KRYEVATRANI QË BASHKOI GJAKUN E SHPRISHUR TË ARBËRIT ME SHQIPTARËT E AMERIKËS/
*KUJTOJMË KRYETARIN E VATRES, PETER CHIKOS, MAJORIN E SHTABIT TE GJENERAL EISENHOWER, QË U DEKORUA ME KRYQIN E FRANCËS DHE YLLIN E BRONZTË TË AMERIKËS(POR JO NGA SHTETI SHQIPTAR)…
- PAS LIRIMIT NGA USHTRIA CHIKOS KRIJOI ANGJENSINË MË TË FUQISHME TË SIGURIMEVE NË NEW ENGLAND, U MOR ME MENAXHIMIN E GAZETES DIELLI DHE U ZGJODH KRYETAR I VATRËS-
- ME 20- 30 NËNTOR 1969, ME RASTIN E 60 VJETORIT TË DIELLI AI SOLLI 120 PËRFAQËSUES TË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË BOSTON DHE NJU JORK NË VEPRIMTARI 10 DITORE…
PETER CHIKOS KISHTE NJË ËNDËRR: TË BASHKONTE GJAKUN E ARBËRIT NËPËR BOTË…
- U SHUA ME 1 KORRIK 1970 DHE U PËRCOLL ME PROTOKOLL ZYRTAR TË SHTETIT TË MASACHUSSETTS ME 3 KORRIK.
NGA DALIP GRECA*
Diaspora shqiptare ishte e pafat pse unifikusi i gjakut të shprishur të Arbërit, Peter Genci Chikos, i biri i njërit prej themeluesve të Vatrës, arkëtarit të parë të saj, bashkëshoqëruesit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Orthodokse Autoqefale, ish Kryetari I Besa-Besën, Llambi Chikozit, qe jetëshkurtër. Ai ndërroi jetë në fillim të betejës për të bashkuar gjakun e Arbërit të shpërndarë nëpër botë. Shkoi në vendbanimet e arbëreshëve, në Palermo, në Romë, u prit nga Papa, mori pjesë në veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, dhe një vit më pas e “tundi” Amerikën tek solli një përfaqësi prej 120 arbëreshësh, profesorë, akademikë, studiues, klerikë, vajza të reja, që për 10 ditë u bashkuan me shqiptarët e Amerikës dhe organizuan koncerte e vizita në Boston, paradën e madhe shqiptare në Nju Jork, në Avenunë e 6-të, një seminar shkencor 2 ditor, ekspozita pikture me punimet e Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, Lutje fetare në Katedralen Snt. Patrick, me të tri fetë, darkë solemne me 2 mijë veta etj….
…Ishte vetëm 52 vjeç, kur në mengjes herët të 1 korrikut 1970, në shtëpinë e tij në adresën:110 Crestvieë Rd, Belmont, Boston, ndërroi jetë pas një ataku në zemër. Mbrëmjen e kishte kaluar me mikun e tij të mirë, një nga kryetarët e Vatrës ndër vite,doktorin e parë të shqiptarëve në Amerikë Andrew Elia. Kishin biseduar gjatë rreth punëve të vatrës. Peter Chikos sapo ishte kthyer në Boston pas një udhëtimi njëmujor nëpër Evropë, ku kishte takuar personalitete të ndryshme evropiane dhe krerët e mërgatës shqiptare në vijim të ëndrrës së tij për të bashkuar të gjithë shqiptarët.
Kryetari i Vatrës la në pikëllim të thellë familjen e tij, vatranët dhe të gjithë ata që i ishin bashkuar në nismën e tij.
I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË VATRËS, LLAMBI CHIKOZI
Peter Chikos ishte i biri një patrioti të njohur, që kishte ardhë në SHBA në fillim të Shekullit XX. I ati i tij, Llambi Chikozi kishte qenë në udhëheqje të Shoqërisë Besa-Besën, një ndër nisiatorët dhe mbështetsit e krijimit të Kishës Autoqefale Orthodkse shqiptare, guri i themelit të Federatës. Llambi Chikozi ishte një ndër pesë themeluesit e Vatrës dhe me 28 prill kur Federata u shpall e themeluar atij iu caktua detyra e arkëtarit të parë të Vatrës.
