Të dashur Vatranë,/
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,/
Të Nderuar Klerikë,/
Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,/
Të dashur bashkëatdhetarë që na ndiqni sot nga gjithë globi,/
Kam nderin e lartë dhe privilegjin e madh të uroj secilin prej jush “Gëzuar Ditëlindjen e Vatrës”!
Pas 106 vjetësh punë të palodhur, ne vatranët jemi mbledhur sot si rrallë herë për të festuar jetën e gjatë të Federatës sonë dhe për të qenë më shumë se kurrë krenarë.
Nuk ka fushë të jetës dhe veprimtarisë së kombit shqiptar, ku nuk gjendet prania e Federatës Vatra: Në art dhe fotografi, në diplomacy, në qeverisje dhe në drejtimin e shtetit, në kontributin për ngritjen dhe forcimin e komuniteteve fetare dhe harmonisë fetare, në arsim, në letërsi dhe në kulturë, në gazetari, në muzikë dhe në shkencë. Etërit e Federatës sonë Konica e Noli, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe drejtuesit e Vatrës ndër vite na kanë lënë pas një trashëgimi të paçmuar, e cila sa më shumë kalon koha aq më shumë merr dimensione të reja. Ne përulemi me respekt sot për gjithë ç’ka është bërë në Federatën tonë dhe shprehim publikisht mirënjohjen dhe respektin për ata vatranë të njohur dhe panjohur që e shndërruan Vatrën në burimin e energjive pozivite për të bërë gjëra të mira dhe të dobishme për kombin tonë në momente vendimtare të historisë.
Të dashur Vatranë,
Historia e Vatrës dhe lavdia e së shkuarës nuk mund të shërbejnë si motivi kryesor I veprimtarisë sonë të tanishme. Çdokush nga ne duhet të ndjejë përgjegjësinë të bëjë diçka, aty ku mundet, të dukshme e të padukshme për Vatrën e sotme. Ne nuk mund të qëndrojmë në hijen e kurorës së lavdisë së shkuar. Koha sot na kërkon të jemi sërish në krye të punëve të mira kombëtare.
Vatra nuk merret me politikë dhe nuk është formacion politik. Por, Vatra është “mbipolitike”.
Vatra ka të gjithë të drejtën historike dhe morale të shqetësohet për bashkëkombasit tanë kudo që ata ndodhen dhe jetojnë.
Ne konstatojmë me dhimbje se gjendja shoqërore në Shqipëri është e rëndë. Shqiptarëve u është vrarë shpresa, e cila është forca thelbesore për ecjen përpara dhe për zhvillim. Emigracioni i pandërprerë, ulja konstante e standarteve demokratike dhe kaosi I brendshëm në Shqipëri na trishtojnë pa masë. Raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera politikëbërëse e politikëzbatuese janë fatkeqësisht të zymta kur flitet për kanabizimit të vendit, papunësinë e të rinjve dhe shtrirjen e korrupsionit në çdo qelizë të administratës.
Por, ajo që na rrit ankthin dhe shqetësimin është cënimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm në pesë vitet e fundit janë konstatuar disa raste flagrante të goditjes së këtyre marrëdhënieve nga ana e Qeverisë Shqiptare, deri edhe rreshtimi i hapur kundër vendimeve zyrtare të Qeverisë Amerikane. Federata Vatra ka reaguar me forcë dhe ka bërë të ditur qëndrimin e saj tek autoritetet amerikane se Ne, pra Vatra, gjithë anëtarësia jonë e madhe, mbështetësit dhe simpatizantët tanë në botë janë me tërë forcën për forcimin e marëdhënieve shqiptaro – amerikane dhe se distancohemi nga çdo tentativë për dobësimin e këtyre marëdhënieve dhe për më tepër rritjen e relacioneve me shtete joperëndimore që shfaqin tendenca diktatoriale. Ne shqiptarët, kemi vuajtur nga diktatura komuniste, e cila edhe sot ka lënë pasoja shkatërrimtare ndër ne, ndaj mbështesim me gjithë forcën politikën e Presidentit Trump për rritjen e autoritetit të Shteteve të Bashkuara në botë, veçanërisht në përpjekjet amerikane për goditjen e qeverivë diktatoriale. Federata Vatra në strategjinë e saj për politikën e jashtme ka vendosur të shpalosë publikisht dhe të mëshojë fort kudo tek shqiptarët në botë se Shqipëria dhe Shqiptarët në Ballkan kanë vetëm një Aleat Strategjik në jetë të jetëve, dhe ky eshtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Me lejoni që në emrin tuaj të falendroj përzëmërsisht Qeverinë e Shteve të Bashkuara dhe Presidentin Trump për gjithë vëmendjen dhe përkushtimin që kanë dhe do të kenë ndaj shqiptarëve.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Federata Vatra gjendet sot e nderuar nga komuniteti shqiptar në SHBA dhe në botë më shumë se asnjëherë më parë. Marëdhëniet e shkëlqyera me institucionet fetare, organizatat dhe shoqatat kulturore, arsimore, krahinore, profesionale, etj janë në nivelin më të lartë dhe do të fuqizohen më tej. Ne po japim ndihmën tonë në fuqizimin e arsimimit të fëmijëve shqiptarë në diasporë, rritjen e aktiviteteve kulturore dhe shtimin e pranisë sonë aty ku nevojitet mençuria, maturia, përvoja dhe fuqia e Vatrës.
