
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që shoqërohej nga Alyson Grunden, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, këshilltar për Çështje Ballkanike në Departamentin Amerikan dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën Amerikane.Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.Kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel.Tutje, ai nënvizoi se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.Kryetari i Kuvendit e falënderoi emisarin amerikan Gabriel Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut, teksa i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për fuqizimin dhe avancimin e partneritetit të ndërsjellë.