
New York, 7 Korrik 2023- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti. Në takimin e përzemërt e vëllazëror, së bashku me z.Berisha në takim ishin personalitete të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si z.Harry Bajraktari, Musa Dakaj, Halil Mula etj. Temë kryesore e diskutimit ishte situata e tensionuar në veriun e Kosovës, sfidat me të cilat ndeshen institucionet në Kosovë, sfidat e qeverisjes vendore në Kosovë, roli i shqiptaro-amerikanëve në ngjarjet vendimtare dhe historike ku ka kaluar Kosova e kombi shqiptar etj. Kryetari i Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti ftoi miqtë dhe shtroi idenë e rritjes gjithnjë e më të madhe të investimeve të shqiptaro-amerikanëve për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, zhvillimin e punësimit dhe tregjeve në Kosovë. Z.Haliti u shpreh falënderues dhe mirënjohës për gjithçka që mërgata e Amerikës ka bërë për Kosovën duke filluar nga Vatra e çdo individ apo shoqatë patriotike që ka mbështetur Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe popullin e Kosovës në përballje me sfidat e përditshme për mirëqenie e progres.