Ne respektojmë të gjitha strukturat e diasporës shqiptare në botë, I mirëkuptojmë dhe I nxisim të rrisin autoritetin dhe prestigjin e tyre, dhe ndjehemi mirë që komuniteti shqiptar e sheh Vatrën me respekt e admirim.
Të nderuar Vatranë,
Ky 106 vjetor është një vit i rëndësishëm për Federatën tonë per një sërë reformash që në kemi ndërmarrë për rivitalizimin e saj. Ne kemi afruar kapacitete të vlerësuara kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht duke i dhënë Vatrës sonë të dashur më shumë hapësirë mendimi dhe veprimi.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të Vatrës dhe së shpejti do të afrojmë sipërmarrës, bisnesmenë dhe individë të cilët duan ta ringrejnë Vatrën ekonomikisht.
Unë u jam mirënjohës gjithë vatranëve dhe mbështetësve tanë për urimet e tyre, kudo që ndodhen në New York, New Yersey, Connecticut, Michigan, Washington DC, Virginia, Maryland, Jacksonville, Fort Lauderdale, Tampa, Orlando, Kanada, Boston, Uster, California, Texas, Arizona, Maine, North Carolina, Ohio, Pensilvania, Rode Island, por edhe me gjerë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Francë, dhe kudo që ndodhen për punën e madhe që bëjnë për të mbajtur të fortë kulturën, traditën dhe virtytet më të mira shqiptare. Dhe I drejtohem të gjithë vatranëve dhe mbështetësve tanë: faleminderit për përkushtimin tuaj, jeni të gjithë të mirë dhe do të bëjmë së bashku vepra të mëdha. Ne kemi bekimin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në botë dhe këto lutje e bekime na bëjnë të jemi të fortë e të pathyeshëm.
Ne nuk punojmë për historinë, por mekanizmi i historisë i jep vendin e tij çdokujt, ndaj besoj se vatranët do të qëndrojnë në piedistalin e artë të shqiptarisë. Jini krenarë që jeni vatranë.
Të nderuar miq,
Forca e jonë qëndron tek besimi që ne kemi për të ardhmen. Më lejoni të deklaroj publikisht se Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të shtojë më shumë ritmin e punëve të saj duke mbetur qendër e nismave në shërbim të shqiptarëve. Prandaj Vatra ekziston: T’i shërbejë kombit. Do të hasim në vështirësi, por do t’ja dalim mbanë sepse koha është me ne, dhe Koha është fuqia më e madhe. Koha do të thërresë sërish Federatën Vatra në zgjdhjen e çështjeve të rëndësishme dhe Vatra do të jetë gjithnjë aty, në ballë dhe përballë çdo force që tenton të vonojë orën e historisë së shqiptarëve. Vatra do të mbetet Ylli Polar i shqiptarëve në botë.
Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA;
Rrofshin shqiptarët,
Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
*Fjalimi i Kryetarit te Vatres z. Dritan Mishto ne darken kushtuar 106 vjetorit te Themelimit te Vatres(28 prill 2012) dhe njohjes prej shtetit Amerikan(13 qershor 1912).
*Fotografite i shihni ne facebook(dielli vatra)