Nga Sokol Paja/
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikes VATRA z. Elmi Berisha u takua me z. Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën dhe ish-Ambasador amerikan. Në një darkë pune, Ambasador Frank Wisner vlerësoi Shqipërinë dhe Kosovën si dy miq dhe aleat të pandarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Wisner shprehu mirënjohjen më të thellë dhe falenderimin më të përzemërt për popullin shqiptar dhe shtetin e Kosovës e Shqipërisë për përgjigjen pozitive dhe të mënjëhershme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim pranimin dhe strehimin e inteligjencës së Aganistanit në shtetet e tyre. Z. Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën e çmoi jashtë mase gatishmërinë dhe përkushtimin e shteteve shqiptare për të ndihmuar SHBA në përballimin e krizës së re humanitare në Afganistan. Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar në takim ishte vazhdimi i bisedimeve Kosovë-Serbi nën përkujdesjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që konsiston në njohjen reciproke dhe në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike e ndër institucionale. Ambasador Frank Wisner u pajtua me rolin e fuqishëm të diasporës shqiptare në SHBA në lobim dhe ndihmën e pakursyer për zhvillimin e proceseve integruese dhe miqesisë së ngushtë me Uashingtonin zyrtar dhe institucionet e shtetit amerikan. Z.Berisha dhe Ambasador Frank Wisner ishin të mendimit se Tirana e Prishtina zyrtare duhet të bashkëpunojnë dhe të lobojnë fort si një ekip i vetëm me qëllim që faktori shqiptar në Ballkan të jetë solid, më i fortë dhe shtetet shqiptare të kenë të ardhme të qëndrueshme, të sigurtë, ekonomi të fortë dhe institucione model të zbatimit të ligjit dhe kryerjes së reformave integruese në Bashkimin Europian. Kryetari i Vatrës z.Berisha dhe Ambasador Frank Wisner theksuan fuqishëm idenë e krijimit të një plani afatgjatë ekonomik nga Administrata e Presidentit Biden për zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e ekonomive kombëtare të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryetari i Vatrës z.Berisha dhe Ambasador Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën theksuan domosdoshmërinë e një strategjie diplomatike kombëtare afatgjatë me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në Ballkan dhe lobim më të fortë të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit kombëtar shqiptar në Ballkan dhe jo vetëm. Kryetari i Vatrës z.Berisha e garantoi Ambasador Frank Wisner se Kosova, Shqipëria dhe diaspora në Amerikë do të punojnë fuqishëm për një plan strategjik ekonomik, politik, diplomatic dhe forcim të bashkëpunimit me aletatin më të madh të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.