
Studim nga Rafael Floqi/
Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte një ngjarje e rëndësishme historike që përfshiu një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare në periudhën e periudhës së Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, dhe ishte e vlerësuar dhe pasqyruar si një ngjarje kryesore edhe në shtypin ndërkombëtar. Gazetat amerikane dhe evropiane, përfshirë ato britanike, shpenzuan shumë hapësirë për të trajtuar dhe komentuar ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë rajon të Ballkanit. Në shtypin amerikan të kohës, kryengritja e Malësisë së Madhe shpesh pasqyrohej si një manifestim i dëshirës për pavarësi dhe liri nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe më pas nga ndikimi i pushtetit të Serbisë dhe Malit të Zi. Gazetat kryesore të New York Times dhe Washington Post, që ishin të pranishme në tregun ndërkombëtar, shpesh e trajtonin këtë ngjarje si një shembull të luftës për vetëvendosje dhe lirinë e kombit shqiptar, duke theksuar heroizmin e luftëtarëve malësorë dhe karakterin e tyre të pamposhtur.
Në këto gazeta, shkrimet për kryengritjen shpesh përshkruheshin si një akt i mençur dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe si një reagim ndaj agresionit të dyfishtë të ushtrisë serbe dhe malazeze. Nga ana tjetër, shtypi britanik, veçanërisht ai i gazetave si “The Times” dhe “The Guardian”, kishte një qasje më të nuancuar dhe ndonjëherë më kritike. Gazetat britanike shpesh e përshkruanin situatën në Malësinë e Madhe si një pasojë të pasigurisë që kishte përfshirë të gjithë Ballkanin. Megjithatë, ato e theksonin rëndësinë e këtij rajoni në kontekstin e stabilitetit të përgjithshëm të Evropës dhe ndikimin që ngjarjet në Malësi mund të kishin në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht mes fuqive të mëdha, si Austria-Hungaria dhe Rusia. Për shumë analistë të kohës, shtypi britanik e shihte Malësinë e Madhe si një vatër tensioni të mundshëm që mund të shkaktonte probleme në stabilitetin rajonal.
Shtypi evropian, veçanërisht ai që mbështeste pozitat e fuqive perëndimore, shpesh kishte një ton kritik ndaj politikave të shteteve të Ballkanit, përfshirë Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat konsideroheshin si faktorë të mundshëm të destabilizimit në rajon. Kjo temë zë vend jo vetëm në gazetat e mëdha, por edhe në ato lokale, madje dhe të komuniteve, siç do t’i shohim më poshtë, që të suprizojnë madje kur tregojnë një tubim të panjohur më parë të ndodhur në Neë York, një bashkim të emigrantëve shqiptarë dhe atyre arbëreshë, për t’ia bërë të qartë publikut amerikan që të ndërgjegjësohej për fatin e shqiptarëve dhe të luftërave të tyre për liri dhe kjo qysh në qershor të vitit 1911, kur kryengritja kishte marrë hov. Le të ndjekim nga Gazeta “The Sun. [N.Y.]), Mars 06, 1911” artikullin e një kolone në artikullin “Shqiptarët luftojnë për liri”.
“Tri gjuhë të ndryshme ishin të nevojshme për të shprehur patriotizmin shqiptar dhe po aq të tjera u përdorën për ta komentuar, diskutuar dhe lavdëruar në një takim të mbajtur mbrëmjen e kaluar në shkollën italiane në rrugën e Worth-it, në New York e cila ishte thirrur nga banorët shqiptarë të Nju Jorkut me qëllimin për të rritur interesin e amerikanëve për luftën e Shqipërisë kundër turqve. “Aty ishte frymëzimi i tyre flamuri i kuq shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare dhe foton e Skënderbeut, heroit kombëtar, dhe në platformë ishin ulur disa të moshuar që kishin njohur vështirësitë e sundimit turk dhe vuajtjet e shqiptarëve. Prof. Giuseppe Cadicamo dhe Orazio Irlanni e thanë këtë në italisht dhe Misto Gorguzi and V. Shkëmbi në shqip, ndërsa Androw S. Slipman deklaroi në anglishte të thjeshtë se pse populli i Shqipërisë kërkontenw një qeveri të tijën dhe lirinë nga dominimi turk. Të gjithë në audiencë njihnin mjaftueshëm një nga këto gjuhë për të folur në kor sa herë që flitej për lirinë shqiptare.
