Heshtja e Kryepeshkop Anastasit për meshën e lutjes dhe faljes së genocidit grek të kryer në Çamëri/
Nga Arben Llalla
Me rastin e festave të fundvitit, të cilat ua uroj të gjithë shqiptarëve dhe vëllezërve të mij ortodoksë, në një letër të hapur, kërkoja nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasios Janullatos, si hierark ortodoks, Primat i shqiptarëve, por edhe klerik i ardhur nga Greqia, që të mund të ndiqte shembuj të ngjashëm të Kishës Katolike dhe të Kishave të tjera Ortodokse. Kërkesa ime ishte nëse kryebariu i ortodokseve shqiptare mund të mbante një meshë përkujtimore për çamët ortodoksë të vrarë gjatë dëbimit nga Greqia, ku të kërkonte falje për genocidin e ideuar dhe ekzekutuar barbarisht nga shteti grek, në bashkëpunim me hierarkinë e lartë kishtare, mitropolitë dhe kryepeshkopë, emrat e të cilëve i përmendëm në letrën e hapur që i dërgonim me rastin e festave të fundvitit.
Sigurisht që unë nuk akuzova gjithë popullin grek dhe as gjithë kishën greke për përgjegjësi në këto masakra, por disa burra shteti dhe disa drejtues të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, të cilët nuk mund të fshihen pas institucioneve dhe të mos mbajnë përgjegjësi historike për fajet e kryera, genocidin mbi popullsinë shqiptare në Çamëri. Dhe siç ndodh sot në botën e qytetëruar, burrat e shteteve apo të kishave, pasardhës të titullarëve që tashmë nuk jetojnë më, pasi bëhen të ndërgjegjshëm dhe pranojnë fajet e kryera prej paraardhësve të tyre, kërkojnë falje publike dhe bëjnë ç‘është e mundur që plagët e së kaluarës që ndajnë popujt, të shërohen dhe njerëzit të shohin drejt së ardhmes. Por kjo nuk bëhet duke e mohuar të kaluarën, apo duke bërë sikur nuk i dëgjon ata që vendosin me fakte dhe dokumente individë para përgjegjësisë e që kërkojnë botërisht kërkimin e faljes, duke filluar pikërisht nga personi që ka deklaruar gjithmonë se është faktor bashkimi apo urë pajtimi mes popujve tanë. Në këtë rast, në mënyrë të përsëritur ka theksuar hirësia e tij, Anastasi. Të themi të drejtën, e prisja dhe nuk u zhgënjeva aspak nga heshtja absolute që pasoi letrën time, madje këtë herë, as nuk u munduan njerëzit që merren me PR-in e KOASH-it, të bënin ndonjë deklaratë kundër meje, që hyj atje ku s’më takon sipas tyre me argumentin klasik: Kush nuk është ortodoks, duhet të heshtë. A thua se Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë jeton e izoluar në ishull dhe nuk është pasuri shpirtërore kombëtare e gjithë shqiptarëve!?
Kryepeshkop Anastasi nuk kishte rrugëdalje që të pranonte thirrjen time dhe të kërkonte falje, sepse ai do të kryqëzohej nga shteti grek, i cili për 25 vjet i financon aktivitetin “mrekullibërës” në Shqipëri. Kjo do të thoshte që ai duhet të dilte kundër atdheut të tij, nëse pranonte botërisht krimet e kryera kundër popullsisë çame. Nga ana tjetër refuzimi publik i kërkesës sime, do ta vinte me shpatulla pas murit, pasi faktori shqiptar do të reagonte ashpër kundër tij, siç reagoi kur refuzoi kërkesat e familjarëve dhe shoqatave çame për mbajtjen e lutjeve të përshpirtjeve për shqiptarët e vrarë. Kështu, ai bëri atë që di të bëjë më mirë, diplomatin në vend të peshkopit kurajoz, që përpara interesave kombëtare të atdheut të tij, Greqisë, duhet të vinte interesat shpirtërore të shqiptarëve që bariton, por këtë gjë, Janullatosi nuk e bën dot kurrë, se nuk është në lartësinë e burrave kishtarë që dikur zbukuronin krishtërimin, të cilët s’e kishin për gjë të përplaseshin me perandorët për interesat e Kishës, sot Primati i shqiptarëve, iu bindet më tepër urdhërave të pushtetarëve tokësorë se sa Zotit.
Pyetja ime këtë herë për kryepeshkopin Anastasios është: Se çfarë e lidh Kryepeshkop Anastasin me grekët që janë dënuar si bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve 1941-1944, dhe çirren prej kaq vitesh se janë patriotët e flaktë të Greqisë? Çfarë e lidh Anastas Janullatosin me njerëzit që kanë projektuar aneksimin e një pjesë të Greqisë duke shpallur Autonominë nga ajo?