
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vizituar gjatë pasdites së sotme festivalin “Ulpiana Fest”.
Festivali dyditor i cili ka karakter historik dhe kulturor, po mbahet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. Ai është i pari i llojit të tillë në gjithë Kosovën. Përmes tij synohet që të ngritët vetëdija dhe kureshtja e qytetarëve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe lokaliteteve tona arkeologjike në veçanti.
Me manifestimin e këtij festivali, shikuesve dhe pjesëmarrësve u ofrohen përjetime të copëzave nga antikiteti duke përfshirë veshjet, recetat ushqimore, lojërat, si dhe zejet artizanale.
“Ulpiana Fest” që po mbahet me 16 dhe 17 shtator, organizohet nga OJQ “ET-G” në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.