Folësit duke folur për betejat e shqiptarëve për liri u kthyen në kohën kur turqit erdhën si pushtues në Evropë dhe pushtuan brezin e ngushtë të tokës përgjatë bregut të Adriatikut që shtrihej nga Mali i Zi në veri deri në Greqi në jug duk e bërë atë avant postin perëndimor të Perandorisë Osmane. Ata luftojnë për të rifituar lirinë e humbur dhe luftën nuk e kanë braktisur kurrë. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë një popull që kish rrëmbyer armët, të gatshëm për të luftuar sa herë që mblidheshin një grusht burrash dhe ata nënshtroheshin si në kryengritjen e fundit kundër turqve, vetëm kur kundër tyre dërgoheshin mijëra trupa shtypëse.
“Njerëzit tanë në këtë vend, – thoshte njëri nga shqiptarët, – nuk janë as të shumtë dhe as të pasur. Ka ndoshta rreth 10 mijë shqiptarë në Nju Jork dhe përreth, por shumica e tyre emigruan fillimisht në Itali dhe më pas në SHBA, por simpatitë e tyre janë para së gjithash për shqiptarët në atdhe, ndërsa lidhjet e tyre italiane u shërbejnë vetëm për të zgjeruar ndikimin e tyre tek amerikanët. “Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë dhe ne besojmë se do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë njerëzit tanë në atdhe. Ky takim nuk u bë me një qëllim apo organizim tw përcaktuar me ndonjë plan për këtë qëllim, por, thjesht, për të ngjallur interesin, mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe për një diskutim jozyrtar të mënyrave dhe të mjeteve për të dhënë ndihmë. Në kushtet e tanishme ne jemi një popull pa asnjë të drejtë dhe as për të përdorur gjuhën tonë, u tha në takim. ”
Ndërsa gazeta e komunitetit italian në SHBA “ La sentinella e West Virginias, më 03 qershor 1911, ku jepet një pasqyrë të ngjarjeve në Malësi përcillte shkrimin “Kryengritje në Shqipëri, rritet mosbesimi ndaj Turqve”, shkruante. “Cetinë, 15 Qershor -Konsulli i Turqisë në Podgoricë kishte postuar shpalljen e Turgut Shefqet Pashës, i cili ftonte malësorët e rebeluar të dorëzonin armët brenda pesë ditëve. Shpallje të shumta iu dorëzuan komandantit të guvernatorit të Podgoricës me lutjen, që t’i çonin në kampin kryengritës dhe ta përdornin ndikimin e tyre për t’i shtyrë rebelët, që të pajtoheshin me urdhrat e Turgut Shefqet Pashës, duke u premtuar atyre, se ushtria perandorake nuk do të tentonte asnjë sulm para skadimit të afatit.
Edhe pse afati ishte i shkurtër, Guvernatori i Podgoricës e pranoi, i menduar, në emër të fqinjësisë të mirë, misionin që i ofroi konsulli dhe dërgoi njoftim nga zyra për të nxitur malësorët rebelë që ta merrnin në konsideratë apelin e Turgut Shefqet Pashës.
Nëse përpjekje të tilla do të kishin sukses pjesërisht ai besonte se sot se një pjesë e madhe e kryengritësve do të kishin dorëzuar armët në Tuz; por për habinë e madhe të qeverisë e të së gjithëve, dje të dielën, mes orës 4 dhe 5 të mëngjesit, një pjesë e ushtrisë turke sulmoi gjatë të gjithë kufirit, pavarësisht, premtimeve që përmbante dhe u siguronte atyre deklaratat e konsullit turk.
Lufta, ishte e ashpër, dhe zgjati gjatë gjithë ditës. Emrat e të vrarëve dhe rezultati nuk dihen ende. Por, por mungesa e mirëbesimit ndaj konsullit të Turqisë dhe Turgut Shefqet Pashës, i ka dëmtuar shumë projektet e paqësimit dhe tashmë ka shkatërruar plotësisht efektin e shpalljes. Për më tepër, tani sulmi i lidh duart gjeneralit Vukotiq, i cili komandon garnizonin e Podgoricës. Ky precedent ka shkaktuar një indinjatë të thellë në të gjithë vendin.”
