PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi dhe këshilltarin komunal të Medvegjës, z.Fehmi Beha, me të cilët bisedoi për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në këto tri vendbanime dhe në viset e tjera në Serbi.
Kryetarja e Preshevës, znj. Ardita Sinani e njoftoi kryeministrin Kurti me gjendjen e keqësuar në Preshevë e rrethinë, si pasojë e vërshimeve të muajit të kaluar që shkaktuan dëme materiale, siç tha ajo, në vlerë prej 325 mijë euro.
Ajo theksoi problemin që kanë shqiptarët e kësaj komune me mungesën e investimeve dhe kushtëzimet e pengesat që u bën pushteti i Beogradit investitorëve të huaj që shprehin interesim që të investojnë në këtë vendbanim shqiptar.
Kryetari i Komunës së Bujanocit theksoi problemet e qarkullimit të lirë të shqiptarëve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, si dhe pasojat e mosnjohjes së diplomave të Kosovës.
Ndërkaq, këshilltari në Komunën e Medvegjës, Fehmi Beha, foli për metodën e heshtur dhe të rrezikshme të diskriminimit që po u bën pushteti shqiptarëve të kësaj komune, me pasivizimin e adresave, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për të cilin kryeministri Kurti tha se ishte takim për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri tha se në procesin e dialogut të ri do të angazhohet për reciprocitet të drejtash të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi.
Takimi i kryeministrit Kurti me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është në vazhdën e takimeve për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.