

Dr. Pashko Camaj/
Ishte një takim miqësor e frytdhënës në Federatën Vatra me kryetarin e degës së Vatrës në Jacksonville, z. Adriatik Spahiu. Si sekretar i Vatrës, bashkë me anëtarin e kryesisë z.Ilir Cubi, patëm nderin e veçantë ta mirëpresim personalisht patriotin Spahiu. Biseduam gjerësisht për çështje që kanë rëndësi për degën e tij dhe për aktivitetet që ai ka ndërmarrë në Florida ku veçuam hapjen e shkollës shqipe mbi një dekadë më përpara. E falënderova për punën, kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Vatrës dhe çështjes kombetare.
Diskutuam gjithashtu dhe për ngjarjet që Vatra do të përkujtojë, veçanërisht 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë – që do të shënohet këtu në New York, por edhe në qytete të tjera të SHBA-së si Jacksonville, Tampa, Miami, Boston, Michigan etj. Folëm imtësisht edhe për çështje të tjera me rëndësi specifike që lidhen me aktivitetet e Vatrës, me rolin e saj si pasuri dhe trashëgimi e identitetit shqiptar dhe si një organizatë patriotike që bashkon shqiptarët kudo që ndodhen. Ishte një takim frymëzues dhe me shumë vlerë për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet degëve me Federatën Vatra. Mirënjohje çdo patrioti që kontribuon dhe sakrifikon për Vatrën e kombin.