Ndërsa “The Bridgeport evening farmer”, e 12 Majit, 1911” në artikullin Apel Austrisë për Katolikët Shqiptarë, paraqet implikimin e gjeopolitikës të fuqive evropiane dhe të frikës të një lufte botërore që po përgatitej. “Kërkesat për një ndërhyrje austriake në emër të Malësorëve në Shqipëri vazhdojnë të dëgjohen në disa nga gazetat vjeneze. Një shqiptar katolik anonim botoi një “Apel për Fuqitë e Mëdha, për të mos lejuar që një “grusht e heronjsh” shqiptarët, të vdesin nën dhunën e mizoritë dërrmuese të turqve. Qeveria turke ka ndërmend t’i asgjësojë njëherë e përgjithmonë malësorët,. “Evropianë. Pushteti osman po kryen një akt të tillë mizor! A do të lejojë qeveria austriake, ndaj së cilës këta njerëz kanë treguar lidhjen më të madhe “sepse ajo është mbrojtësja e fesë së tyre, që gjaku i Malësorit të derdhet ashtu, siç t’u pëlqejë turqve?”
Doktrina e mosndërhyrjes mund të përkrahet gjithmonë në mjediset zyrtare si edhe e drejta e shenjtë e çdo shteti për të shtypur trazirat”, siç të dëshirojë, brenda kufijve të tij, mund të shpallet sipas diplomacisë ndërkombëtare, por është e kotë që Fuqitë e Mëdha të mbyllin sytë para faktit dhe metodave të përdorura kundër shqiptarëve, tw tilla si ato të përdorur si në rastin e fundit ndaj një populli të Evropës lindore. Por shtypja e Malësorëve sot por edhe e Maqedonisë nesër, do të jetë me pasoja që do ta detyronin Evropën të mbajë qëndrim”.
Artikujt të shumtë paraqesin dhunën e “Mizoritë e turqve. Vuajtjet e shqiptarëve të pabesueshme” Gjenerali Turk Turgut Shefqet Pasha është përgjegjësi për grabitje, vrasje dhe plaçkitje. Një korrespondencë me një kabllogram special për gazetën Evening star. Washington, D.C. e 06 gushtit,1911, e cila shkruante:
“LONDËR, 5 gusht 1911. Hetues specialë u dërguan në rajonin e turbullt të Shqipërisë për të raportuar për një situatë të rëndë përtej të besueshmes. Ata deklarojnë se nëse nuk merren masa nga ndonjë komb i fuqishëm i krishterë, fise të tëra shqiptarësh inteligjentë, paqësorë, e punëtorë do të shfarosen së shpejti.
Ata pohojnë se gratë dhe fëmijët po përballojnë barrën e mizorisë turke dhe tani ata ndodhen në një vend të infektuar me ethe, të mbushur me ushtarë turq, prirja e të cilëve për grabitje, vrasje dhe përdhunime, krahasohet me tregimet biblike që janë transmetuar që nga luftërat e Tokës së Shenjtë.
Në veçanti, ata akuzojnë Turgut Shefqet Pashën, gjeneralin komandues të trupave turke për to. Raportet e tyre thonë se “megjithëse Turqia ka nxjerrë disa gjeneralë të paskrupullt dhe gjakatarë, ajo kurrë nuk kishte prodhuar një njeri kaq djallëzor në aplikimin e metodave mizore shekullore turke të luftës, sesa Turgut Shefqet Pasha.” Ai, pretendojnë ata, mbështetet nga qeveria turke, dhe qëndron pas mizorisë hakmarrëse të treguar nga turqit ndaj kundërshtarëve të tyre.
Një racë Inteligjente
Për të vlerësuar domethënien e plotë të kësaj tragjedie historike që po ndodh në cepin juglindor të Evropës, është e nevojshme të kuptohet se njerëzit të cilët Turgut Shefqet Pasha po i shkatërron pamëshirshëm, nuk kanë asnjë nga atributet e turqve dhe as ngjasim me ta. Ata janë një racë e bukur, inteligjente, katolikë në fe, dhe në thelb popull evropian me prejardhje. Edhe pse për shekuj me radhë ata kanë qenë subjekt i dominimit brutal të turqve, ata kurrë nuk e kanë adoptuar gjuhën, fenë apo mënyrën e jetesës turke.
