
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës – Instituti i Historisë.
Para të pranishmëve të shumtë, akademikë e shkencëtarë, profesorë, drejtues të seminarit, seminaristë e studentë, në fjalën hyrëse, kryeministri potencoi se në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, Seminari është ngjarja kulturore më jetëgjatë, derisa theksoi se ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara edhe sivjet vjen me kënaqësi në hapjen e edicionit të 43-të të tij.
“Shumë studiues, shkencëtarë dhe akademikë, të cilët vijnë me dijet dhe përvojat e gjuhës së tyre, do të flasin këtu për gjuhën e kulturës shqiptare dhe për kulturën e gjuhës shqipe. I përmbahem gjithnjë asaj thënies në hapje të seminarit këtu e katër vite më parë, kur pata theksuar që: intimiteti i pazgjidhshëm i marrëdhënies mes mendimit dhe gjuhës do të mbetet përherë çështje e njerëzimit, pra edhe e formimit tonë kulturor. Vetë kultura është kjo pazgjidhshmëri e kamotshme dhe e përjetshme”, tha kryeministri Kurti.
Më tej ai tha: Çdo seminar ndërkombëtar për gjuhën, edhe ky seminar i 43-të, ka një rol të madh në llogaritjen më të rëndësishme të bazës që i shërben mendimit deri madje edhe me kushtëzim të tij. Sepse, siç e dimë, te raporti midis mendimit dhe gjuhës, vijnë e ngatërrohen mundësimi dhe kushtëzimi. Në një farë mënyre, studimi gjuhësor përqendrohet në llogaritjen e racionalitetit të mënyrës së mirëfilltë të mendimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe i imagjinatës, dhe i kulturës, pra është komunikimi qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore.
Kryeministri Kurti theksoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në Kosovë e në mërgatë. Siç tha ai, kjo është arritur përmes: bursave vjetore për studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në vlerë prej 1000 euro dhe mbështetjes së stafit akademik, si dhe bashkëpunimit me Shqipërinë për përgatitjen e teksteve të unifikuara për nxënësit shqiptarë jashtë vendit. Ai shtoi se gjithashtu, është forcuar tradita e garave dhe Olimpiadës së Gjuhës Shqipe për nxënësit parauniversitarë, duke nxitur drejtshkrimin, leximin dhe mendimin kritik. Për dy vite me radhë, ministria ka mbështetur edhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Krahas kësaj, ka mbështetur edhe Seminarin Mbarëkombëtar të Diasporës, që lidh institucionet arsimore me komunitetet shqiptare jashtë vendit. Se ne tashmë në diasporë, edhe Kosova edhe Shqipëria i kemi shumë studentë të dalluar, profesorë të shkëlqyeshëm edhe autorë të famshëm, gjithnjë e më të famshëm. Këto nisma krijojnë bazë të qëndrueshme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit tonë kombëtar.
“Qasja jonë si qeveri është serioze edhe në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike. Asaj i kemi përcaktuar një përkushtim të veçantë në ruajtjen dhe zbulimin e historisë së popullit tonë. E mua nuk më duket që ka vend me të përshtatshëm të flasim për këtë sesa pikërisht te ky seminar që i dedikohet gjuhës, sepse ne jemi para së gjithash e mbi të gjitha komb i gjuhës, i gjuhës tonë të bukur shqipe. Por, edhe lashtësia jonë është ajo e cila lidhet pikërisht me këtë që është tipari ynë themelor, por në të njëjtën kohë edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë”, tha kryeministri Kurti, duke ju uruar punë të mbarë në këtë seminar të bashkëpunimit ndërkombëtar mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.