Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme./
Nga KOSTAQ XOXE/
Detyrimisht ky shkrim duhet të nisë me një autokritikë. Ky term nuk është shpikur nga E. Hoxha se ai, edhe në standardin gjuhësor, ka rrëshqitur në varganin e njërës nga tradhtitë më të rënda kundërkombëtare, në bashkëpunimin e tij me mareshalin Tito, në dëm të Kosovës. Kështu, për shkak të shpërdorimit të pakufishëm të fjalës “autokritikë”, kjo fjalë shpesh është zëvendësuar me latinishten ‘mea culpa’, si kundërveprim ndaj vetë fjalës, sikur të ishte shpikje e E.H.-s! Ky zvetënim enverist i ndërhyrjes së diktatorit në standardin gjuhësor, i shtrëngoi shkencëtarët albanologë kosovarë të viheshin përpara një alternative tronditëse: Shqipja e njësuar mbi Kombin, apo e anasjellta? E.H-ja ishte i bindur se gjuhëtarët e Kosovës do të ngulmonin ashpërsisht në bindjet e tyre për vlerësimin e Komisisë Letrare. Ky institucion, me ndihmesën e personaliteteve të shquara të të gjitha trevave, u shqyrtua në shkallën më të lartë me drejtshkrimin e miratuar në Prishtinë, në vitin 1964. Një analizë tejet të thellë e shkencore u ka bërë përplasjeve për mendimin e përbashkët në dobi të standardizimit, gjuhëtari i vlerave madhore në këtë subjekt, Mehmet Elezi. Në veprën e tij “Gjuha shqipe në bunker?”, ai ka dhënë një ndihmesë të rrallë, duke ravijëzuar teorinë e ligjësimit të të dy standardeve. Ai shqyrton në mënyrë analitike mendimin shkencor të gjuhëtarëve të Kosovës, që u gjendën përpara mundimit për kapërcimin e pengesave në kufijtë e një heroizmi intelektual i cili, deri më sot, nuk është vënë në dukje në përmasat e njëmendta” (Bunkerizimi… f. 80). Në këtë vepër flitet “për trysnitë e pushtetit serb ndaj gjuhëtarëve kosovarë si edhe për gjuhën shqipe që nuk vlerësohej sadopak në Tiranë” (Po aty). Në faqen 81, shpërfillja ndaj albanologëve kosovarë shtjellohet më gjerësisht: “Një qëndrim i tillë i Tiranës zyrtare në fushën e gjuhës, përcillte një kumt ndjellakeq. Ky qëndrim u thoshte shqiptarëve të Kosovës: – ‘Bëni ç’të doni, ju keni udhën tuaj, ne s’duam të dimë si do të veproni ju për gjuhën”. Dhe organeve kompetente të Beogradit: ‘Kosova është çështje e brendshme juaja, merruni vetë me të.’ (…) Kosova vlerësohej gjithmonë si ‘çështje e brendshme e Jugosllavisë’(81). Por kjo çështje u bë problematike edhe nga personalitete te huaja: Akademikut britanik N. Malkolm, i kishte bërë përshtypje ndarja e shqiptarëve në dy kombe nga pikëpamja gjuhësore. Malkolmi e ndiqte udhëheqjen komuniste të Tiranës që në vitet e Luftës, kur e quante PKSH-në “më shumë se një seksion vendor të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë: – “PKSH-ja ishte pak a shumë një parti kukull e Titos. Për E. Hoxhën kishte rëndësi vetëm pushteti i tij”. Duke u sjellë, sipas fjalëve mujshare të disa rreshtave më sipër, “bëni si të doni…” etj. Enveri ishte i bindur se albanologët e përtej kufirit verior, do të ndiqnin udhën e tyre për standardizimin gjuhësor. Një shërbim nga më të patenzonët që mund t’i bëhej armiqve shekullorë të kombit tonë: Një komb me dy gjuhë të ndryshme! Por kosovarët, të gjendur ndërmjet kudhrës dhe çekanit, bënë një akt heroik, siç thotë M. Elezi: Flijuan gjuhën, për Kombin! Një komb, një gjuhë! Nuk mund t’u ofrohej serbëve një kënaqësi neveritëse: Albanologët kosovarë atdhetarë, njëzëri kumtuan se ishin dakord (më dhimbje heroike, natyrisht), me gjuhën e njësuar, e caktuar tërësisht në mënyrë arbitrare. Nuk u morën parasysh mendimet e akademikut R. Ismajlit, as shprehja e akademikut Ali Gjadrit, që kishte pas thënë, në konsultën gjuhësore të Prishtinës (1968), pa praninë e politikanëve: ‘Njw komb, një gjuhë’. Kësaj ane, fjalët e Çabejit, të Rizës, të Xhuvanit, të Cipos, e të të tjerëve si ata, nuk ishin marrë parasysh nga Kostallarët e Shuteriqët. Selman Riza u katandis si ciceron në Berat dhe, së fundi, duhej të merrte leje për të konsultuar libra të profesionit të tij në gjuhët e huaja! E tani kemi këtë gjuhë të miratuar edhe nga kosovarët, për hir të shmangies së standardit të Shqipërisë së tradhtuar, “një komb, dy gjuhë të ndryshme!”. Gjë që nxjerr në pah më së miri fizionominë politike të E. Hoxhës, në vasalitetin e tij për interesa vetjake, me shokun Tito, të cilit arriti t’i ofronte edhe skeptrin e të parit të vendit tonë, duke pranuar vendin e dytë, pas tij, për të arritur, – më tej, – të behej i plotfuqishëm! (A mund t’i ngrihet sërish shtatorja një njeriu të tillë, pas përmbysjes që i bëri uragani popullor, në shkurtin e 1991-shit?)
