-Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli, takim me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit/
-Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI
PRISHTINË, 29 Janar 2016/ Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli, duke folur për gjigantin ekonomik Trepça, në takim me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me të cilët bisedoi për sfidat me të cilat po përballet kjo agjenci dhe veprimet që do të ndërmerren në të ardhmen.
Kryeparlamentari Veseli theksoi se Trepça, si aset shumë i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, do të ketë perspektivë dhe nuk do të mbetet vetëm krenari historike e vendit.
“Kuvendi, në bashkëpunim me komisionin ndërqeveritar, ka filluar projektin për të ardhmen e Trepçës dhe në një të ardhme të afërt priten propozimet konkrete. Së shpejti do të kemi Ligjin për Trepçën. Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet. Veprimtaria ekonomike do t’u nënshtrohet rregullave të ekonomisë së lirë të tregut, por asetet të cilat kanë të bëjnë me miniera, nuk do të privatizohen”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Temë qendrore e diskutimeve në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishte çështja e pronave të uzurpuara, një problem ky mjaft shqetësues, i cili ka përcjell në vazhdimësi punën e kësaj agjencie. Ishte dakordim i përbashkët që shumë shpejt të bëhet publike lista e uzurpatorëve, në mënyrë që të dihen emrat e atyre që vazhdojnë të mbajnë të uzurpuara pronat publike dhe shoqërore në Kosovë.
Duke kërkuar që këtë proces ta përcjellë transparencë e plotë, kryeparlamentari Veseli tha se askush nuk duhet të gabohet dhe të besojë se mund të përfitojë nga prona e huaj. “Prona është e shenjtë dhe është e patolerueshme që sot të ketë ende prona të uzurpuara”, u shpreh ai.
Në takim, u diskutua edhe për mundësitë e shtimin e prodhimit vendor, duke rritur të punësuarit në veprimtari prodhuese. U vlerësua se një mundësi e mirë për këtë është rritja e investimeve të huaja, si dhe nga diaspora. Në funksion të kësaj, kryetari Veseli theksoi nevojën e krijimit të zonave të reja ekonomike, të cilat do t’u krijonin mundësi të reja investitorëve të huaj dhe atyre vendorë.
“Në zonat e lira ekonomike, investitorët potencialë të joshen me dhënien e tokave në koncesion, për një periudhë të gjatë, si kundërvlerë për investime dhe vende të punës. Gjithashtu, edhe asetet e tjera për të cilat ka interes nga investitorët kredibilë, duhet dhënë për 1 euro, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe investime”, theksoi Veseli.
Kryetari Veseli bëri të ditur se punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara, do të vazhdojnë të marrin 20 përqindëshin, si një e drejtë e patjetërsuar e tyre.
Kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, nga ana e tij, u ndal në një sërë çështjesh me të cilat përballet bordi i ri dhe komplet kjo agjenci, duke shprehur përkushtimin që t’u dilet mbanë të gjitha sfidave që ajo ka para vetes, si në procesin e privatizimit, ashtu edhe të largimit të uzurpatorëve nga pronat dhe shpërndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nisur vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, në 17 dhjetor, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në ditën e fundit të vitit 2015 – në 31 dhjetor, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë. Mes tjerash, Bordi diskutoi lidhur me zhvillimet e fundit në Ndërmarrjen Shoqërore Trepça nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit përbëhet nga tetë anëtarë: Petrit Gashi, kryesues dhe drejtorët Bajram Zejnullahu, Hamdi Jaha, Hasime Mazreku-Krasniqi, Haxhi Arifi, Ismail Januzi, Ranko Djokic dhe Skender Komoni.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe se janë 29,373 raste në instanca të ndryshme gjyqësore.
Që prej themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2008 (më parë emërtohej Agjenci Kosovare e Mirëbesimit), qeveria nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 10 shtator 2015 janë marrë gjithësej 555 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Gjatë vitit 2016 parashihet që Agjencia të dërgojë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.