Kristaq BALLI
Kristaq Sotiri u lind më 1883 në Mborje të Korçës. Adoleshencën dhe rininë e tij e kaloi në Korçë duke u arsimuar në shkollat e asaj periudhe. Njëheresh, gjatë kësaj kohe ai ushtroi aty disa përpjekje për të përvetësuar elementët kryesorë të proceseve të fotografimit, falë kuriozitetit, si dhe nxënës, ndihmës e bashkëpunëtor i kunatit të tij Kristo Sulidhi (Shuli), një fotograf shumë i njohur e pionier në fushën e fotografisë shqiptare, por edhe i përfshirë në lëvizjet patriotike të kohës. Ai ka realizuar i pari fotot e shkollave të para shqipe për djem e vajza në Korçë.
Rreth vitit 1900 “epidemia” e emigracionit si edhe për shumë korçarë të atëhershëm, veçanërisht djem të rinj, plot ëndërra e pasione, nuk e kurseu as Kristaqin, por e nxiti si me magji të rrahë flatrat e kurbetit në ShBA, fillimisht në Nju Jork, ku punoi disa muaj në një fabrikë tekstili.
Por ai, mbetet modeli i të rinjve që emigruan me parashikime e ëndërra të çartura idealiste, prandaj u degdisën aq larg, ashtu si Gjon Mili, ashtu si George D. Boria (Bratko), ashtu si Perikli Kaçauni, ashtu si George Tames, etj., që guxuan, sakrifikuan e u realizuan si artistë fotografë me individualitete të njohur ndërkombëtarisht.
Pasionin për fotografinë që ishte ende një pikësynim, nuk mund t’ia zbehte dot koha. Riosh dhe kokëkrisur, ai të guxoi të provonte ambicjet e tij në fushën e fotografisë të fillimit të shekullit XX, kur në ShBA ishin bërë përparime e kapërxime të mëdha teknologjike e artistike. Punoi disa vjet si asistent në disa studio fotografësh komercialë, derisa ëndrra për të ushtruar aftësinë e vet e grishi të shkojë e të provohet tek një prej fotografëve të shquar amerikanë, George Steckel (1864-1938) në Los Anxheles të Kalifornisë. Por “dështimi” nuk e kurseu përpara nivelit të lartë artistik të fotografit Steckel, i cili e ndërpreu bashkëpunimin me të për arsye profesionale, kryesisht të retushimit, që ishte një nga proceset kryesore e delikate të fotografive në atë kohë. I mërzitur, por jo i zhgënjyer, falë karakterit të tij të fortë, durimit, etjes së moshës së vet për të asimiluar e për të kompletuar veten si profesionist i vërtetë fotografish, u end edhe për ca vite në të tjerë fotografë ku, sigurisht, përfitoi dhe i thelloi akoma aftësitë e tij. Duke e ndier veten tashmë më të plotësuar e më të sigurt, ai guxoi e shkoi përsëri tek fotografi Steckel. Këtë herë, duke vlerësuar përparimin e tij, Steckel e pranoi ta ketë bashkëpunëtor, bashkëpunim i cili zgjati për afro 10 vjet e, që, për Kristaq Sotirin ishte rafinimi i talentit, asimilimi dhe eksperimentimi i koncepteve artistike e estetike të përparuara për atë kohë në ShBA. Në SHBA, ai njihej me emrin Charles Sotir, me të cilin u natyralizua edhe si shtetas amerikan.
Profesionalizmi dhe niveli i lartë i fotove e nxitën këtë herë të ndahet me mirënjohje nga Steckel dhe të çelë studion e tij në Nju Jork më 1919. Por ajo studio dhe puna e pavarur e tij në të nuk e patën jetën e gjatë, pasi për arsye jetike familjare, ai duhej të kthehej në vendlindje. Edhe pse nuk e kish parashikuar se, këtej e tutje, do të banonte përgjithmonë në Korçë, ngjarjet rrodhën të tilla që, ai, më 1922, të hapë në qytetin e tij studion fotografike private me emrin “Sotir Studio” dhe të zhvillojë aty aktivitetin fotografik shumë të gjatë e po aq të suksesshëm deri në vitin 1963, pra kur mbushi 80 vjeç.
