u bë oqean,[aq adhá, më duket se na ironizon krenarisht e dhëmbshëm i përveçmi ndër ne, shqiptaro- amerikani i vargut e i këngës së thekur, Pelivan Bajrami]).
Kam mall. Oh,sa mall!…Këto vargje sikur më realizojnë, shqiptarisht dhe në gjuhën e nënës, atë që dua: harmonizimin e dashurisë së bërthamës së mbjellë nën tokë dhe mbi tokë, të pemës së shëndetshme, plot degë të gjelbra e fruta të ëmbla.
“Dhe strofat e mallit ndjekin njëra – tjetrën deri sa arrijnë në apogje”, – thotë Përparim Hysi e prapë, në fund të çdo strofe, fjalia: “Kam mall. Oh,sa mall!”.
Shpesh herë mendoj të bëj për këtë personalitet të poezisë shqipe një shkrim sipas parametrave që kërkon një studim. Po shpesh herë them të flas për poezisë e tij, siç ma ka ënda, siç dëgjoj njerëzit që i reciojnë njerëzit e tij, siç dëgjoj ata burra me mend Labërie që i përfillin vargjet e tij dhe i komentojnë lartësisht, pozitivisht, meritueshëm. Jam pak i mërzitur, se dikush më tha në vesh, “ myshorazi”, sikur Duro Mustafai na paska kaluar 80 vjeç. “50?” – e pyeta unë. Oto, jo çinkue,- më tha këmbëngulshëm miku i përbashkët. E ç’ta kundërshtoja xha Zeqon, vëllamin e Duros, një nga personazhet e tij letrarë, ndërkohë vjehrrin tim, të mrekullueshmin Zeqir Dule Ribaj. Qe pikërisht 14 shkurti, kur po diskutonim këtu, në Vlorë për vlerat universale të Duros dhe u pajtuam me njëri- tjetrin, duke marrë një mirësi në mungesë për Duron e Tiranës, të Vlorës, të Vranishtit, të Kaninës edhe të Tërbaçit, me nga një teke raki rrushi, nga pjergulla në fik të bardhë
DIELL NË MAL TË BARDHË
Sot, i mirënjohuri i penës së bukur shqipe, Duro MUSTAFAI mbush 82 vjeç. Në vend të një kartoline urimi për ditëlindjen, po i nis një det me të fala nga Vlora, nëpërmjet gazetës elektronike “Arbëria.News”, që del në adresën http://www.arberianews.com/. Pak diell në një mal të bardhë pashë të ngrohte çiltër zogjtë e folezës së publicistikës letrare këtyre trojeve të mia arbërore, në përpjekje për të marrë fluturim si shqiponjat qiejve të gazetarisë, të qytetërimit, të kulturës botërore dhe të progresit. E kam lexuar librin “Ne, gazetarët e atyre viteve…” të mendimurtit si uratë, të zemërzjarrtit si vullkan me fuqi pozitive hyjnore, të shpirtqeshurit si qershor, të shkrimtarit dhe gazetarit elitar Duro Mustafai. Jo vetëm sa për kujtim e frymëzim, siç ma kushton me shkrimin e tij autori. Po unë kam një problem me këtë libër. Nuk dua të ndahem nga ai. E kam në shtëpi, kur jam në shtëpi, e kam në punë çdo ditë pune. E kam te cepi i majtë i tavolinës së punës. E hap mbas çdo ore pune në kompjuter. Për t’u qetësuar dhe për t’u frymëzuar. Në kontekst. Në vend të kafes. Për të freskuar mendimin, si buzën me një gotë ujë natyral. Çmallem dhe mësoj nga ata, gazetarët e atyre viteve të stuhishme, të ndezur nga Idealizmi i Bardhë i Lirisë Njerëzore Qytetare. Ata ishin lule në furtunë. S’mund të ndahem nga ata. Dua të vijoj gjurmët e tyre më të mira, më të bukura, më të dobishme.Ky është motivi që libri “Ne, gazetarët e atyre viteve…” e shoqëron qenien time, kudo. E marr me vete. Të them si Biblën, është pak, sinqerisht. Bibla është Libri i Shenjtë për të gjithë ne. Edhe, “Ne, gazetarët e atyre viteve…” më ngjan si një libër i shenjtë, por për mua, është edhe i shtrenjtë.
Personat jetësorë, për bëmat e tyre të mira në dobi të kombit, shndërrohen në personazhe historikë, artistikë a kulturorë…Kujtoj Dhaskal Todrin tek “Udha e shkronjave” dhe heq një paralel, kur në vështrim krahasues, po aq ndritshëm, më shfaqet imazhi me dritë të ngrohtë i Duro Mustafait majë kalit të bardhë të publicistikës letrare të Shqipërisë, që me penën e mprehtë të gazetarit, na ka bërë më të shëndetshëm estetikisht për shtyllën tonë etiko-morale. Kur shkruan Duro Mustafai qesh fjala e, si rrjedhojë, zbukurohet leximi, i cili fisnikëron çiltër e thellë të zotin e leximit, lexuesin qytetar, dashamirës të kulturës. Nga pena e Duro Mustafait mëson si të shkruash për vendlindjen dhe si ta duash atë sa dritën e syve.
Vlorë, e shtunë, 21.02. 2015
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,
Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.
Shkruar në Vlorë, e premte, 14. 02. 2014, ora 13.45’
Përsëri, Faleminderit,me mirëkuptim Albert Rexhep Habazaj