Sokol Paja/
New York, 28 shtator 2024 – Kryeminstri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me organizatat atdhetare, shoqatat patriotike, aktivistët, mediat dhe liderët e komunitetit shqiptar në New York, New Jersey, Philadelphia, Boston etj. Kryeministri Kurti shoqërohej nga zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendësministrja znj.Liza Gashi dhe Ambasador Blerim Reka. Në fjalën e mirëseardhjes z.Mark Gjonaj renditi kronologjikisht krimin dhe genocidin serb në Kosovë, reformat në shtetin e Kosovës nën drejtimin e qeverisë Kurti, sfidat për shtetin e Kosovës dhe vlerësoi lidershipin e kryeministrit Albin Kurti. Në fjalën e tij kryeministri Albin Kurti vlerësoi mërgatën shqiptare të Amerikës si ambasadorë të kombit shqiptar dhe veçoi rolin e kontributin e Federatës Vatra si prushi i gjallë i patriotizmës e atdhetarizmit në Amerikë.
Kurti gjatë fjalës së tij nënvizoi Nolin e Konicën si ideatorë shpirtërorë të lëvizjes së fuqishme politike e kulturore të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurti shprehu mirënjohjen për senatorë e kongresistë amerikanë që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës në institucionet amerikane dhe referoi para të pranishmëve arritjet e sfidat e qeverisë e shtetit për mbrojtje e siguri, punësim, edukim, zhvillim ekonomik e luftë kundër krimit e korrupsionit. Z. Kurti u ndal specifikisht te puna e qeverisë për sundim të ligjit në veri të Kosovës që konsiston në mbylljen e 35 rrugëve ilegale të krimit të organizuar. Kryeministri Kurti citoi institucionet ndërkombëtare me reputacion global që kanë shënuar arritjet shtetërore e institucionale të Republikës së Kosovës duke rritur imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Kryeministri Kurti vlerësoi talentet shqiptare në mërgatë si një pasuri e krenari kombëtare dhe bëri thirrje publike që të kthehen për të kontribuar në Kosovë si kapacitete intelektuale, profesionale dhe ekonomike. Kurti përgjatë fjalës së tij nënvizoi reformat shtetërore dhe ekonomike për transformim rrënjësor në përballje me sfidat e integrimit evropian.
Kurti tha se Amerika është aleati, bashkëpunëtori dhe miku i pa ndashëm i Kosovës me bashkëpunim të ngushtë në fushën e diplomacisë dhe sigurisë kombëtare. Kurti tha se për vlera, qëllime, interesa e parime nuk kemi asnjë dallim me Amerikën, në strategji po. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Schwarz në fjalën e saj u ndal te roli i jashtëzakonshëm i mërgatës dhe kontributi i saj i pa ndalur për Kosovën.
Nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra morën pjesë në takim Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, anëtari i këshillit Dritan Haxhia e vatranë të tjerë që kontribuojnë shpirtërisht e materialisht për Vatrën, komunitetin dhe kombin shqiptar në mërgatën e Amerikës. Në fund të takimit përfaqësuesit e organizatave patriotike pyetën delegacionin qeveritar rreth çështjeve shtetërore, shoqërore, administrative e komunitare, ndërsa editori i Diellit e pyeti kryeministrin rreth strategjisë së qeverisë së Kosovës për rritjen e njohjeje të pavarësisë së Kosovës nga shtetet ndërkombëtare.