Vilma Proko
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë/
Një ndër ngulimet me popullsi arbëneshe është edhe zona e Zarës (Kroaci), e krijuar në fillim të shek. XVIII nga shpërnguljet masive të popullsisë shqiptare nga Mali i Zi në drejtim të viseve bregdetare të Dalmacisë.
Njihet roli i madh i Arbëneshëve për të ruajtur zakonet e traditat e të parëve e sidomos pasurinë e tyre më të çmueshme, gjuhën e trashëguar, që jo vetëm e ruajtën por edhe e zhvilluan më tej. Edhe pse një komunitet i vogël, pa lidhje ose me lidhje minimale me vendin e origjinës, ata ruajnë tiparet e tyre që i dallojnë nga vendasit. Siç shkruan Tullio Erber në studimin për Arbëneshët e Zarës më 1937: në zemrat e tyre ata janë shqiptarë dhe mbeten të dëshiruar të dëgjojnë për bashkatdhetarët e tyre. Por koha bën të vetën dhe një komunitet i vogël e ka të vështirë pa pasur mbështetje, një shqetësim që prej vitesh e kish shprehur akademik Aleksandër Stipčević. Arbëneshët mes ndikimit të disa gjuhëve me të cilat kanë jetuar dhe i kanë përvetësuar kanë ruajtur gjithsesi tipare që një folësi të sotëm i ngjall nostalgjinë e shkodranishtes së vjetër.
Ka një varg studimesh për këtë ngulim, si ishull i veçantë gjuhësor, në të cilat janë trajtuar edhe shkaqet, rrethanat dhe kushtet e kësaj lëvizjeje që çuan në formimin e këtij ngulimi. Në mënyrë të veçantë janë vënë në fokus të këtyre studimeve, sidomos përpjekjet e arbëreshëve të këtij ngulimi për të ruajtur zakonet e traditat e të parëve, e sidomos pasurinë e tyre më të çmueshme, gjuhën e trashëguar, të cilën jo vetëm e ruajtën, por edhe e zhvilluan më tej. Mund të përmendim jo vetëm shkrimtarë e poetë, por edhe mbledhës të folklorit e lëvrues të gjuhës që kanë dhënë një kontribut të shquar për ringjalljen dhe ngritjen e kulturës shqipe pas disa shekujsh amulli nën pushtimin osman në të gjitha ngulimet arbëreshe. Aq i veçantë është ky ligjërim, saqë citoj akademik Gjovalin Shkurtajn kur thotë se nuk ka shqiptar që të mos e kuptojë se kur arbëneshi thotë “mbjothtim dizë gjurshi” është fjala për të mbledhur dy qershi.
Studimi i parë mbi të folmen e Arbëneshit të Zarës dhe për veprën e Kruno Krstiq (Krstić), për prejardhjen e arbëneshëve të Zarës bëhet nga Tulio Erber (1883) me veprën e njohur “Kolonia shqiptare e Borgo Erizzo-s”, e që vijon me studimin më të madh nga Gustav Vajgand (Wiegand) më 1911; më tej kjo e folme trajtohet nga Carlo Tagliavini më 1937 në librin “L’Albanese di Dalmatia”, e më pas ndeshemi edhe me analizën e këtij studimi të Tagliavinit nga Norbert Jokl më 1940. Punimin më të plotë të së folmes së Arbëneshit të Zarës, një e folme sot fort e rrezikuar, e ka bërë akademik Idriz Ajeti, duke mbrojtur në arbënisht doktoratën me temë “Zhvillimi historik i të folmes gege të arbëneshëve të Zarës së Dalmacisë”, 1958, botuar më 1961 nga Instituti Balkanologjik i Shoqërisë Shkencore të Republikës Popullore të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.
Në artikullin Për kronologjinë e disa dukurive fonetike në të folmen e Arbëneshëve të Zarës në revistën “Studime filologjike”, nr. 3-4, 2006, f. 82, akademik Kolec Topalli thotë se të gjitha këto dukuri dëshmojnë rolin e madh që luan ky ishull gjuhësor për studimin e vetë shqipes, sidomos në fushën e historisë së gjuhës e të dialektologjisë.
