(Esse-analizë rreth librit “Historia e 33 Kryeministrave të Shqipërisë” e Gazetarit dhe Publicistit të njohur, Roland Qafoku.)
Shkruar nga Raimonda MOISIU/
“Historia e 33-e Kryeministrave të Shqipërisë” nga Ismail Qemali tek Edi Rama, titullohet vepra e Publicistit, Studiuesit dhe Analisit të njohur Roland Qafoku –një vepër dëshmuese historike nga më të mirat (bestseller), dhe më të kompletuarat që është botuar deri më tani, vepër, e cila do të “mbretërojë” gjatë dhe do të konsiderohet; një enciklopedi e rrallë dhe e vërtetë për të njohur shoqërinë shqiptare ndër etapa të ndryshme të histories. Në këtë vepër gjendet thelbi i ngjarjeve më të rëndësishme dhe kryesore, dhe rrëfehen jetëshkrimet dhe bëmat e burrave të shtetit që kanë patur dhe luajtur rolin kryesor në historinë dhe jetën social-ekonomike, politiko –historike të shtetit dhe kombit tonë.
Fjala “Histori” ka dy kuptime krejt të ndryshme, porse në vetvete i nënkupton që të dyja; atë se “çfarë ka ndodhur” dhe atë se “cfarë njerëzit kanë përjetuar”, atë se “cfarë kanë mësuar rreth jetës dhe ngjarjeve në të kaluarën, dhe atë se “cfarë është thënë” ose “cfarë është shkruar” për to.
Asnjë historian nuk mundet të rrëfejë se “cfarë ndodhi” qoftë edhe në një kohë të parëndësishme apo të shkurtër, që madje mundet të kenë ndodhur shumë gjëra, qoftë edhe në jetën e një individi, porse që të bëhet i mundur portretizim i plotë i staturës së tij, ajo duhet të jepet sa më e thjeshtë dhe e kuptueshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për njerëzit që kanë drejtuar shtetin.
Sikundër dëshmohet edhe nga vetë titulli i librit, të sjellësh “Historinë e 33 Kryeministrave të Shqiptërisë”, të cilët kanë ushtruar detyrën, reformuar dhe forcuar pushtetin dhe t’i portretizosh ata në etapa të ndryshme të historisë me personalitetin, karakterin, dritë-hijet, bëmat dhe gjëmat e tyre në skenën sociale, ekonomike e politike të kohës, këtë e ka bërë vecse aftësia e penës publicistike bashkëkohore e analistit fort të njohur, Roland Qafoku.
Të jesh publicist, gazetar, studiues dhe analist dhe të sjellesh një përmbledhje të biografive dhe marrëdhënieve të figurave që kanë udhëhequr shtetin dhe kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, duhet të mbledhësh dokumente e fakte historike, do të thotë- ta duash letërsinë dhe publicistikën.
Autori i është përkushtuar denjësisht kësaj vepre,
duke e zgjeruar mjeshtërisht sinoptikën e vështrimit ideo-artistik në kursin social-politik dhe shtrirjes së gjerë të kombinimit të fakteve historike dhe kujtesës, në shkrimin e historisë midis letërsisë dhe publicistikës, me kombinimin e përkryer të modernes me tradicionalen, nëpërmjet etapave, episodeve, ngjarjeve dhe ndikimeve të kaosit jashtëzakonisht të ndërlikuara të jetës social-politike -ekonomike, ideollogjike dhe filozofike të shoqërisë shqiptare, administratës, qarqeve të larta dhe krerëve sundues të kohës, në vecanti.
Autori Qafoku i ka pasqyruar dhe rradhitur me një vërtetësi e besueshmëri të plotë, dije e mëncuri, jetëshkrimet e tyre, ngjarjet, dokumentat, shkaqet, rrjedhën, pasojat dhe faktet historike, por edhe ato sociale, ekonomike e politike, të cilat bënë edhe historinë e shtetit shqiptar.
Sikundër e përmenda edhe më lart autori lëvron fushën e publicistikës, është analist, studiues dhe gazetar profesionist fort i njohur, dhe e di fare mirë se është pikërisht gazetaria ajo që furnizon makinën narrative dhe historia shpaloset. Por jo vetëm kaq! Erudicioni i kockës së fortë intelektuale e qytetare të publicisit, studiuesit dhe analistit Roland Qafoku dëshiron të nxitë, inkurajojë dhe t’u japë zemër historianëve që të shkruajnë edhe për atë audiencë që është e interesuar të dijë për historinë e shtetit shqiptar.
