FJALA E STUDIUESIT: KRITIKA MUZIKORE SHQIPTARE GJATE GJYSMES SE DYTE TE SHEKULLIT XX: DUKURI TE RENDESISHME ARTISTIKE DHE JASHTE-ARTISTIKE/
Nga Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI/ Universiteti Winthrop/ Rock Hill, South Carolina- U.S.A./
Çështja: Parashtrimi i saj/
Të shkruash për jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), është një detyrë gjithmonë bukur e vështirë: nga njëra anë, duhet përballuar nënvleftësimi me dashje që u është bërë jo rrallë herë arritjeve të saj sidomos prej kompozitorësh të veçantë, dhe, nga ana tjetër, duhen pranuar hapur gjendja, mangësitë, problemet, etj., për të përcaktuar më mirë edhe rrugët e mbarëvajtjes së saj.Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, deri më sot, në Shqipëri, ndërsa studimet në fushën e muzikës tradicionale kanë qenë në përgjithësi më sistematike dhe më dobiprurëse, studimet në lëmin e muzikës profesioniste kanë qenë disi të rastit dhe s’kanë pasur ngaherë të njëjtën frytshmëri. Një dukuri e tillë ka ardhur ngaqë të parat (studimet në fushën e muzikës tradicionale) kanë qenë të institucionalizuara, kurse të dytat (studimet në fushën e muzikës profesioniste) kanë qenë të painstitucionalizuara.Mjafton të kujtojmë, midis të tjerash, se, qysh prej viteve 1980-të, ka ekzistuar një organ i specializuar, siç është revista Kultura popullore, organ i Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), ku, veç të tjerash, janë botuar rregullisht artikuj, kumtesa, studime e punime të posaçme për aspekte të ndryshme të muzikës tradicionale. Duke filluar prej viteve 1980-të, një organ tjetër i specializuar, ku janë botuar studime për muzikën tradicionale, ka qenë përmbledhësi Çështje të folklorit shqiptar, po ashtu, organ i Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit).
Sidoqoftë, kritika muzikore, historia e muzikës dhe në përgjithësi studimet në fushën e muzikës profesioniste shqiptare, s’kanë qëndruar në vend. Duke marrë shkas prej vetë krijimtarisë muzikore profesioniste, ato janë përpjekur që të trajtojnë dukuri, çështje, aspekte të ndryshëm, që e kanë shqetësuar atë (krijimtarinë muzikore profesioniste) kohë pas kohe. Për këtë qëllim, si organe shtypi, kanë shërbyer kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori: organe qendrorë letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Mirëpo fakti është se, midis krijimtarisë muzikore profesioniste, nga njëra anë, dhe kritikës e mendimit teorik për të në tërësi, nga ana tjetër, ekziston një prapambetje disa herë e ndjeshme.
Duke e vështruar çështjen në gjerësinë dhe thellësinë e saj, mendoj se, prapambetja relative e kritikës muzikore shqiptare, është rrjedhojë, si e faktorëve të brendshëm, subjektivë, ashtu edhe e një radhë faktorësh të jashtëm, objektivë.Kështu, gjendja nuk mund të përmirësohet thjesht duke mohuar ose duke nënçmuar kritikën muzikore dhe përfaqësuesit e paktë të saj, ashtu sikurse është vepruar derimë sot nga kompozitorë të veçantë. Do të ishte më mirë sikur, në vend të nënvleftësimit të hapur e të qëllimshëm, të merreshin masa konkrete, të cilat do t’a nxisnin kritikën muzikore dhe do të krijonin objektivisht kushte që ajo të mund të jepte siç duhej ndihmesën e saj.
Çështjet që shtrohen për diskutim e studim përpara kritikës muzikore shqiptare janë të shumta e të natyrave të ndryshme: të thjeshta e të ndërlikuara, specifike e të përgjithshme, artistike e jashtë-artistike, profesionale e jashtë-profesionale. Midis tyre, disa çështje të rëndësishme estetiko-sociale, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:
Sa figura me të vërtetë të shquara muzikore, të djeshme e të sotme, meritojnë që të zbërthehen nga shumë pikëpamje?
Për sa vepra të arrira muzikore është shkruar pak ose s’është shkruar ende asgjë?
Cilat do të ishin prirjet themelore të artit muzikor profesionist shqiptar në kohën tonë?
Do të heshtet vallë gjithmonë për mangësi të ndjeshme të tij, ashtu si gjer më sot?
Cila është përmbajtja themelore e karakterit nacional të muzikës profesioniste shqiptare në kohën tonë?
Ku qëndron politizimi disa herë i ndjeshëm që pësoi muzika profesioniste shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX?
Po marrdhëniet e saj me muzikën profesioniste të vendeve të tjera si shfaqen?
Në ç’mënyrë do të plotësohen nevojat e ngutshme të shkollave të mesme artistike dhe të vetë Fakultetit të Muzikës për pedagogë të lëndëve teorike?Cilët mund të ndërmarrin hartime tekstesh muzikore të lëndëve të tilla?