Në mënyrë të veçantë vendin e nderit në fushën e studimeve arbëreshe rreth këtij ngulimi e zë studiuesi erudit, leksikografi dhe filozofi Kruno Krstiq, njohës i thellë i kulturës arbëreshe në përgjithësi, sidomos mbledhës i folklorit e i traditave, por edhe njohës i mirë i të folmes arbëneshe të enklavës së vogël të Arbëneshëve të Zarës. Lindi në Arbanas afër qytetit të Zarës në Kroaci më 13 nëntor 1905. Në vitet 1726 dhe 1733 paraardhësit e tij u vendosën në Arbanas pranë qytetit të Zarës. Më 1926 u diplomua në shkollën e mesme klasike italiane “Gabriele D’Annunzio”. Nga viti 1926 studioi për filozofi e psikologji dhe gjuhë e letërsi italiane në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku edhe u diplomua në vitin 1930; më pas në të njëjtin fakultet në vitin 1934 u diplomua për gjuhë e letërsi frënge e latine. Mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në vitin 1937 me disertacionin: “Psikologjia dhe përmbajtja e saj: polimorfizmi perspektiv i lëndës së psikologjisë”.
Në vargun e studimeve historike në 225-vjetorin e shpërnguljes së parë të Arbëneshëve në rrethina të Zarës, K. Krstiq na jep njoftime për shpërnguljen masive të popullsisë shqiptare nga Mali i Zi në drejtim të viseve bregdetare të Dalmacisë, në fillim të shek. XVIII, në të përkohshmen “Glas Zadra”, 1951/30 përmes një studimi mbi shkaqet, rrethanat dhe kushtet e kësaj lëvizjeje. Është autor i teksteve të rëndësishme si “Legjislacioni gjuhësor kroat”, “Hapësira kuptimore e fjalëve”, “Çështja e serbëve”, “Rruga historike e gjuhës letrare kroate” etj., shumica e të cilave u botuan në shtyp në vitet 1941–1942. Një prej veprave më të rëndësishme që dokumentojnë trashëgiminë gjuhësore e kulturore të arbëreshëve të Zarës është edhe Fjalori Rjecňik Govora Zadarških Arbanasa (1987, Zarë), për të cilin punoi për pothuaj 50 vjet e në mënyrë sistematike për vjeljen, regjistrimin, sistemimin dhe përpunimin e visarit leksikor të një areali gjuhësor, dialektor e të ligjërimit arbënesh të Zarës si dialekt me vlera të veçanta. Qëllimi kryesor i hartimit të Fjalorit ishte që t’u jepte mundësi Arbëneshëve të Zarës, në mënyrë të veçantë nxënësve e studiuesve, për të lexuar më me lehtësi letërsinë e pasur arbëneshe, folklorin e shkrimet e autorëve arbëneshë. Gjuha e Arbëneshëve të Zarës, ashtu si dhe ajo arbëreshëve të Italisë, pa shumë ndikime nga shqipja bashkëkohore, asnjëherë nuk ka mbetur një gjuhë historike, për të mos përdorur termin “gjuhë e vdekur”. Përkundrazi, falë shkrimtarëve dhe të tjerëve që ndoqën rrugën e tyre, ajo ka vazhduar të jetojë e të zhvillohet sa të arrijë nivelin e një “koinéje” të vërtetë letrare.
Nga pikëpamja e historisë së krijimit të saj kjo vepër ka kaluar një rrugë të gjatë shumëvjeçare siç e përmendëm, në të cilën është mbledhur, sistemuar dhe përpunuar visari leksikor i një areali gjuhësor e dialektor i arbëneshëve të Zarës. Më pas Fjalori i K. Kristiqit është plotësuar e përpunuar më tej nga Mehmet Latifi, duke e përkthyer atë në shqipen letrare dhe në kroatisht dhe botuar me titullin “Fjalori (Arbërisht-Shqip-Kroatisht)” Rjecňik (Arbanaški – Albanski – Hrvatski) në vitin 2009. Ai pasqyron jo vetëm visarin fjalësor, por edhe njësi frazeologjike e fjalë të urta, në tërësi prej rreth 5000 njësi. Vepra ka rreth 320 faqe dhe përmban një mori të madhe fjalësh, fjalish dhe shprehjesh të së folmes së Arbëneshëve të Zarës, duke ruajtur edhe origjinalitetin burimor të fjalës shqipe; çelet me një paraqitje nga akademik Aleksandër Stipčević dhe është recensuar nga studiuesi Nebi Dervishi.
