Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha u takua në Prishtinë me gjeneralin Wesley Clark ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën i cili udhëhoqi ushtarakisht ndërhyrjen historike të NATO-s në vitin 1999 në bombardimin e Serbisë pas gjenocidit dhe krimeve monstruoze mbi shqiptarët e Kosovës. Dr. Berisha i shprehi mirënjohjen e thellë, respektin e veçantë dhe vlerësimin e lartë gjeneralit Clark në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve për përkushtimin e tij dhe forcës atlantike në lirinë dhe çlirimin e Kosovës prej pushtuesve fashistë serbë. Dr. Berisha e siguroi gjeneralin Clark se Vatra do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet amerikane për të mirën e shqiptarëve në trojet etnike dhe komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Berisha theksoi se kombi shqiptar i është mirënjohës përjetë popullit, kombit e vendit mik Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithçka që i kanë dhënë kombit shqiptar përgjatë historisë shekullore të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.