Skënder Karaçica/
Krusha e Madhe e Bajram Currit, Ukshin Hotit dhe dr.Fahredin Hotit u bë gjeografia e vdekjes për lirinë e Kosovës. Doktori dhe poeti dr.Fahredin Hoti kishte ndjenjë vdekjeje për përgjakje të Kosovës. E kishin pëcjellë ata të veshur në të zeza, që erdhën nga larg (Serbia) të qartur e të përjargur për të vrarë doktorin dhe krushjanët në kasaphanën (1998-1999) në Krushën e Madhe të Rahovecit.
Këto ditë doli nga shtypi libri (monografi) “Doktori” që i dha jetë Lirisë (Dr.Fahredin Hoti, Dëshmor i kombit, shkruar nga i biri i tij Besnik F.Hoti, ish zëvëndesministër i punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Në fjalën e autorit faqe (13-19) thuhet se ishte një zë i brendshëm i ndërgjegjës historike për dëshmorin e kombit dr.Fahredin Hoti që u bë pjesë e epokës së historisë më të re kombëtare dhe lufta për çlirimin e trojeve të pushtuara në zjarret e pushkëve të djelmenisë së UÇK-së.
Dr. Fahredin Hoti, thuhet në faqet e kësaj monografie u bë krah i luftës së drejtë jo me pushkë në dorë por me stetoskop, të ilaçeve dhe të pajisjeve të mjekësisë së doktrinës së luftës. Në dritën e këtyre ngjarjeve, doktori i luftës, u ndihmoi njerëzit me ilaçe e mjekim, por ishte në krah të djelmenisë të luftëtarëve të UÇK-së deri në çastet e rënies në fushë të nderit më 26 mars 1999, bashkë me të birin e tij Kreshnik Hoti.
Në Krushë të Madhe, tërë makineria luftarake e logjistikës fashiste e me skenar të gjenocidit të Serbisë u zbrazën në mesin e krushjanëve të pa mbrojtur, ku, siç thotë autori Besnik F.Hoti,u shkrua historia me shkronja të gjakut. Në kronikat e kohës dhe të shkrimeve, të dëshmitarëve të gjallë, përmendet nata e 25-26 të marsit 1999, ku makineria serbe përmes logjistikës vrastare deri në shfarosje të substancës kombëtare “Patkoi” nisi kasaphanën e përgjakur të pushkatimit të mëshkujve karushjanë, të rinj e pleqë para syve të familjarëve. Në këtë fshat të përgjakur me pamjen “Krusha e madhe si Srebrenica” u vranë 241 krushjanë të pushkatuar e të djegur për së gjalli në mesin e tyre 7 fëmijë e 5 gra dhe të tjerët të dëbuar nga shtëpitë e veta nën masën e terrorit e të përsekutimit më të egër antishqipar, thuhet në faqën 15 të monografisë, ku, më të drejtë për Krushën e Madhe dhe për krushjanët nuk pati verdikt të drejtësisë ndërkombëtare, thuhet në në monografinë e autorit Besnik F.Hoti.
Për monografinë “Doktori që i dha jetë lirisë” prof.Nusret Pllana, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, thekson se në këtë monografi të historisë më të re të Kosovës, në vete paraqet një shumësi rrëfimesh, secili më i vyer se tjetri, që, flasin për luftën e përgjakur për liri në rrugëtimin nga fëmijëria e deri të rënia e Dëshmorit të Kombit dr.Fahredin Hoti në mesin e popullit të tij në Krushë të Madhe të Rahoveci. Duke hedhur dritë për monografinë, prof.Nusret Pllana i mbushur me frymë me kujtesën e luftës së djelmenisë së UÇK-së e thekson zëshëm se, historikisht dihet se atdheu i tij është i përgjsymuar nga grabitjet e fqinjve nën ambrellën e pansllavizmit Serbo-Rusi-Greqi-Mali i Zi dhe fati i dhimbjes për Kosovën. Po në këtë dritë, prof.N.Pllana e përmend kohën dhe faktin e historisë, duke cituar kyreministrin anglez Grei(1913) që pati thënë se duke flijuar tokat shqiptare ishte krijuar “qetësia evropiane”. Por, kjo e dhënë antishiptare u shemb përmes frymës së lavdisë së djelmenisë së UÇK-së kur më 28 nëntor 1997 doli publikisht para popullit të vet të Kosovës.
Në këtë monografi, janë botuar edhe disa të dhëna që për lexuesit të brezit të Republikës së Kosovës, do të sjellin orën e historisë për të praë nga afër se cila është Krusha e Madhe e Rahovecit. Po në këtë fshat heroik, afër shtëpisë së dr.Fahredin Hoti, pati lindur Plaku i Maleve, Bajram Curri dhe intelektuali e politilogu i kombit Mr.Ukshin Hoti. Në rrugëtimin e tij dr. Fahredin Hoti me mantilin e bardhë shërbeu me dinjitet në fushën e mjekësisë në Rahovec, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë. Në familjen Hoti, thuhet në kronikat e kohës, ora e dhimbje dhe tragjikja nuk përfundoi vetëm me kaq. Ende pa u varrosur trupat e dr.Fahredin dhe Kreshnik Hoti, makineria e Serbisë vrastare vazhduan skenarët e orëve të shfarosjes e të gjenocidit kundër krushjanëve. Në vijat e këtyre skenaëve nuk shpetoi as babai i tij Shemsedini, i cili nga fakturat e shumta të gjakderdhjes së brendshme, vdiq afër Zhurit, pranë kufirit shqiptaro-shqiptar në moshën 67 vjeçare.
Në fund të monografisë “Doktori që i dha jetë lirisë” dr. Fahredin Hoti-Dëshmor i Kombit, janë botuar pesëdhjetë e dy paraqitje të kujtimeve të përsonaliteve të fushës së mjeksësisë, të eprorëve ushtarakë të djelmenisë së UÇK-së, të veprimtarëve, të intelektualëve nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe Amerika, që e përmbushin porosinë me kronikat e historisë të jetës e të shërbimit pranë popullit të tij si doktor e si njeri me shpirt luftarak për kombin, atdheun dhe lirinë e Kosovës.
Besnik F.Hoti: “Doktori që i dha jetë Lirisë”: Dr.Fahredin Hoti, dëshmor i Kombit, botues Emira 2024, Rahovec.