
-Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit në takim nga Kryeshefja Ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright/
UASHINGTON, 6 Maj 2022-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Në njoftimin e dërguar bëhet e ditur se, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.
Kryeministri Kurti falënderoi znj.Albright për punën e palodhshme dhe fokusin e veçantë të MCC-së në ekonominë e Kosovës.
Nga ana tjetër, znj.Albright falënderoi kryeministrin Kurti për punën dhe angazhimin për këtë projekt. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të ShBA-së për Republikën e Kosovës përmes MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.
Në takimin e përbashkët me kryeministrin mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli, Koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC, Lum Mita, ndërsa nga përfaqësuesit e MCC-së, morën pjesë Jonathan Brooks, zëvendëspresident për programet në Europë, Azi, Paqësor dhe Amerikë Latine,
Thomas Kelly, zëvendëspresident për politika dhe vlerësim, si dhe Paula Garcia Tufro, shefe e stafit të kryeshefes Albright.