Opusi i krijimtarisë së tij, nga njera anë, gjumi letargjik nën trysninë e pashpirt të Kronosit mbi arkivën e pasur familiare me disa mijra pllaka xhami, celuloidësh negativë, e foto të printuara, si dhe pamundësia për ta soditur këtë balerin të fotografisë artistike të paktën me një katalog, apo album të denjë studimor, nga ana tjetër, të dëshpëron, madje pa ngushëllim kur lajmi i keq të trazon shpirtin sapo merr vesh se para disa kohësh është ndarë nga jeta edhe Gjergji, djali i këtij fotografi aristokrat, pra përfaqësuesi i një brezi tjetër që e largon artistin e shquar edhe disa dhjetra vite më tepër nga komuniteti shoqëror që, edhe pse me shumë pasion për të promovuar me dinjitet trashëgiminë e vyer të të atit, për arsye të ndryshme, s’mundi të bëjë më shumë se aq, nuk mundi ta bëjë plotësisht të njohur e ta përjetësojë plotësisht në historinë e fotografisë shqiptare edhe pse ai meriton shumë më shumë. Një brengë që s’do t’ia tretë as varri, ku ai filloi të flerë për jetë.
Veprimtaria fotografike e Kristaq Sotirit dallohet për sasinë e madhe dhe larminë e gjerë të saj , ashtu si edhe për shkallën e lartë të realizimit pamor. Në afro 14.000 pllaka xhami e negative celuloidi me dimensione e lloje të ndryshme, që i kanë rezistuar kohës, është pasqyruar një pjesë e rëndësishme e jetës historike, ekonomike, urbane, arkitekturore, natyrore, sociale, kulturore, sportive e artistike të qytetit të Korçës dhe rrethinave të saj. Ai ka shkuar në sitën e lenteve të tij tablonë e kohës të një qyteti të përparuar, siç ishte Korça, por edhe kontrasteve të tij ekonomike e shoqërore. Njerëz të elitës protagoniste korçare dhe të huajve, përfaqësuesve të shtresave të larta të “kapitalizmit feudal” shqiptar, personalitate të jetës ekonomike e intelektuale, artistë, sportistë, ushtarakë. filantropë, gra e burra të njohur për angazhimet e tyre qytetare, biznesi, ekskursionet, ballot, karnavalet, jeta mondane, madje edhe e “dritave të kuqe”, ashtu si edhe punëtorë, zanatçinj të rrugës, ciganë, arixhinj, të vobektë, të sëmurë, foto të përbashkëta familjare e shoqërore, etj. Po ashtu, natyra intriguese përbën fokus të veçantë tek peizazhet karakteristike urbane e arkitekturore të bulevardeve e rrugicave karakteristike të Korçës në të gjitha stinët, veçanërisht në dimër, të Liqenit të Pogradecit, të natyrës së Dardhës, Voskopojës, pllajave e pyjeve me pisha, mjediseve të tyre etnokulturore, me tipare e mënyrë jetese të përparuar për kohën. Mesazhi i përbashkët i tyre është ndjeshmëria, respekti, humanizmi.
Pra, regjistri i gjerë tematik e subjektet e fotove të tij të krijojnë menjëherë tiparet e një shoqërie, mjedisi dhe jete të integruar, të avancuar nga mënyra e perceptimit dhe mentalitetit të përparuar urban e social.