Lejomëni të shqyrtoj disa dukuri të rëndësishme, artistike dhe jashtë-artistike, që karakterizuan jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, sidomos paragjykime, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, ndikuan mbi ecurinë e saj.
Dukuria e parë: Parimi leninist “Politika në plan të parë:”Pasoja dramatike të veprimit të tij
Kuptimi teorik i parimit leninist“Politika në plan të parë”
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), mendimi kritik muzikor shqiptar u dëmtua rëndë sidomos për shkak të veprimit të fortë të parimit leninistPolitika në plan të parë. Sipas këtij parimi, s’kishte rëndësi se cili ishte niveli i mësimdhënies në shkollat e larta: më e rëndësishme ishte vazhdimësia e teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste në çdo fushë të jetës! S’kishte rëndësi se tektstet mësimore kishin ngarkesë profesionale të ulët: më e rëndësishme ishte të ecej në rrugën marksiste-leniniste! S’kishte rëndësi se lidhjet me mendimin teoriko-shkencor të vendeve të tjerë vinin duke u venitur: më e rëndësishme ishte të forcohej ideologjia marksiste-leniniste! S’kishte rëndësi se intelektualë të talentuar të fushave të ndryshme të jetës shoqërore, pra, edhe të artit, ndëshkoheshin, internoheshin ose burgoseshin: më e rëndësishme ishte që mendimi e veprimi marksist-leninist të ishin vazhdimisht të mprehtë!
Persekutim sistematik i muzicienëve shqiptarë
Pikërisht për shkak të veprimit të parimit leninist Politika në plan të parë, është fakt se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në fushën e artit profesionist shqiptar në përgjithësi dhe të artit muzikor profesionist shqiptar në veçanti, u ushtrua një persekutim sistematik. Duke i dhënë
alfabetikisht, disa këngëtarë, kompozitorë, dirigjentë, që u persekutuan, ishin:
Aliaj, Justina: Këngëtare e shquar shqiptare e muzikës së lehtë
Kaçaj, Llukë: Këngëtar legjendar operistik shqiptar
Lalo, Aleksandër: Kompozitor i njohur shqiptar
Merdani, Sherif: Këngëtar i shquar shqiptar i muzikës së lehtë
Radi, Françesk: Këngëtar dhe kompozitor i njohur shqiptar
Vako, Milto: Dirigjent i shquar shqiptar, etj.
Ndërkohë, në fushën e kritikës muzikore, duke i dhënë alfabetikisht, disa kritikë e studiues, që u persekutuan, ishin:Çefa, Aleksandër: Kritik muzikor dhe profesor i mirënjohur shqiptar i muzikës. Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies: Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! E emërojnë si mësues muzike në Shkollën e Mesme Artistike Onufri të qytetit të Elbasanit!
Kalemi, Spiro Ll.: Kritiku muzikor më i njohur shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX. Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies: Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! E emërojnë si mësues muzike në Shkollën 8-vjeçare “Jeronim De Rada” të qytetit të Tiranës!
Shetuni, Spiro J.: Studiues etnomuzikolog shqiptar.
Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies: Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! E emërojnë si punonjës kulture në fshatin Sinanaj të zonës së thellë të Lopësit të rrethit të Tepelenës!Theodhosi, Spiro: Profesor dhe studiues shqiptar i muzikës. Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies: Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! E emërojnë si muzicien pranë Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Rrëshenit, etj.
Gjendje e mjeruar e teksteve muzikore mësimore
Veprimi i parimit leninistPolitika në plan të parë solli si rrjedhojë, gjithashtu, mungesën e plotë, për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, të teksteve teorikë mësimorë për Fakultetin e Muzikës të Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Çështja se me çfarë tekstesh mësimorë do të jepej mësim ka qenë një çështje vazhdimisht e mprehtë. Konkretisht, deri bukur në vitin 1975, nuk ekzistonin tekste mësimorë në shqip të lëndëve të tilla teorike themelore formuese, si: Solfezh, Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion, etj. Duke qenë se mungonin tekstet, herë-herë, pedagogët u jepnin studentëve dorëshkrime, të cilët sidoqoftë ishin të pjesshëm, përsa i takon përmbajtjes së lëndës! (Ata kalonin si traktate të fshehtë komunistë dorë më dorë nga njëri student tek tjetri!) Në raste të tjerë, pedagogët nuk jepnin asnjë lloj materiali të shkruar! Pastaj, ndonjë pedagog ose pedagoge s’ngurronte që t’u thoshte studentëve: “Mos u shqetësoni shumë për leksionet: Ata do t’i merrni në fund të vitit, përpara se të jepni provimin vjetor!” (“O tempora! O mores!”) Kuptohet se sa shumë i ka kushtuar kulturës së vendit një përvojë e tillë! Studentët e përkushtuar të çdo lëmi të diturisë dëshirojnë që të flenë të rrethuar me tekste mësimorë!Formimi i përgjithshëm teorik e profesional i kompozitorëve, studiuesve, pedagogëve e muzicienëve të ardhshëm u detyrohet shumë teksteve mësimorë.
