Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi dje, vendimin e Ramës për shtyrjen me 6 muaj të Ligjit për statusin e Nëpunësit Civil si një vendim antikushtetues dhe arbitrar. Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se, Kryeministri Rama shpërfilli paralajmërimin e opozitës dhe hodhi poshtë konsensusin e arritur në Parlament. “Mbrëmë, me një akt të njëanshëm antikushtetues dhe në mungesë totale transparence, Edi Rama shpalli shfuqizimin gjashtëmujor të Ligjit “për Nëpunësin Civil”, i miratuar me konsensus dhe unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë, në maj të këtij viti. Ky është një nga tre ligjet, mosmiratimi i të cilëve me konsensus vitin e kaluar, u bë shkak që Shqipëria të mos përfitonte statusin e vendit kandidat. Ky është një nga tre ligjet, për të cilat Brukseli zyrtar u shpreh se, nuk mjaftonte as miratimi me referendum, por duhej patjetër konsensus, konsensus që u dha më në fund në 30 maj, pasi Rama u sigurua se ishte tepër vonë për të përfituar statusin në pranverën që shkoi. Mbrëmë, ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen arbitrare dhe antikushtetuese të aktit normativ”, theksoi Basha. Kryetari i PD, akuzoi Ramën se me aktin e ndërmarrë vendosi interesat personalë mbi ato të Shqipërisë dhe rrugës së saj europiane. “Duke vënë mbi interesat madhore të vendit, interesa egoiste dhe meskine, Rama hodhi poshtë mbrëmë me një firmë të vetme, konsensusin unanim të mbarë Kuvendit. Kjo nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë në vendet që mbështeten në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, që rrezikon aspiratën tonë integruese në Europë dhe riciklon konfliktualitetin politik në vend”, theksoi Basha. Në vijim, Basha kujtoi se motivi i shtyrjes së këtij ligji është spastrimi i administratës, duke hequr mbrojtjen ligjore dhe duke shtuar intensifikimin e shkarkimeve. Më tej, Basha krahasoi se akte të tilla ndodhin vetëm në Republika-banana. Në këtë pikë, ai i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta të dëshmojë që, salla e Kuvendit nuk është bërë qesharake. “Kjo ndodh vetëm në banana-Republikat që mbështeten në ligjin e xhunglës. Duke zhbërë me një firmë të vetme një ligj konsensual, Rama e ka trajtuar Kuvendin e Shqipërisë si banana-Kuvend dhe partnerët tanë që aq shumë këmbëngulën në vlerat e konsensusit, si manekinë. Kryetari i Kuvendit të bëjë detyrën e tij, për të provuar se Parlamenti nuk është banana-Kuvend dhe të shmangë çdo tundim të mazhorancës, për të peshkuar mandate të opozitës me mjete dhe mënyra korruptive. Mazhoranca duhet ta kuptojë se, konsensusi nuk është çështje numrash, por vlerash”, theksoi Basha. Me një akt tė paprecedentë, Kryeministri Edi Rama zeroi shtetin ligjor dhe Kushtetutën e vendit, duke shtyrë në kalendat greke Ligjin “për Nëpunësin Civil”, me pretendimin se, ligji është i pazbatueshëm në formën që është. Kryeministri Rama në shkelje tė plotë të Kushtetutës pretendon se mund të kapërcejë Parlamentin e Republikës me një akt të nëpunësve ministra. Ky akt i paprecedentë i Kryeministrit Rama zeron konsensusin politik të arritur për tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian, madje synon të anulojë një prej tre ligjeve, atë “për Nëpunësin Civil”. Qëllimi i moszbatimit të këtij ligji nga Rama është spastrimi i administratës publike për ta mbushur me militantë partiakë.