
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha dhe stafi që e shoqëronte u prit në një takim të përzemërt e vëllazëror nga ish- Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Ramush Haradinaj në Selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Temë diskutimi ishte situata e përgjithshme në Kosovë, situata e sigurisë së brëndshme, propozimi Franko-Gjerman dhe çështja e përmbylljes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i dyanshëm se është në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon arritja e marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu u bisedua për rolin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe intensifikimin e angazhimeve në Washington DC. Heroi i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës z.Haradinaj në faqen e tij zyrtare shkroi: “Gjithmonë kënaqësi kur takohem me Federatën “Vatra”, organizatë kjo me traditë shekullore në avokimin e kauzës shqiptare në Amerikë. Edhe pse kaluan Atlantikun, bijtë e shqipes asnjëherë nuk u ndanë nga trungu shqiptar. Ashtu vazhdojmë edhe tani, të bashkuar e të koordinuar për interesin nacional dhe një të ardhme më të ndritur për Atdheun tonë të përbashkët”.