Trupi zyrtar përgjegjës për gjendjen e mjeruar të teksteve muzikorë mësimorë: Organizata e Partisë Komuniste
Përgjegjësia historike për gjendjen e mjeruar të teksteve muzikorë mësimorë në Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve) bie mbi Organizatën e Partisë Komuniste të këtij institucioni: ajo vendoste se çfarë duhej bërë dhe se çfarë nuk duhej bërë; ajo vendoste për tekstet që duheshin hartuar dhe për tekstet që nuk duheshin hartuar; ajo vendoste për emërimin ose largimin e pedagogëve të caktuar; ajo vendoste për ecurinë e procesit mësimoro-edukativ në tërësi, etj. Në këtë qerthull, një rol kryesor luante pa dyshim Sekretari i Partisë Komuniste të Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për njërin prej tyre: Sekretari i Partisë Komuniste—F. L.–qëndroi në këtë detyrë për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë. Sipas dëshmive të disa pedagogëve, ka shumë mundësi që Ai të kishte mbaruar me korrespondencë të ashtu-quajturën Shkolla e Lartë e Partisë “Vladimir Iliç Lenin.”Prandaj, më parë, kishte punuar si Instruktor në një Rajon të Komitetit të Partisë për qytetin e Tiranës. Por, shih se çfarë ndodhi: Një mëngjez të bukur, Ai vjen si pedagog i lëndës së ashtuquajtur Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë: një tekst mësimor universitar, sa dramatikisht i politizuar, aq edhe dramatikisht i njëanshëm! Ndërkohë, shpejt e shpejt, brenda natës, n’a bëhet edhe Sekretar i Partisë Komuniste të Institutit, pa dyshim “me porosi nga lart.” E keqja më e madhe ishte se, përgatitja e tij shkencoro-profesionale, shfaqej me të vërtetë e mjerë: S’kishte mundur që të botonte dhe as synonte që të shkruante ndonjë artikull shkencor në jetën e tij! S’kishte mundur që të mbronte dhe as synonte që të fitonte ndonjë gradë shkencore pas-univeristare në jetën e tij! S’kishte mundur që të mësonte dhe as synonte që të njihte ndonjë gjuhë të huaj në jetën e tij! Pastaj, nëse gjykoj duke u nisur nga shkrimi i tij i dorës, Ai ishte pa dyshim një gjysmë-analfabet! Merre me mend se çfarë drejtimi mund t’i jepte procesit të ndërlikuar mësimoro-edukativ një njeri me përgatitje aq të varfër shkencoro-profesionale! Mirëpo Ai kishte aftësi jashtë-shkencore të veçanta: dinte të mbante gjithmonë “të pastër si kristali” vijën e Partisë Komuniste; dinte të zbatonte “me zjarr e me hekur” luftën e klasave; dinte të shpartallonte kundërshtarët e tij politikë; dinte të servilosej në shkallë të lartë ndaj eprorëve, etj., etj. Prandaj e ruajti këtë detyrë për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë! As më shumë e as më pak, Sekretari i Partisë Komuniste ishte bartës tipik i ideologjisë marksiste-leniniste, shërbëtor i përkushtuar i sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste, besnik i një shkalle aq të lartë ndaj këtij sistemi, saqë, në emër të tij, mund të mohonte ose pranonte gjithçka, të vërteta ose të pa-vërteta!
Dukuria e dytë: Arrogancë, arrogancë, arrogancë: Arrogancë krijuese, shkencore, akademike
Një sëmundje serioze që preku tërë mendimin teorik artistik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, pra, edhe kritikën muzikore, është ajo që unë do t’a quaja arrogancë krijuese, shkencore, akademike. Në rrethana të ndryshme, ajo merrte pamje të ndryshme.Vetëm se asnjëherë nuk mungonte që të ishte e pranishme. Më lejoni që të jap shembullin e parë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike: Kompozitorë të veçantë kujtonin për veten e tyre pak a shumë si vijon: se ishin personalitete krijuese ndërkombëtare; se qenë figura artistike krijuese që qëndronin aty afër Beithoven-it e Brahms-it, Ravel-it e Debysy-së, Çajkovski-t e Stravinski-t, Bartok-ut e Shenberg-ut, nëqoftëse s’ua kalonin atyre; se ishin të nën-çmuar ose të pavlerësuar siç duhet nga kritika muzikore ose bashkëkohësit, për arsye të ndryshme, më tepër jashtë-profesionale; se do të mund të vlerësoheshin vetëm nga brezat e ardhshëm të shoqërisë, etj., etj. Kompozitorëve të tillë, zakonisht, nuk u pëlqente asgjë që krijohesh për-rreth, përveç krijimeve të tyre! Ata kujtonin se, ndërsa veprat e tyre ishin më shpesh madhështore, veprat e kompozitorëve të tjerë, që të gjitha, vuanin nga ndonjë mangësi e rëndësishme! Sigurisht, disa vepra, sidoqoftë, nuk mund t’i nën-çmonin aq tepër! Por, mendonin se, në tërësi, ato, që të gjitha, linin për të dëshiruar! Sipas një logjike të tillë, vepra të vërteta ishin vetëm veprat e tyre! (“O tempora! O mores!”)
