
Nga Hysen S. Dizdari/
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, e cila i parapriu Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Pas Revolucionit xhonturk të vitit 1908, qeveria e re osmane nisi një politikë të ashpër centralizuese. Ajo kërkoi çarmatimin e popullsisë, mbledhjen e taksave dhe rekrutimin e detyruar ushtarak në zona që historikisht kishin gëzuar autonomi dhe privilegje siç ishte Malësia e Madhe.
Kryengritja nisi më 24 mars 1911 në Malësi të Madhe, e udhëhequr nga krerët e shquar si Ded Gjo Luli, Çun Mula, Marash Uci, Nik Gjloshi Luli e të tjerë.
Një nga betejat më të rëndësishme ishte Beteja e Deçiqit dhe momenti më i rëndësishëm ishte ngritja e Flamurit kombëtarë shqiptarë në majën e Malit Deçiq, më 6 prill 1911, ku për herë të parë që nga 28 nëntori i vitit 1443, kur Skënderbeu ngriti Flamurin kombëtarë në Kalanë e Krujës. Pra, pas 468 viteve të sundimit osman, u ngrit në majën e Deçiqit Flamuri kombëtar shqiptar. Më 23 qershor 1911 në Greçë të Selcit, krerët e kryengritjes hartuan një dokument historik të njohur si “Memorandumi i Greçës”, ku kërkohej:
-Njohjen e kombit shqiptar dhe të autonomisë së Shqipërisë.
-Përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në administratë.
-Planifikimi i një buxhetin lokal për zhvillimin e vendit.
Forcat e kryengritësit u ndihmuan moralisht dhe materialisht nga emigracioni shqiptar dhe nga krerët kombëtarë si Isa Boletini, Mehmet Shpendi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e të tjerë. Nën presionin e kryengritjes dhe të situatës ndërkombëtare, Porta e Lartë u detyrua të nënshkruante një marrëveshje në gushtin e vitit 1911, duke pranuar disa nga kërkesat e malësorëve.
Edhe pse Kryengritja e Malësisë nuk arriti menjëherë autonominë e plotë të shtetit, vërtetoi se çështja shqiptare nuk ishte më thjesht një revoltë lokale për taksa, por një lëvizje politike për pavarësi. Si e tillë ajo shërbeu si shkëndija kryesore për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, e cila çoi në Shpalljen e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Kjo kryengritje mbetet një simbol i qëndresës heroike të Malësisë Madhe, ku u shqua guximi i malësorëve dhe vizioni i intelektualëve shqiptarë për një shtet të lirë e demokratik.