Aspekti tjetër paralel është mjeshtëria e profesionalizmi, si dhe niveli i pëlqyeshëm artistik i fotove të tij. Ai vjen si rezultat, së pari i mprehtësisë të syrit të tij e pastaj i punës dhe eksperiencës së gjatë e mjaft serioze për t’u kultivuar e për t’iu përgjigjur kërkesave të tij mjeshtërore e estetike, më tej të përvojës së jashtzakonshme kontemporane që ai kishte përfituar në ShBA. Të gjitha etapat e fotografimit, qysh në shtendosjen dhe krijimin e situatës parafotografike, modelimin, ndriçimin, shkrepjen, larjen, retushimin e stampimin përbëjnë një cikël të mbyllur mjeshtëror, çdo hallkë e të cilit ka patur rëndësinë dhe përgjegjësinë e saj të veçantë.
Një tipar i theksuar i punës së tij është edhe paraqitja estetike e fotove, që nënkupton se Studio Sotiri ishte “qibar” dhe “i pakursyer” në blerjen e materialeve, duke zgjedhur më të mirat e tyre. Pllakat prej xhamit (me dimensione të mëdha), filmat, letrat fotografike, kimikatet, dhe materialet e paspaltimit ishin bashkëkohore. Nuk mungonte as logoja dhe stampa origjinale e studios së tij që, jo vetëm reklamonte punën, por mbartte edhe përgjegjësinë e cilësisë dhe konkurrencës midis studiove të shumta serioze që kishte atë botë në Korçë. Për sigurimin e tyre ai ka qenë i trajnuar e bashkëpunues me firmat e famshme “Kodak”, “Lymier” dhe “Ilford”. Deri në vitin 1939 ishte i abonuar në disa prej revistave kryesore fotografike të kohës. Pajtimet me “The Camera”, “The Photographic Journal of America” dhe “The British Journal Photographic Almanac” do t’i mundësonin të ishte në kontakt zhvillimeve dhe rrymave të fotografisë. Gjithashtu ai mbante regjistër të hollësishëm me të dhëna dhe datat e fotografimit të klientëve, një mënyrë pune e dedikuar për një profesionist të vërtetë.1) (Agron Shala: Për Kristaq Sotirin: Mjeshtri I dritëhijeve nën Hilen e injorancës së pushtetit. Telegrafi.com, 2018.) Duke u ndier i vlerësuar në Korçë, ai kishte lidhje të ngushta edhe me fotografët e rajoneve të tjera dhe mori pjesë në ekspozita të përbashkëta në Tiranë (1931) dhe në Itali. Madje Sotiri, për disa kohë, ka jetuar edhe në Shkodër, ku është njohur me fotografët e famshëm të saj2) (Kristina Sotir Pecani.)
Fotografia e Kristaq Sotirit në Shqipëri (Korçë dhe rajonin Juglindor) përbën një pasqyrë të situatës ekonomike e shoqërore nga periudha e fundit e influencës së perandorisë otomane, deri pas LIIB. Krijimtaria midis këtyre dy ndërkohëve rezulton të jetë edhe më interesantja dhe më e zhveshura nga ideologjitë e politikat e kohës.
“Arti i Kristaq Sotirit pasqyron krijuesin dhe angazhimet e tij: duke shkrepur midis dy periudhave, ai mënoi të zgjedhë njërën mbi tjetrën; karakterin modern të gjetur në Shtetet e Bashkuara dhe të riprodhuar në studion e tij në Korçë; të kaluarën, të cilën e rizbuloi pas kthimit të tij. Por kjo e kaluar është iluzore (zhgënjyese) dhe moderniteti është relativ”3).(Loïc Chauvin, Christian Raby “Albania from One World to Another”)
Në njohjen dhe zhbirimet e mia ende nuk po ndesh një lidhje të krijimtarisë fotografike të Sotirit me lëvizjen artistike e patriotike të Shoqërisë së Arteve të Bukura në Korçë, me disa disa figura të rëndësishme patriotike, artistike, muzikore orkestrale që i dhanë tonin viteve ’20, si Thoma Nassi,…. bandave muzikore, sidomos Bandës Kombëtare “Vatra” dhe koncertit të parë orkestral simfonik në Shqipëri gjatë asaj kohe, apo koreve e interpretimeve të këngës lirike qytetare, serenatave, etj. Mendoj se ato duhen të jenë në arkivën e Studio Sotirit (siç është Tefta Tashko, apo Lola Aleksi), por duhet të presim akoma me durim zbulimin e herëpashershëm të thesareve të tjera.