Më lejoni që të japshembullin e dytë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike: Sapo kishte dalë teksti universitar i lëndës Materializmi dialektik dhe historik. Një student i Fakultetit të Muzikës u entusiazmua aq shumë që kishte parë këtë tekst në Librarinë e Librit Universitar. Duke dashur të mësojë rreth vlerave shkencore të Librit, ai pyet në klasë: “Profesor! Çfarë mendoni ju për ngarkesën profesionale të librit Materializmi dialektik dhe historik, që sapo doli nga shtypi?”Thuajse pa u menduar, pedagogu i kësaj lënde përgjigjet shkurt e prerë: “Ky tekst është i mirë vetëm për amatorë!” S’është vështirë të kuptosh arrogancën akademike të këtij mësimdhënësi: Teksti që sapo kishte dalë qënkesh i vlefshëm vetëm për amatorë, kurse Ai, vetëm Ai, ishte një mësues që ushqehej me tekste profesionistë! Në këtë qerthull, fare lehtë mund të shtrohet pyetja: Ku i gjente vallë ky mësimdhënës arrogant—i cili s’kishte mundur që të botonte dhe as synonte që të shkruante ndonjë artikull shkencor në jetën e tij; i cili s’kishte mundur që të mbronte dhe as synonte që të fitonte ndonjë gradë shkencore pas-univeristare në jetën e tij; i cili s’kishte mundur që të mësonte dhe as synonte që të njihte ndonjë gjuhë të huaj në jetën e tij–ato që fliste para studentëve në lëndën e Materializmit Dialektik dhe Historik? Dihet se ku: në ndonjë tekst tjetër mësimor më të vjetër, por, sidoqoftë, “… i mirë vetëm për amatorë!” (“O tempora! O mores!”)
Më lejoni që të japshembullin e tretë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike: Në tempullin kryesor muzikor—Fakultetin e Muzikës të Insitutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)–, do të organizohej një diskutim krijues për disa vepra muzikore bashkëkohore. Të gjithë studentët-diskutantë ishin të emocionuar, mbasi do të shprehnin mendimet e tyre kritike përpara një audience profesioniste. Ndërkohë, qëndrimi i disa pedagogëve ishte vërtet i çuditshëm: pamja e tyre, herë-herë, të jepte përshtypjen sikur ata s’ishin shumë të interesuar të dëgjonin se çfarë mendime do të silleshin; herë-herë, sikur ishin të interesuar, vetëm se hiqeshin të qetë, mbasi ata dinin shumë më tepër sesa diskutantët e rinj entusiaztë, etj. Sado i pa-orthodokstë që të duket një veprim i tillë, e vërteta është se, shumica e pedagogëve, thjesht, ia la tërë barrën e diskutimeve studentëve! Edhe sikur mendimet e mësipërme të duken disi të tepruara, në asnjë rrethanë, nuk mund të mohohet se, në këtë rast, e ashtuquajtura arrogancë krijuese, shkencore, akademike shfaqej hapur në faktin se pedagogët nuk ishin aspak të përgatitur për të marrë pjesë në një diskutim të tillë krijues! Kurse studentët, po, ata duhej patjetër që të ishin të përgatitur! Fakti që pedagogët kishin ardhur plotësisht të papërgatitur për të marrë pjesë në diskutim vjen si një çështje e ndërlikuar, komplekse, shumë-dimensionale, sa shkencoro-profesionale, aq edhe etiko-morale! (“O tempora! O mores!”).
Më lejoni që të japshembullin e katërt të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike: Në tempullin kryesor muzikor—Fakultetin e Muzikës të Insitutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)–, këtë radhë, do të organizohej një diskutim krijues për librin e Theofan S. Nolit (1882-1965), Beithoveni dhe revolucioni francez (Noli 1947). Në Shqipërinë dramatikisht të izoluar të gjysmës së dytë të shekullit XX, kishte mbritur vetëm një kopje e këtij libri, ndoshta përmes studiuesve shqiptarë aq atdhetarë të Kosovës.Kuptohet se, kurreshtja e studentëve dhe pedagogëve shqiptarë të fushës së muzikës, për t’u njohur me një libër të tillë, ishte vërtet e madhe. Prandaj ata u përpoqën që t’a lexojnë atë brenda një kohe tepër të shkurtër. Mirëpo, në diskutimin krijues për këtë libër ndodhi njësoj sikurse në diskutimin e mëparëshëm: barrën kryesore e mbajtën vetëm studentët. Ndërkohë, të krijohej përshtypja se, disa pedagogë, as që e kishin lexuar fare librin! Sytë e tyre ishin plotësisht pa asnjë lloj shprehjeje: Bosh! Bosh! Bosh! Ndoshta për këtë arsye ata, gjithashtu, silleshin në një mënyrë të pashpjegueshme: Të çuditshme! Të çuditshme! Të çuditshme! Edhe kësaj radhe, arroganca krijuese, shkencore, akademike u shfaq në mënyrë aq të plotë! (“O tempora! O mores!”)