***
Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme. Për hir të së vërtetës, duhet të shënojmë, edhe në këtë rast, vlerat e jashtëzakonshme të gjuhëtarit tonë të përkushtuar, tek i cili nuk gjen në përdorim, – në veprat e tij letrare në poezi, në veprat me tregime, në romane, në publicistikë dhe në sprova, – fjalë të huaja të zëvendësueshme. Kuptohet se e kemi fjalën për M. Elezin, autorin e një fjalori të vëllimshëm, me fjalë të burimit shqip. Janë më shumë se 50.000 fjalë në këtë fjalor të madh, me tregues të qëmtimeve nga leksikografë të shquar dhe nga krahina që i kanë ruajtur fjalët shqipe, me referencat përkatëse. I kërkoj të falur këtij korifeu të gjuhës së pastër kombëtare për fjalën- bombë ‘tromokraci’. Natyrisht që është me origjinë të greqishtes së lashtë, që rrallë gjendet në fjalorë. Është një shndërrim i fjalës fillestare ‘tormokraci’ që ka kuptimin e sundimit përmes një gjendjeje ankthi, pasigurie, frike dhe paniku që shkakton kjo gjendje. Pikërisht ky ankth ishte krijuar tek gjuhëtarët tanë më me prestigj, në kohën kur duhet t’i thoshin derrit dajë. Ndaj një pjese të tyre u morën masa tepër të rënda.
Historia përsëritet; por përfundimisht triumfon e vërteta. E njëjta gjendje po kërkohet të mbretërojë në vendin tonë, kur një njeri – i dehur në narcisizmin e vet, – e ndjen veten ne kulmin e lavdisë, kur i duket vetja si në majë të Olimpit, me sekretet vetjake në çështje nga më të rëndësishmet, të cilat kanë krijuar një kundërveprim të gjithanshëm, kur njerëzit mbushën rrugët në protestë, në rastin kur askush nuk dinte se ç’gjellë kishte gatuar E. Rama, për zbërthimin e armëve kimike të Asadit në vendin tonë. Demonstrata u bë e rrezikshme, se askush nuk dinte të përligjte shefin e fshehtësive, se ky na e paska zët të konsultohet me kolegët e vet, në parlament e në qeveri. Pastaj nuk mbetej vetëm se fjalët e pabesueshme për të zbukuruar të shëmtuarën. Së dyti, demonstrata e 20 shkurtit ishte e papritur për suksesin e saj të plotë në pjesëmarrje, pavarësisht nga masat për ta bllokuar këtë manifestim paqësor me prurjet nga Korça nga Kavaja, nga Shkodra dhe nga vende të tjera vetëm me vetura vetjake. U mposht frika. Dhe, së treti, po i tremben së premtes, kur 20.000 taksistë u dashkan të udhëtojnë një rrugë plot e tjetra bosh, që shoferët e furgonëve të falimentojnë dhe papunësia të shtohet. Dhe të 300.000 vendet e punës, të premtuara po qartësohen përherë e më tepër, se ata që na ngopën me erë trëndafili do të katandisen si spitalet pa pare dhe si ilaçet xhaba!
Ja pse përdorëm një fjalë të huaj, të rëndë, madje, që përfaqëson më së miri, gjendjet e pasigurisë që krijoi ky shtet i mashtrimit. Besueshmëria po afron kufij të frikshëm, për gllabëruesit e votave në mënyrat që po bëhen muhabeti i ditës… Po shkojnë në gjurmët e Enverit!(Marrë nga Gazeta 55. Titulli i rdeaksisë)