Në këtë vepër ndërthuren etapa dhe situata të ndryshme, fakte dhe vërtetësi historike të jashtëzakonëshme, si ato që paraqesin luftën politike për pushtet dhe si ato që japin tablonë e përgjithëshme të jetës intime të kryeministrave shqiptarë ndër vitet e jetës së tyre, në akord me ngjarjet dramatike, social-ekonomike dhe politike të kohës. Duke lexuar këtë përmbledhje të jetëshkrimeve dhe biografive të kryeministrave, vëren se je duke lexuar kronikën e jetës politiko-shoqërore të kohës e brejtur, përbrenda nga sëmundja e pështjellimeve, korruptimit, paaftësisë, luftës për postin e kryeministrit, mungesës së parimeve, veseve dhe imoralitetit, dekadencës apo disa prej tyre edhe të papërshtatshëm për të qenë kryetar shteti. Porse dhe cila ka qenë njëkohësisht edhe historia e jetës së tyre, e mbuluar me aq mister, tragjedi, komedi, sfida e kthesa, të papritura dhe të paparashikuara! Disa prej tyre, rioshë e të mplakur, të paaftë apo luftarakë, të lodhur apo aktivë, virtuozë apo të korruptuar, modestë apo madhështorë, të aftë apo të papërshtatshëm, ama secili prej tyre ka hyrë në zyrën e ekzekutivit përmes një sërë vizionesh, triumfe dhe arritje historike, politike dhe social- ekonomike, madje disa prej tyre hynë edhe aksidentalisht aty, disa prej tyre qëndruan për disa mandate, sikundër shquhet ish-kryeministri Mehmet Shehu, i cili qëndroi plot 27 vjet 4 muaj dhe 29 ditë, më pas Fatos Nano, Iljaz Vrioni dhe Ahmet Zogu me disa mandate, pati kryeministra edhe me disa muaj, dhe
ajo më epikja në Historinë e 33 Kryeministra të Shqipërisë është qëndrimi vetëm për “Një Ditë Kryeministër”, – i Qazim Koculit!
Ndonëse, shumica e Kryeministrave kanë qenë bejlerë, pashallarë, profesorë, doktorë shkencash, ekonomistë, diplomat dhe me formim ushtarak, autori Qafoku ka mundur të hedhë sadopak, sfidën e përshtatjes së personazhit të një Kryeministri dhe është përpjekur ta paraqesë atë me mëncurinë dhe ambicjet e tij, ashtu sikundër ai ka qenë në të vërtetë, me të mirat e të metat e tij, pra “një sundimtar”(nënkupto-kryeministër) që ndërthurrte dhuntitë, aftësitë dhe pushtetin e ‘një mbreti”, atë të kryeministrit dhe komandantit të forcave të armatosura, me dritë-hijet e pushtetit, medokritetit dhe shkëlqimit, aventurat sentimentale të tyre, abuzimeve të pashëmbullta financiare, intrigave për të akaparuar pushtetin në duart e një grupi. Në shënimet biografike të kryeministrave përtej zyrës qeveritare, Roland Qafoku ka shpalosur me hollësi, guxim dhe mjeshtërisht karakterin individual të secilit kandidat për postin e kryeministrit; një kryeministër kishte probleme me alkolin, ndërsa një tjetër kryeministër kishte probleme me lëndët narkotike, dhe kokainën, një tjetër kryeministër ishte tradhëtar i kombit, gjaksor dhe njihej per aventurat e tij sentimentale, bridhte bordellove të Parisit, një tjetër kryeministër luante bixhoz, e të tjera vese të “dirty moral” të pajustifukueshëm e të papranueshëm për një burrë shteti. Autori nuk ka ngurruar aspak, porse ka shpalosur edhe aventurat sentimetale të bashkëshorteve apo të ish -bashkëshorteve dhe të vet-kryeministrave dhe të elitës qeveritare të kohës, madje pesë prej tyre i kishin bashkëshortet të huaja –jo shqiptare,(më tipikja që respektohet e kujtohet me nderim edhe sot nga shqiptarët, është hungarezja Geraldina, bashkëshortja e Ahmet Zogut).