Pasi diskutimi krijues për librin e Theofan S. Nolit, Beithoveni dhe revolucioni francez, kishte mbaruar plotësisht, tërë ndrojtje e frikë, një student tha me zë të ulët:“Noli ishte me fat që e botoi librin e tij muzikologjik në një shtëpi botuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikur t’ia kishte paraqituar këtë studim ndonjë shtëpie botuese të Shqipërisë, p.sh., Shtëpisë Botuese “8 Nëntori,” rrezik se libri nuk do të gjente dritën e botimit! Arsyeja e parë: Punimi nuk udhëhiqet nga mësimet e Partisë e të shokut Enver në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës! Arsyeja e dytë: Punimi s’përmban analiza konkrete muzikore!”
Mendimi i studentit, në të vërtetë, tregonte një dukuri tipike të rretheve shkencoro-artistike shqiptare të kohës: arroganca krijuese, shkencore, akademike mund të merrte në qafë edhe studiues të kalibrit ndërkombëtar! Sigurisht, këtë herë, duke u fshehur pas parimit leninist “Politika në plan të parë!”
Dukuria e tretë: Nënvlerësim dhe mbivlerësim: Nënvlerësim i studiuesve shqiptarë dhe mbivlerësim i studiuesve ndërkombëtarë
Nuk e teproj nëse pranoj që, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ndaj përfaqësuesve të paktë të kritikës muzikore shqiptare, herë-herë, është mbajtur një qëndrim sidoqoftë moralisht i palejueshëm. Në mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila ishte e vetmja organizatë artistiko-shoqërore që Partia Komuniste e Shqipërisë lejoi që të ekzistonte gjatë kësaj periudhe historike, ka ndodhur, p.sh., që të përmenden si studiues emra kompozitorësh, të cilët në të vërtetë bënin vetëm informacione ose shumë-shumë ndonjë artikull pa pretendime profesionale! Ndërkohë, studiuesit e mirëfilltë, çuditërisht, janë injoruar me qëllim!
Shihni sesa “nxiteshin” praktikisht kritikët dhe studiuesit e muzikës: ndërsa një kompozitori të ri mund t’i jepej lehtësisht piano në shtëpi nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, disa kritikë e studiues plotësisht të afirmuar asnjëherë nuk mundën të sigurojnë një mjet të tillë pune përmes kësaj organizate! Në një rast të tillë, komentet duken të panevojshme.Me keqardhje pranoj se, ndërsa ndaj kritikëve muzikorë e studiuesve shqiptarë në tërësi, ka ekzistuar një atmosferë e përgjithshme mosbesuese, nënçmuese, shpërfillëse, ndaj studiuesve ndërkombëtarë, ka ekzistuar një frymë mbivlerësimi, përuljeje, servilizmi! Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për një rast: Shkrimtari i njohur—F. A.–dëshironte të shkruante për marrdhëniet midis tekstit e muzikës në këngën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare. Tepër i interesuar, siç ishte, me fletore shënimesh në duar, Ai takon edhe autorin e këtij studimi.(Biseda u zhvillua në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.)Mund të dëshmoj se, gjatë bisedës që pata me shkrimtarin e nderuar, Ai bëri mjaft pyetje dhe mbajti shënime të imta për objektin e studimit të tij.Pas disa ditësh, artikulli i shkrimtarit tonë të nderuar ishte botuar në gazetën Drita, organ qendor i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.Shkrimtari ynë i nderuar, për t’i dhënë më shumë autoritet e bindshmëri shkencore artikullit të vet, jepte edhe mjaft citime veprash në fund të artikullit.Mirëpo nuk mund të mos vë në dukje se, të gjithë autorët e cituar, ishin ndërkombëtarë dhe vetëm ndërkombëtarë. Po ashtu, më lejoni të vë në dukje se, emrat e tyre, ndonëse citoheshin në artikullin e shkrimtarit tonë të nderuar, nuk ishin, as aq të mirënjohur, as aq të përshtatshëm, për t’u cituar, sidomos për objektin e këtij artikulli!