Ndërkaq, veprimtaria fotografike e pas çlirimit të Shqipërisë, nga 1945 e deri në vdekjen e fotografit (1963) i përket më së shumti përpjekjeve për mbijetesë, problemeve të vështirësive e mospërfilljes të këtij arti artizanal, që iu nënështrua bllokimit, taksimit e tatimit, shtetëzimit e politizimit të skajshëm klasor, duke u shndrruar vetëm në një formë amatore e propagandimit pllakatesk të sistemit totalitar. “Shpesh periudha para luftës njihet si “Koha e artit“ e fotografisë shqiptare. Në kontrast, periudha e pas-luftës duket si një parantezë, një kohë e errët, ku nuk ndodhi asgjë tjetër përveç nënshtrimit të fotografisë ndaj propagandës së regjimit.”4) (Gilles de Rapper (CNRS), IDEMEC, Aix-en-Provence Jehonat e së shkuarës – Zërat e së ardhmes Konferencë ndërkombëtare, 18-19 Tetor 2013, Tiranë)
Në këtë raport me realitetin diskriminues, Sotiri ka qenë i pabindur, refraktar e stoik deri në sacrificë, por edhe një diplomat e avokat ndaj pasojave depersonalizuese. Ka qenë vetë ai dhe familja që kanë mundur ta shpëtojnë fototekën e tij ende të pazbuluar e studiuar denjësisht.
Sidoqoftë, në tërësi, Kristaq Sotiri mbetet një artist fotograf shqiptar i përparuar, modern për atë kohë e tingëllues edhe sot, me individualitet të veçantë krijues, elitar, autentik, vetvetja. Studioja e tij përbën një atelje me origjinalitet të spikatur krijues e me tipare të dallueshme estetike nga ateljetë e tjera të kohës si ato të studios Marubi në Shkodër, të Gjon Milit e Perikli Kaçaunit në SHBA, apo George Borias (Bratko) në Japoni.
Nëpërmjet fotove brenda studios, kryesisht portrete dhe foto ceremoniale familjare, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të veprimtarisë së tij, reflektohet tendenca e prosperitetit, e zhvillimit social, kulturor, intelektual, i mënyrës së përparuar të jetesës, të sjelljes, të veshjes, delikatesës, respektit ndaj emancipimit, modernitetetit, dëlirësisë e sidomos të marrëdhënies së femrës me realitetin shoqëror dhe fotografisë si një kujtim e një dëshmi reale për amibicjen e nivelin e saj moderues e liberal.
Sidoqoftë, edhe sot ka disa dilema dhe arsye shtetërore e familjare pse këtij visari artistik nuk po i krijohet një mundësi e plotë ekspozimi e studimi. Sikur të ndodhte kjo, artit fotografik shqiptar do të shtohej një thesar i paçmuar për vlerat e tij.
Në fotot brenda studios (kryesisht në portretet vetmas), karakteristike për Sotirin është përdorimi me mjeshtëri i dritës natyrale të diellit, dhe më pak i asaj artificiale Për këtë, studioja e tij në Korçë, ashtu si edhe ajo në Amerikë, kishin dritare të posaçme të dritës natyrale, madje ai u thoshte klientëve të tij të vinin në momentin që disku diellor të ishte në favor të realizimit të fotos. Prandaj, fotot e Sotirit janë të larmishme në kontekst të kombinimit të dritë-hijeve, janë bardh’e zi, sepia, të kuqëreme, jeshile, etj. Galeria e portreteve të Sotirit është e bollshme, e larmishme dhe sugjestive, ajo përbën pjesën kryesore të trashëgimisë se tij artistike.
