Mitrovicë, 13 mars 2024/
“Në këtë përvjetor të 25-të, kemi ardhur në Mitrovicë për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë nga forcat e Serbisë në Masakrën e Tregut të gjelbër në vitin 1999. Teksa shprehim dhembjen dhe nderimin tonë për jetët e humbura, theksojmë domosdoshmërinë për drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe qindra masakrave të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se është detyrë e jona që të mos e harrojmë kurrë të kaluarën e errët dhe të punojmë për Republikën tonë demokratike, ku parimet kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia.
“Granata supozohet që është shkrepur nga një objekt ushtarak ku ishin të vendosura forcat serbe gjatë luftës 1998-99. Aty sot qëndron Kampi i Policisë së Republikës së Kosovës, që bartë emrin e heroit Enver Zymeri, e që garanton sigurinë, si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi Kryeministri Kurti.
Në këtë ditë të kujtimit, s’ka si të mos na vije në mendje masakra në tregun Markale në Sarajevë, që ishte një nga krimet më të rënda gjatë rrethimit të qytetit në vitet 1992-1995, tha Kryeministri, duke shtuar se këto masakra në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë.
Së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, si dhe deputetë të Kuvendit, Kryeministri Kurti vendosi lule para pllakës përkujtimore të kësaj masakre.
Më 13 mars 1999, në masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë, me hedhje granatash nga forcat serbe janë vrarë shtatë civilë: Abaz Mecinaj (1944), Ahmet Strana (1941), Elizabeta Hasani (1994), Ragip Bajrami (1946), Rrahim Peci (1934), Sevdije Selani (1949) dhe Valdete Strana (1977); si dhe janë plagosur 128 të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën invalidë.