Nga sa parashtrova, s’është aspak e vështirë që të kuptohet qëllimi i vërtetë i shhkrimtarit tonë të nderuar: Duke cituar studiues ndërkombëtarë, pra, duke mos-cituar studiues shqiptarë, Ai synonte që të fitonte më tepër, pra, që të dukej “më i rëndësishëm e më madhështor,” në sytë e lexuesve. Sipas logjikës së tij të sëmurë, studiuesit shqiptarë nuk ishin profesionalisht të denjë që të përmendeshin.S’prish punë se ishin, në radhë të parë, pikërisht ata—studiuesit shqiptarë—që kishin shkruar, midis të tjerash, edhe për një çështje të tillë. Kur një intelektual mendon në këtë mënyrë, ai s’bëhet shembull pozitiv për intelektualë të tjerë të fushës së artit! Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq që, mosbesimi, nënçmimi, shpërfillja ndaj studiuesve shqiptarë, sikur ishte bërë modë e të menduarit të rretheve shkencoro-artikstike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX!
Në të njëjtën rrugë, brenda vendit, ndërsa kritikët muzikorë shqiptarë s’janë vlerësuar siç duhet, studiuesit ndërkombëtarë të muzikës (si edhe të fushave të tjera të artit e të shkencës), që patën rastin të vizitojnë Shqipërinë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u pritën me nderime të mëdha, herë-herë të panevojshme. Në asnjë mënyrë nuk mendoj se duhet që të jemi indiferentë ndaj personaliteteve ndërkombëtarë që vijnë në Shqipëri.Por t’u kushtosh vëmendje të veçantë edhe atyre, që, në të vërtetë, s’janë figura të njohura në vendet e tyre, mendoj se në asnjë mënyrë nuk i ngre vlerat etiko-morale të shoqërisë.
Dukuria e katërt: Pranim dhe censurim: Pranim i ideve konformiste dhe censurim i ideve të guximshme
Siç është vërejtur, në historinë gati gjysmë-shekullore të kritikës muzikore shqiptare (1944-1991), si organe shtypi, shërbyen kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori: organe qendrorë letraro-artistikë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe historike. Organe të tillë letraro-artistikë, historikisht, asnjëherë nuk patën si redaktor për muzikën një kritik muzikor, megjithse njerëz me përgatitje të posaçme muzikore nuk mungonin.Në ‘ta, zakonisht, muzikën e mbulonin njerëz që vinin nga fusha e letërsisë ose e gjuhëve të huaja!Vetëkuptohet se, mungesa e një redaktori muzikor, vetëm se e shtynte mendimin muzikor kritik shqiptar në plan të fundit.Pa dashur në asnjë mënyrë që t’a jap kohën që jam duke shqyrtuar si një dukuri thjesht bardhë e zi, redaktorët që mbulonin muzikën në gazetën Drita dhe revistën Nëntori mund të ndahen pak a shumë në dy grupe, klasa, ose kategori kryesore: a) redaktorë, sa mediokër nga pikëpamja profesionale, aq edhe jo-dashamirës nga pikëpamja morale; b) redaktorë, sa të aftë nga pikëpamja profesionale, aq edhe dashamirës nga pikëpamja morale. Të dy grupet i bashkonte dukuria sipas së cilës ata nuk e njihnin fushën e muzikës. Mirëpo, ndërkohë, ata dalloheshin njëri nga tjetri në aspekte të rëndësishëm, si vijon:
Redaktorët e grupit të parë, zakonisht, nuk gëzonin ndonjë emër, as si krijues, as si studiues: ata ishin thjesht punonjës të një gazete ose reviste letraro-artistike. Redaktorët e këtij grupi, gjithashtu, e konsideronin veten e tyre si mbikqyrës të rreptë të bashkë-punëtorëve. Synimi kryesor i tyre ishte vetëm një: Të bënin ç’është e mundur që, një kritik ose studiues i ri muzikor, të mos afirmohej në rrethet shkencoro-artistikë ose publikun e gjerë. Ata sikur i karakterizonte një lloj përtese, e cila shoqërohej me një sjellje arrogante.
Sakaq, redaktorët e grupit të dytë, zakonisht, gëzonin emër të mirë, ose si krijues ose studiues, në fushat e tyre përkatëse: ata nuk ishin thjesht punonjës të një gazete ose reviste letraro-artistike. Redaktorët e këtij grupi, gjithashtu, e konsideronin veten e tyre si miq të sinqertë të bashkë-punëtorëve. Synimi kryesor i tyre ishte vetëm një: Të bënin ç’është e mundur që, një kritik ose studiues i ri muzikor, të afirmohej në rrethet shkencoro-artistikë ose publikun e gjerë. Ata sikur i karakterizonte një lloj energjie, e cila shoqërohej me një sjellje modeste.
Disa aspekte kryesorë negativë të veprimtarisë së redaktorëve muzikorë që i përkasin grupit të parë ndoshta do të formuloheshin si vijon:ata i vononin pa masë artikujt kritikë muzikorë, ose nuk i botonin fare;ata i shkurtonin artikujt kritikë muzikorë vend e pa vend, për të bërë ç’është e mundur që të mos zinin plot një faqe gazete, ose të zinin sa më pak vend;herë-herë, ata qëllimisht i jepnin artikujt kritikë muzikorë në disa faqe, pra, në një mënyrë të coptuar;më shpesh, ata i redaktonin artikujt kritikë muzikorë në mënyrë të dobët, duke ua humbur atyre vlerat dhe bukurinë, etj.