Fotot më të realizuara të tij vlerësohen portretet e studiuara dhe të fotografuara me kontekst artistik e estetik. Kompozimi figurativ, këndvështrimi optik, qëndrimi i figurës në marrëdhënie lirike apo dramatike me dritën, elementët psikologjikë të personazhit, ku spikat studimi i vëmendshëm dhe gjetja e detajit apo elementit tipik shprehës të personazhit, reflektimi shpirtëror, faktorët artistikë e estetikë e bëjnë Kristaq Sotirin një artist të perceptueshëm estetikisht e, mbi të gjitha, një artist fotograf që vlerat e krijimtarisë së tij nuk janë momentale, rastësore, apo tranzitive. Ato janë rezistuese, të qëndrueshme ndaj periudhave të historisë së fotografisë shqiptare, vetëm nëse me to do të sillemi paskëtaj më angazhues, më dashamirës, më meritues, më të qytetëruar ndaj një pasurie të papërsëritshme, siç është ajo e këtij artisti shqiptar.
Nga ana tjetër peizazhet, natyra, arkitektura, ndërtimet paraindustriale, apo sociale, aktivitetet jetësore masive, tregjet, turmat e njerëzve priren nga gjetja e “momentit deçiziv”, këndi i vrojtimit, raportet me dritën diellore, detajet intriguese të objekteve e mjeteve të punës, si ato të peshkimit, të artizanatit, tekstilit, të “fabrikave ekzotike” të prodhimit të materialeve të konsumit, etj.
Dalja jashtë studios, udhëtimet, fotot në natyrë dëshmojnë se sa i prirur e i dëshiruar është një artist figurativ ndaj elementit dëshmues, historik e artistik, duke sfiduar e sakrifikuar kohën, por edhe duke mos kursyer gjithashtu materialet e shpenzuara me një profesion që ai, fundja, siguron jetën e vështirë familjare.
Andaj, në këtë kontekst, Kristaq Sotiri konsiderohet nga shumë studiues si një artist lirik, si Mioja në pikturë, apo si Lasgushi në poezi. Madje ai ishte edhe miku i tyre, ashtu si edhe me Odise Paskalin, në revistën “Studenti Shqiptar” (Torino) të të cilit vendoseshin në çdo numër foto të Sotirit. Pra, si ata në artet pamore, , ai është një primat në fotografinë shqiptare.
Odise Paskali i ka shkruar: “Fotografitë që më dërguan janë shumë të goditura. Mund t’ju siguroj se ne s’njohim tjetër në Shqipëri, i cili di të fshehtat e artit fotografik si ju (se fotografia juaj është vërtet art)”.
Ndërkaq, Vangjush Mio, që quhet poeti i peizazhit shqiptar, ka thënë: “Më duket se punët po më zbehen përpara artit dhe talentit tënd”.
“Sotiri ishte njeri i mendimit të thellë fotografik dhe i interesave të gjera për kohën, i një shprehjeje figurative realiste, me nerv, i një shikimi origjinal të jetës…Ai ishte i ndjeshëm ndaj portretit shpirtëror e social të njeriut që fotografonte, i ndjeshëm edhe ndaj natyrës dhe jetës së gjallë.”5) ( Piro Naçe: Arti i vërtetë Jeton Gjatë”. Revista “Ylli”, 8 Gusht 1989, f. 30-31)
“Për profesorin e fotografisë, Fahredin Spahija, Kristaq Sotiri bashkë me Kel Marubin përbëjnë ajkën e fotografisë shqiptare. Ata janë fotoportretistë të shkëlqyer, fotografitë e të cilëve mund të bëhen pjesë e çfarëdo antologjie evropiane apo botërore kushtuar portretit fotografik të fillimshekullit XX!6) (“Agron Shala: Për Kristaq Sotirin: Mjeshtri i Dritëhijeve nën Hilen e Injorancës së pushtetit. Telegrafi.com, 2018.)
□ □ □