Në 10 Korrik “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë. Në 12 Korrik në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç/
PRISHTINË, 6 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti do të udhëtojë sot për në Paris, ku nesër, në 7 Korrik 2020, do të takohet me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.
“Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike.”, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra e Kryeministrit kosovar.
Ndërsa media në Prishtinë sot njoftoi se, me “lehtësimin” e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, të premten, më 10 korrik, do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy ditë më vonë në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që, sipas BE-së, do të shënojë edhe rifillimin e dialogut për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve.
“Siç kemi premtuar se do të komunikojmë kur të kemi lajme, tani ka ardhur koha që ta konfirmojmë takimin e rinisjes së dialogut. Unë mund të konsideroj se më 12 korrik në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Nikoqir i këtij takimi do të jetë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, e i pranishëm është edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, citon Koha në raportimin e korrespondentit të saj.I pyetur se kush do të jetë nga ana e Kosovës në “samitin virtual” të Parisit, Stano ka thënë se për këtë duhet të pyeten organizatorët, e ajo është Zyra e Presidentit të Francës.