Duket si e tepërt që të shpjegohet se, aspektet kryesorë të veprimtarisë së redaktorëve muzikorë, që i përkasin grupit të dytë, ishin diametralisht të kundërt me ata të redaktorëve muzikorë që i takojnë grupit të parë: vetëm positive. Ndërkohë, artikujt kritikë muzikorë, që botoheshin në gazetën Drita dhe revistën Nëntori, sikurse edhe ata të fushave të tjera të artit, vazhdimisht censuroheshin.Në tërësi, përmbajtja e tyre duhet patjetër që të pasqyronte mendimet dhe dëshirat e krye-redaktorëve ose krerëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në këtë rast, të Sekretarit për Muzikën.Po ashtu, nëse nuk përkonin me linjat e përgjithshme të ideologjisë marksiste-leniniste, artikujt nuk botoheshin dhe autorët e tyre mund t’a paguanin shtrenjtë.Krye-redaktorët e organeve qendrore letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë—gazetës Drita dhe revistës Nëntori—ishin, në rastet më të mira, përfaqësues me autoritet krijues ose shkencor.Por, herë-herë, ata nuk gëzonin ndonjë emër të veçantë. Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për njërin prej tyre: Krye-redaktori i gazetës Drita—D. M.–erdhi nga gazeta Zëri i popullit, organ qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Hollë-hollë, ky farë krye-redaktori plotësonte tërë parametrat për t’u cilësuar si një Oficer i Shërbimit Sekret të Shtetit Komunist Shqiptar. Ndonëse në pamje të parë dukej si miqësor, Ai ishte vazhdimisht në kërkim për të ditur në mënyrë të përpiktë biografinë e çdo bashkëpuntori të gazetës.Më parë sesa të botonte një artikull të ndonjë bashkëpuntori, Ai kërkonte të dinte me saktësi biografinë e tij. Në mjaft raste, duke u mbështetur në punën e tij sekrete, Ai arrinte në përfundimin se, autorë të ndryshëm, nuk duhet që të botonin! Ndërkohë, vetë krye-redaktori, profesionalisht, nuk gëzonte ndonjë emër të veçantë në qarqet shkencoro-artistike.Po ashtu, Ai s’përfaqësonte veçse një figurë të ulët morale.Pasi u gjend i përzierë në disa skandalë, krye-redaktori i pa-famshëm filloi punë si redaktor në gazetën Zëri i popullit, pikërisht aty ku kishte punuar më parë.Eshtë e qartë se, Partia Komuniste e Shqipërisë, i mbronte njerëz të tillë, duke qenë se ata vepronin sipas direktivave të saj me një zell vërtet të shquar! Fakti që ata nuk gëzonin asnjë lloj dinjiteti, profesional e moral, nuk e shqetësonte shumë atë. Në këtë qerthull, kuptohet fare lehtë se dajaku i luftës së klasave që zhvillonte krye-redaktori binte vetëm mbi bashkëpuntorët e gazetës “Drita!”
Dukuria e pestë: Marrdhëniet midis kompozitorëve dhe kritikëve muzikorë: Mëria shekullore
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, s’mungonin as dukuri të shëmtuara të një natyre të veçantë, të cilat shfaqeshin në marrdhëniet midis kompozitorëve dhe kritikëve muzikorë shqiptarë. Midis dukurive të tilla, më lejoni të nxjerr në pah atë që unë do t’a quaja “mëri shekullore” të një kompozitori ndaj një kritiku muzikor. Autori i një artikulli mund të fitonte lehtësisht mërinë shekullore të kompozitorit në rastet kur: emri i një kompozitori nuk përmendej; emri i një kompozitori nuk merrej si shembull pozitiv;ndaj një vepre të një kompozitori shprehej ndonjë mendim që atij s’i pëlqente, etj., etj.Mjerisht, dukuria e mërisë shekullore ndaj kritikëve muzikorë nuk shfaqej rrallë! Eshtë e kuptueshme sesa shumë e rëndonte atmosferën shoqërore midis krijuesve e studiuesve një dukuri e tillë.Po ashtu, ajo i mpakte në mënyrë të ndjeshme ritmet e ecjes së kritikës muzikore.Aq më tepër, nëse mbajmë parasysh se, historikisht, numri i kritikëve muzikorë ka qenë gjithmonë relativisht i kufizuar.
