Ardhja e njoftuar e kryeministrit Edi Rama në qytetin e Shkodres për të shpërndarë 700 çertifikatat e pronësisë për legalizimet, u parapri nga një protestë e banorëve që u preken shtëpitë nga ndërtimi i stadiumit “Loro Boriçi”.
Që në nisje të saj ajo u kthye në një përleshje mes protestuesve dhe policisë, pasi kjo e fundit nuk lejoi banderolat e banorëve.
“Policia na mori parrullat dhe na i grisi. Parullat tona kanë qenë “ Mos i prishni shtëpitë tona” “Gjeni zgjidhje të tjera për stadiumin”. Nuk jemi kundra për parkingun por jo të na prishin shtëpitë tona për parking. Nuk kemi dalë të rrihemi me njeri, kemi dalë për protestë paqësore”.
Një tjetër protestues i bëri thirrje Kryeministrit të shqyrtojë projektin, pasi sipas tij ka zgjidhje të tjera që mund të shmangin prishjen e shtëpive të tyre.
“Zotëri ne kemi vetëm një fjalë, nuk lëvizim gjallë nga shtëpitë se nuk kanë të drejtë të na i prishin. Parkimi që duhet të bëhet për stadiumin, e ka vendin se ku të bëhet. I bëjmë thirrje Kryeministrit ta shqyrtojë atë projekt se ka mudnësi të tjera”.
“Stadiumi nuk bëhet jemi zotë të stadiumit. Nuk lëvizim nga shtëpitë, pa kaluar mbi trupin tonë.Ata janë djemtë e atyre që i kemi rrëzuar në ’90. Ju rrëzojmë prapë” tha një tjetër protestues i revoltuar.
Përballë kësaj situate dhe ndërsa pritej ardhja e Kryeministrit, drejtuesit e policisë dhanë urdhër në përforcimin e masave të sigurisë.
Brenda pak minutash zonën përreth pallatit të sportit “Qazim Dervishi” e kanë rrethuar forca të shumta policie dhe FNSH, ndërsa banorët kanë pritur të qetë ardhjen e Ramës.
Asnjë reagim ndërsa ai hyri brenda, por madje vetëm duartrokitje. Për 60 minuta që zgjati shperndarja e çertifikatave të pronësisë së legalizimit, rreth 100 qytetarët e prekur nga ky projekt kanë pritur Kryeministrin e tyre në shi.
Me insistimin e prefektit Paulin Radovani ai vendosi të dëgjojë një përfaqësi të tyre dhe në fund u tha se stadiumi do të bëhet, duke mos patur kthim pas. Sipas kryeministrit Rama banesat që do të preken nga prishja do të kompensohen me vlerën e tregut.
Kaq ka mjaftuar dhe Rama është larguar, ndërsa banorët kanë vijuar t’i sqarojnë edhe deputetët.
Rreth 30 shtëpi banimi, mes të cilave edhe banesa mbi 100-vjeçare me dokumenta të rregullta, rrezikojnë prishjen. Vlera e kompensimit për truallin është 8300 lekë për metër/katror dhe 10.000 për godinë.(TV Ora News)
Ereniku says
Shtëpitë mbi 100 vjeqare duhet të mbrohen nga shteti e kurrësesi të rrëzohen nga morrat e kuq.