Lufta që po zhvillon tani Turgut Shefqet Pasha është një luftë e përqendruar tek vuajtja nga uria, taksat, plaçkitjet, shkatërrimet nga zjarri dhe masakrat e thjeshta brutale. Malësorët pasi kërkuan që ‘premtimet turke të bëra kur xhonturqit morën pushtetin në Stamboll, të përmbusheshin, Turgut Shefqet Pasha iu përgjigj duke djegur fshatrat e tyre. duke i dëbuar nga malet, duke marrë në zotërim qafat malore, duke i detyruar ata të qëndrojnë gjatë verës së nxehtë dhe të pashëndetshme në ultësira, ku bagëtia e tyre do të vdesin nga uria; duke iu mbyllur kështu të gjitha burimet e furnizimit me ushqime dhe duke shpallur rebelë të gjithë ata që u japin atyre ndihmë.
Të vrarë në Malësi
Gati gjysma e fiseve malësore janë mësuar që nga kohëra të lashta të zbresin çdo vjeshtë me kopetë dhe familjet e tyre në Bregu e Matit dhe të dimërojnë atje. Por në qershor tufa të mëdha mushkonjash e bëjnë këtë vend fushor të pabanueshëm dhe për këtë arsye në fillim të verës malësorët kthehen në malet e tyre. Turgut Shefqet Pasha, duke përfituar nga kjo shpërngulje vjetore, vendosi t’i shfaroste ata malësorë që mbetën në male në dimër. Pasi nuk e kapi dot ata përtej kufirit në Mal të Zi, në fillim të pranverës, ai mori në zotërim kalimet malore, nëpër të cilat pritej që emigrantët të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por ai refuzoi t’i linte ata që të ktheheshin. Fiset malësore tani janë të përqendruara në vende të ulëta malarike, ku po therin kopetë e tyre, nga të cilat varen ekzistenca, por nuk furnizohen mjaftueshëm me ushqim në vendet moçalore, ku si njerëzit ashtu edhe kafshët, po vdesin nga ethet e shkaktuara, nga pirja e ujit të ndotur të kënetave të ndenjura.
Ibrahim Efendi Qori, një oficer epror turk në Shkodër, ka deklaruar publikisht se qeveria osmane synon ta shpopullojë Malësinë për të sjellë aty më shumë kolonë të rinj myslimanë që simpatizojnë qeverinë dhe fenë turke. I njëjti zyrtar turk shton me qetësi se qeveria synon t’i lërë malësorët “të vdesin në Bregun e Matit si derrat në moçal”. Duket se Turgut Shefqet Pasha është afër arritjes së këtij qëllimi. Dhe vetëm një veprimi i bashkuar i popujve të krishterë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mund ta pengojë atë që të shfarosë mijëra të krishterë të Shqipërisë së Veriut”.
Si përfundim, kryengritja e Malësisë së Madhe nuk ishte thjesht një ngjarje lokale, por një shprehje e një lufte më të madhe për të drejtat kombëtare dhe vetëvendosje të popujve të Ballkanit. Në shtypin amerikan, kjo ngjarje pasqyrohej si një simbol i luftës për liri, por gjithashtu, si një reflektim i pasigurisë dhe tensioneve që përfshinin rajonin, duke krijuar kështu një imazh të ndërlikuar dhe të shumanshëm për publikun ndërkombëtar. Por ajo ç’ ka është e rëndësishme sipas konkluzionit të hulumtimeve tona, që publiku amerikan, e njihte dhe e mbështeste Kryengritjen e Malësisë së Madhe si një luftë e një populli të vogël, por trim për liri dhe pavarësi, qysh në vitin 1911 dhe e simpatizonte atë.
Si shqiptarët, ashtu edhe amerikanët, kanë luftuar për lirinë dhe dinjitetin e individëve, duke ndarë vlera të përbashkëta që kërkojnë drejtësi, mundësi të barabarta dhe respekt për të drejtat e njeriut. Në çdo periudhë të historisë, liria ka qenë fryma që i ka udhëhequr këto popuj drejt një të ardhmeje më të ndritshme. Jo më kot poeti ynë i rilindjes kombëtare Ndre Mjeda tek poezia Liria këndonte, mbi temën e lirisë dhe me lidhjen mes shqiptarëve dhe amerikanëve:
“Liria është jeta, është ndjenja, është drita,
Ajo është frymë që fryn në shpirtin e popujve,
Liria është luftë, është gjaku i derdhur,
Është shpresa që ringjallet, çdo ditë, çdo orë.”