Dukuria e gjashtë: Koha: Shpërfillje e rolit të saj historik
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, edhe koha sikur kishte mbetur në vend për kritikët dhe studiuesit muzikorë shqiptarë: ajo sikur nuk ishte duke e luajtur rolin historik që zakonisht luan! Një dukuri e tillë vihet re nëse përfaqësuesit e botës artistiko-shkencore–kompozitorë, pedagogë, kritikë, studiues, punonjës shkencorë–i ndajmë në dy grupe, klasa ose kategori, sipas kriterit të moshës: brezi më i vjetër dhe brezi më i ri.Tipari i parë i dëmshëm i sjelljes së brezit më të vjetër, historikisht, ishte vendosmëria për të pasur sa më shumë privilegje. Përfaqësuesit e tij herë-herë ishin të shkolluar në vende të tjerë, më shpesh të Europës Lindore, sidomos në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.Por, e vërteta është se, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë, studimet e tyre, më të shumtën e rasteve, u ndërprenë, duke bërë që të mos diplomoheshin jashtë vendit. Kështu, p.sh., studimet u filluan në Moskë, por u mbaruan në Tiranë. Megjithatë, përfaqësuesit e brezit të vjetër e përdorën shkollimin e tyre jashtë vendit—si në rastet kur ai ishte i plotë, ashtu edhe në rastet kur ai ishte i pjesshëm–në një mënyrë që u solli mjaft privilegje! S’është aspak e rastit që, përfaqësues të këtij brezi, shpesh i karkaterizonte arroganca krijuese, shkencore, akademike.Me sjelljen e tyre ata sikur linin të kuptohej se, të shkolluarit jashtë vendit, i kishte bërë domosdoshmërisht të veçantë (lexo: më të zotë), në krahasim me përfaqësues të brezit më të ri, të cilët u shkolluan vetëm brenda vendit.
Tipari i dytë i dëmshëm i sjelljes së brezit më të vjetër, historikisht, ishte vendosmëria për të mbajtur vendin e punës deri në një moshë dramatikisht të madhe. Nuk prishte punë se, përfaqësues të caktuar të botës artistiko-shkencore–kompozitorë, pedagogë, kritikë, studiues, punonjës shkencorë–vinin në punë me duar në xhepa! S’kishte rëndësi se ata s’mbanin madje as edhe një çantë të thjeshtë ku të vendosnin ditarë, artikuj, libra, shënime! Nuk prishte punë se, për vite e ndoshta dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, ata s’krijonin ose s’botonin asgjë! Duket e pabesueshme, por, herë-herë, në artikuj të punonjësve të veçantë shkencorë, citoheshin studime-fantazma, të ashtu-quajtur të pa-botuar, të cilët në të vërtetë nuk ekzistonin!Modeli i të cituarit pak a shumë ishte si vijon: “Më gjerë, shih: Studim i pabotuar, f. 299.” Në këtë rast, çdo lloj komenti do të dukej i panevojshëm. (“O tempora! O mores!)
Nëse mbajmë parasysh se, krahas lëmit arsimor, shkencor, kulturor e artistik, dukuri të tilla, viheshin re në çdo sferë të jetës së shoqërisë shqiptare, atëherë është më e lehtë të kuptohet se zhvillimi i saj pengohej nga plagë të vetë-shkaktuara.
Çështja: Mbyllja e saj
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mbledhjet e diskutimet që organizonte Sektori i Muzikës i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për dukuri të ndryshme artistiko-muzikore, si: vepra muzikore, studime teorike, kompozitorë, kritikë, përvjetorë krijuesish e studiuesish, veprimtari artistike (lokale, kombëtare, ndërkombëtare), etj., pa dyshim që kanë luajtur një rol zhvillues e nxitës për artin muzikor profesionist shqiptar në përgjithësi dhe kritikën e studimet muzikore shqiptare në veçanti. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, këto lloj mbledhjesh nuk ishin aq rezultative: askush nuk vintei përgatitur në ‘to, me përjashtim ndoshta të një ose dy diskutantësh. Për më tepër, herë-herë, dukej sikur, vetë drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, s’kishin më ide të reja. Pa dyshim se, edhe në fushën e artit profesionist shqiptar në përgjithësi dhe të artit muzikor profesionist shqiptar në veçanti, kishte ardhur koha që, mbi bazën e ndryshimeve në sistemin politiko-shoqëror, të bëheshin domosdoshmërisht ndryshime themelore në shumë aspekte: krijuese e jashtë-krijuese.Unë u përpoqa që të shqyrtoj vetëm disa dukuri të rëndësishme, artistike dhe jashtë-artistike, që karakterizuan jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, sidomos paragjykime, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, ndikuan mbi ecurinë e saj. Por, dihet se, çdo epokë historike, ka paragjykimet e veta. Asnjë epokë nuk është e përkryer! Epoka e tanishme historike e gjysmës së parë të shekullit XXI do të ketë edhe ajo paragjykimet e veta. Vetëm se ne nuk jemi në gjendje që t’i shquajmë ato në ditët tona.Vlerësimi teorik i një epoke të caktuar historike është vështirë që të bëhet brenda harkut kohor të saj. Për të vlerësuar siç duhet atë, lipset një lloj largimi në kohë. Kur t’i jemi larguar epokës sonë, së paku disa dhjetëvjeçarë, do të jemi në gjendje që t’a gjykojmë edhe atë më me objektivitet. Pa dyshim se, një detyrë e tillë, qëndron përpara brezave të ardhshëm të kritikëve e studiuesve muzikorë shqiptarë.