![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476804587_1043395707828951_3970441168239773198_n.jpg)
Jusuf BUXHOVI/
Ka një ngjashmëri tematike midis veprës së shkrimtarit të madh Markez “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar” dhe veprës së ambasadorit William G. Walker “Reçak – historia e një krimi”, ndonëse e para, vrasja e një arabi në një ambient katolik të Amerikës Latine shfaqet ngjarje e imagjinuar, ndërsa kronika e Walkerit – shfaqet si dokument autentik i një krimi lufte, në një katund të Kosovës, të quajtur Reçak, të kryer nga forcat policore jugosllave më 15 janar të vitit 1999. Ndonëse përmasat e krimit imagjinar te vepra e Markezit sillen rreth një arabi, që duhet të vritet pse është arab i vyeshëm dhe tejet i ndërgjegjshëm midis fanatikëve katolikë latinomerikanë, janë individuale, ndërsa ato në Reçak janë të përmasave kolektive (vriten 45 persona shumica të moshuar, gra dhe fëmijë) dhe të kryera nga forcat e policisë jugosllave, që të dy krimet kanë të përbashkët urrejtjen deri në shfarosje.
Referimi veprës së Markezit në raport me atë të një dokumentari të shkruar nga ambasadori William G. Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues në Kosovë (KVD) me mandatin e OSBE-së rreth një krimi të paralajmëruar në rrafshin imagjinativ dhe në atë dokumentar, lidhet me analogjinë e ngritjes së historisë së një krimi në përmasat botërore, madje edhe universale nga shkaku se ato ndodhin të paralajmëruara dhe të papenguara, sy botës, siç ndodh me vrasja imagjinare të arabit dhe me atë të banorëve shqiptarë të katundit malor të Reçakut.
Vrasja imagjinare e arabit të Markezit dhe ajo reale e katundarëve të Reçakut, megjithatë marrin epilogje të kundërta. Nëse në prozën e Markezit, vrasësi kryen një krim pa dënim, tek vrasja reale, ajo e Reçakut, krimi, megjithatë merr dënimin. Dhe ky dënim, vjen nga bashkësia ndërkombëtare, nga vendet e NATO-s, të drejtuara nga SHBA-të, të cilat, ndaj krimeve të luftës të soditëses së Milloshevqit nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, më në fund, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 përdorin bombat, me çka Kosova çlirohet na Serbia dhe vihet përkohësisht nën administrimin ndërkombëtar.
Në të vërtetë, historia e bombave që do të hedhen ndaj forcave policorë dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe në disa pjesë të Serbisë, casus bellin e ka tek masakra e Reçakut, me të cilën duhej t’i jepej fund një lufte që kishte vu në shënjestër shfarosjen e një popullate me mjetet e luftës, siç ishte ajo e Kosovës. Leximi me vëmendje i rrëfimit të ambasadorit Walker rreth ngjarjeve që i paraprinë masakrës së Reçakut si dhe gjatë masakrës kur ai pa hezituar, pra pa pritur ekspertizat dhe veprimet tjera, më 16 janar, në konferencë për shtyp ngjarjen e Reçakut e kishte vlerësuar krim lufte, ishin thirrje NATO-s për bombardim. Kjo shihet nga biseda e ambasadorit Walker me sekretarin gjeneral të NATO-s Solanën dhe zonjën Olbrajt, kur thotë “bombardim”!
I gjithë rrëfimi dokumentar i Walkerit në libër që mund të thuhet se mbështetet mbi kërkesën-klithmë “Bombardim”, në ato dy javë dramatike, paraqet përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, por mbi të gjitha moral, të një misionari, i cili është i vetëdijshëm se nëse Millosheviqi, këtë herë, do të shpëtonte pa bomba, atëherë, ai do të vazhdonte zbatimin e planit të tij për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike, me çka sendërtohej njëra ndër pikat kryesore të projekteve hegjemoniste serbomëdha të filluara me “Naçertanjen” dhe të vazhduara me Memorandumin e Çubrilloviqit dhe atë të fundit të Qosiqit nga vitit 1986 nën firmën e Akademisë Serbe dhe Arteve dhe të Shkencave në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe. “Megjithatë, kjo masakër, ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan , u kthye në një pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi.” Për Walkerin, “ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në Konferencën e Rambujesë”, por kur “të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes së NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një Srebrebicë dhe shumë Reçake të tjera”.
Sipas Walkerit, koha nga kërcënimi ndërkombëtar MIlosheviqit, Rambujeja e deri tek bombardimet, nxori në pah edhe faktorët që ishin frenues përbrenda misionit verifikues që ai e drejtonte. Ndër ta, përmendet ndihmësi i tij, francezi Keller, i cili, gjatë gjithë kohës përpuqej që të minimizonte veprimet luftarake të policisë serbe dhe të paraqiste UÇK-në si nxitëse të luftës, meqë sipas francezit UÇK-ja provokonte. Ajo që paraqet kulmin e veprimeve proserbe të francezit Keller, lidhet me atë se ai ishte kundër vlerësimit të Walkerit që e dha në konferencën për shtyp më 16 janar kur masakrën e Reçakut e quajti “krim kundër njerëzimit të ushtruar nga forcat policore jugosllave”. Sipas Walkerit, Kelleri, kërkonte që të pritej vlerësimi i hetuesve jugosllavë dhe autopsia, gjë që ato kishin për qëllim që masakra të vlerësohej si konflikt midis forcave policore jugosllave dhe pjesëtarëve të UÇK-së, të provokuar nga UÇK-ja, dy ditë më parë me vrasjen e tre policëve afër Shtimjes.
Duke iu referuar mosmarrëveshjeve me francezin Keller rreth vlerësimeve në konferencën për shtyp pa ekspertizë dhe qëndrimin e gjykatës jugosllave për ngjarjen, që dihej se si do të ishin, pra në përputhje me direktivat e Millosheviqit se Reçaku ka qenë “përgjigje nga provokimet e terroristëve të UÇK-së”, Walker thotë se “kure përshkrova masakrën në Reçak si një krim kundër njerëzimit, thjesht po bëja detyrën time si drejtues i misionit më të madh në terren të OSBE-së, me një mandat për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe civile të popullsisë së Kosovës. Nëse nuk do të kisha folur përballë një mizorie kaq flagrante, atëherë cili është qëllimi i një misioni të tillë? Kur përballesh me një njeri si Millosheviqi, ishte e domosdoshme që asnjë sfidë të mos lihej pa përgjigje. Të kthesh shikimin nga ana tjetër, të pranosh shpjegime absurde për aktet e tmerrshme të njerëzve të tij, të dukesh i pavendosur për të reaguar shpejt dhe me forcë, do të interpretohej si dobësi dhe mundësi vendosmërie. Kjo do të kishte inkurajuar sjelljen më të keqe”.
Në fund, mund të thuhet pa hezitim, se libri i Walkerit “Reçaku – historia e një krimi lufte”, i botuar çerek shekulli pas ndodhjes së kësaj masakre, paraqet një dëshmi ndër më autentiket e krimeve të organizuar të forcave policore dhe ushtarake jugosllave që kishin për qëllim ta finalizonin spastrimin etnik të Kosovës e me këtë ta legjitimonin ndërkombëtarisht një krim të paralajmëruar, të ngjashëm me atë të prozës së Markezit. Ishte fat, që në krye të një misioni ndërkombëtar në ato rrethana tejet kritike, u gjend një William G. Walker, që detyrimeve profesionale që kishte ua atribuoi aspektin moral, që rëndom politika e përjashton.