Në parathënien e shkruar në Zagreb më 18 tetor 2007, Stipčević shprehet për vlerën e këtij fjalori pasi aty është përmbledhur material nga një dialekt shqiptar me fjalë të vjetra dhe forma gramatikore që janë zhdukur ndërkohë edhe në shqipen e sotme; madje edhe fjalë që janë harruar edhe në vetë Arbëneshin. Vetë autori i fjalorit na njeh me një fakt interesant: ai thotë se fjalë të evidentuara nga tekste të shkruara (letra, shënime) nuk ka shumë për fat të keq, pasi nuk ka mundur të shfrytëzojë punimet e shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë Arbëneshë si Josip Rela, Shime Deshpali apo Budimir Peroviq, sepse ata në punimet e tyre kanë përdorur fjalë nga shqipja letrare e panjohur për arbnëshët e Zarës.
Në një vështrim të përgjithshëm mund të thuhet se ky Fjalor është një fjalor i komunikimit të përditshëm të Arbneshëve, e ku nuk janë përfshirë terma shkencorë nga fushat e gjeografisë, ngjarjeve historike, politike, arsimore dhe artistike, apo personaliteteve.
Prej një vëzhgimi të hollësishëm të fjalësit të Fjalorit shihet qartë se Arbëneshët kur u mërguan nga viset arbërore të këtej Adriatikut morën me vete një gjuhë të folur shumë të pasur dhe një trashëgimi etno-folklorike të atillë që do të përbënin një mbështetje të mirë për të mos u bjerrë lehtë as në dhe të huaj. Për këtë anë dhe përgjithësisht rreth vlerave të gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe, Kruno Kristiq pat shkruar në veprën “Studim artikujsh për diskutim” (“Studije rasprave članci”).
Duke u mbështetur sidomos në vlerat e Fjalorit të Kruno Kristiqit, mund të pohohet se plotësimet dhe përkthimi që i ka bërë Mehmet Latifi, e kanë ngritur veprën në fjalë në një nivel më lartë, ku, në mënyrë të veçantë, paraqitja e zërave të Fjalorit dallohet për ndërtimin e tyre në bazë të parimeve shkencore, të pranuara edhe nga leksikografia bashkëkohore. Kështu çdo zë përbën një mikrostrukturë të pasur e të gjerë leksiko-gramatikore e semantiko-sintaksore, ku jepen përveç shpjegimeve në shqipe, edhe variante të përdorimit të fjalëve në arbërishte, çiftet apo vargjet sinonimike, ku në mjaft raste paraqiten ilustrime të kuptimeve me njësi të zgjeruara si togfjalësha e deri fjali, përfshirë edhe frazeologjizma.
Ky informacion i pasur i zërave ka jo vetëm vlerë njohëse, përdoruese, por edhe të mirëfilltë studimore. Me këtë shpjegohet edhe jehona e veprës në publikun vendës (në arealin gjuhësor arbëror), por edhe të huaj. Kështu sipas të dhënave Fjalori në variantin e parë u botua në 1000 ekzemplarë, por u shit si “bestseller” brenda një kohe të shkurtër.
Me paraqitjen e lëndës leksikore si edhe me informacionin gramatikor, e shoqëruar me fjalët që përdoren në të folmet e ndryshme, jo vetëm të Zarës edhe të zonave të tjera, por edhe me risjelljen e fjalëve të zhdukura e të harruara, ky Fjalor jep një kontribut të madh në punën dhe përpjekjet e bëra në mënyrë individuale për ruajtjen e gjuhës arbëneshe, duke mos e lënë atë të bjerret siç edhe për fat të keq po ndodh në kohët e sotme.
Duke e paraqitur vlerësimin tonë për Fjalor (Arbërisht-Shqip-Kroatisht) – Rjecňik (Arbanaški-Albanski-Hrvatski) i Kruno Kristiq arrijmë në përfundimin se ky Fjalor i bën nder kulturës arbëneshe dhe këtij studiuesi të shquar të gjuhës e të traditave arbëneshe.
Kruno Krstiq u nda nga jeta më 6 dhjetor 1987 në Zagreb. Pas vdekjes u nderua duke i vendosur një shkolle fillore në Zarë emrin “Kruno Krstiq”. https://www.alb-spirit.com/…/ndrek-gjini-kruno-krstiq…/… Në majin e vitit 2023 për nder të Kruno Krstiq u vendos një bust në Arbanas të Zarës në kuadër të ditëve të kulturës arbneshe “Zonja jonë e Loretos”, me rastin e 297-vjetorit të vendosjes së Arbneshëve në Zarë. Madje shkolla e Arbanasëve në Zarë mban emrin e tij. https://www.facebook.com/shqiptaret.ezares