Liderët e Europës, ishin të mëncur në politikat e salloneve mbretërore dhe të monarkisë, të njohur gjithashtu për lidhjet e tyre me njëri-tjetrin, dhe këtu nuk bën përjashtim edhe Ahmet Zogu, që pasi u bë kryeministër u bë president e më pas mbret, dhe qëndroi për 4 mandate si kreu i ekzekutivit duke mbajtur në pushtet njerëzit e tij dhe lidhjeve familjare.
Roland Qafoku rrëfen në HYRJE të librit se lufta për pushtet dhe për t’u bërë kreu i ekzekutivit zhvillohej me ashpërsi e cinizëm të pashoq, dhe i shndërronte ata në armiq të betuar me njëri tjetrin:
“Cfarë nuk bëri Esad Pashë Toptani për ta eliminuar themeluesin e shtetit shqiptar…dhe arriti eliminimin fizik të Ismail Qemal Vlorës, të cilën e realizoi kur njerëzit e tij i hodhën helm në kafen e mëngjesit në një hotel në Perugia.”
Watergate Scandal – it’s not about Greedy, it’s all about Power! (Skandali i Watergate-it nuk ishte për pangopësinë, por e gjitha për Pushtetin!
Kjo frazë e një analisti amerikan të kohës së Skandalit të Watergate-it, më erdhi ndërmend teksa lexoja librin “Historina e 33 Kryeministra të Shqipërisë”dhe sepse gjeta shumë gjëra të ngjashme te disa kryeministra të kohës, që kanë përdorur politikën në luftën për pushtet. Për secilin prej kryeministrave që nuk jetojnë më, autori rrëfen fundin fatal e njëzet e dy prej tyre; dhjetë prej tyre të vrarë në rrethana të paqarta dhe ende të pazbardhura, një i “vdekur” në detyrë, katër kryeministra të vrarë në atentat, dhe katër kryeministra vdiqën në rrethana të dyshimta, ndërsa një kryeministër e la veten të vdiste me dëshirë, ndërsa dy kryeministra janë vrarë e pushkatuar si tradhëtarë të atdheut nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës, që nuk njihte arësye sado të vogël të moralit njerëzor për t’u zmbrapsur përpara akteve me barbare e c’njerëzore.
Deri në ditët e sotme, që prej vitit 1912 kur Plaku i Vlorës Ismail Bej Vlora shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e cila domonoi për gati 500 vjet Ballkanin Perëndimor.-në Shqipëri kanë ushtruar, reformuar dhe luftuar për kreun e ekzekutivit, për më tepër se 110 vjet histori shteti, 33 Kryeministra; Ismail Bej Vlora, Esad Pashë Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Idhomen Kosturi, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu Shefqet Verlaci, Theofan Noli, Mehdi Frashëri, Kostaq Kotta, Mustafa Merlika Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Ibrahim Bicaku, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Carcani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksander Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko Ilir Meta, Sali Berisha Edi Rama- pra –Kryetarët e Qeverive janë 33, po në memorie sa mbeten!
Publicisti, studiuesi dhe analisti Roland Qafoku me inteligjencë, mëncuri, profesionalizëm dhe vetëdijen e shëndoshë e të mprehtë ka vënë veten dhe historinë në provë duke na sjellë një vepër të shenjtë dhe tejet interesante me simbolikën e një rëndësie të vecantë për studimet historike në letrat shqipe, sidomos shkencore dhe publicistike. Përmbledhja e biografive të 33 Kryeministrave Shqiptarë është vlerësuar ndjeshëm
dhe vazhdon të vlerësohet gjërësisht nga nga kritika e kohës, dhe audienca e admirueshme e lexuesve. Libri në fjalë është shëmbulli i mëncurisë, dijes dhe qytetarisë me principe thellësisht demokratike të penës publicistike bashkëkohore të autorit, Roland Qafoku. Me modestinë dhe pjekurinë profesionale dhe mbresëlënëse, që e karakterizon publicistin, studiuesin, dhe analistin Roland Qafoku, sapo botoi një libër të ri, i të titulluar; “AMBASADORËT AMERIKANË NË SHQIPËRI (1922-2022), që përkon edhe me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, një tjetër libër me dëshmi e fakte historike i vlerësuar nga kritika e kohës.
Duke i shprehur mirënjohjen e thellë mikut tim Landit, dhe njëkohësisht i uroj; Urime dhe Suksese në veprat e tjera!
Raimonda MOISIU
Tetor 2022
Author/Freelancer
Florida/SHBA