Peter Chikos kishte ardhë në jetë në Janar të vitit 1918 në Boston. Ai kishte qenë një fëmijë i mbarë dhe në mësime shkëlqeu. Peter Chikos mbaroi universitetin për Drejtësi duke përfunduar me rezultate të larta studimet në Northeast të Bostonit, në fakultetin e Drejtësisë.
Gjatë Luftës së Dytë botërore shërbeu në shtabin e Gjeneral Eisenhower në Francën në Armatën e Gjashtë dhe përcolli mesazhe të lirisë amerikane . Ai ishte pjesë e formacioneve luftarake amerikane që cliruan Francën dhe më pas ishte pjesë në komisionin të Kontrollit të Berlinit. Majori Peter Chikos është dalluar në kryrjen e detyrave luftarake. Ai është dekoruar për trimëri dhe zgjuarsi në fushën e luftës me Medaljen”Croix de Guerre avec Palmes” nga Gjeneral Leclerec i Francës e me Medaljen e “Yllit të Bronzit” nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.U largua me nder nga Ushtria në fund të luftës duke pasur gradën e Majorit.
Në jetën civile Peter Chikos ishte po aq i sukseshëm. Ai ishte themelues dhe partner i Agjensisë së Sigurimeve “Chickering Insurance” të Bostonit, nga më të mëdhatë dhe më të suksshmet në të gjithë New England.
PIKËLLIMI I FAMILJES DHE KOMUNITETIT
Ishin mbledhë disa qindar bashkombas në shtëpinë mortore në Watertoën, në një lagje aristokratike, siç e përshkruan revista “Shejzat”, “Koha”, dhe gazeta që ai e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt, “Dielli” shqiptarëve të Amerikës. Pjesmarrësit ishin aq të shumtë sa nuk i merrte shtëpia e madhe mortore, por një pjesë rrinin jashtë dhe policia rregullonte trafikun dhe mbante rregullin. Kryetarit të Vatrës iu bë një nderim i jashtzakonshëm dhe u përcoll me protokoll shtetëror. U trajtua si personalitet i lartë nga shteti amerikan. Katër dhoma ishin plot me kurora me lule të sjella nga personalitetet e shtetit, nga familja, nga vatranët, komuniteti, dhe arbëreshët.
Me 3 korrik kortezhi i gjatë i makinave, të cilit i prinin 6 automobila me kurora me lule, e dërguan arkivolin me trupin e pajetë të kryetarit Chikos në Kryekishën “Shën Gjergji” të Imzot Nolit, në atë kishë, ku kishte kontribuar aq shumë edhe i ati i Peter Chikos Llambi Chikozi, por dhe ai vetë. Kumbona e Katedrales ra përmortshëm duke përcjellë me jehonën e saj njërin nga shqiptarët që pat një ëndërr: Të bashkonte shqiptarët, kudo që jetonin nëpër botë; Kryetarin e Vatrës, Peter Chikos. Kisha nuk mundi t’i merrte të gjithë bashkombasit që donin t’i jepnin lamtumirën kryetarit të Vatrës.Përpara Kishës ishin mbledhur qindra bashkombas të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës, por dhe nga Kanadaja. Katedralja ishte mbushë aq shumë sa nuk mund t’i mbante. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën atë flamur Majori kishte luftuar në radhët e ushtrisë më të fuqishme të botës,madje pranë Gjeneralit të Famshëm Eisenhower. Gjashtë vetë e shoqëronin arkivolin, ku përveç autoriteteve, dallonin ish kryetari i Vatrës Anthony Athanas dhe dr. Hamdi Oruçi, drejtusi i veprimtarive të 60 vjetorit të Gazetës Dielli. Meshën e kryesoi Peshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë Hirësia e Tij Stephan Lasko, i ndihmuar nga At Sotir Dilogjika, At Christ Ellis, At Nick Liolin dhe Arthur Liolin…
Pas meshës Hirësia e tij Peshkop Stephan Lasko mbajti një fjalim prekës. Fjalimin nekrologjik e mbajti dr. Andrew Elia, i cili kishte qenë bashkëbiseduesi i fundit me të ndjerin.
Në emër të Vatrës nga altari i Kishës foli miku i tij, dr. Hamdi Oruçi.
Trupi i kryetarit të Vatrës u varros në të njëjtën varrezë ku pushonin trupat e Fan S. Nolit, Faik Konicës dhe vatranëve të tjerë. Ceremonia u mbyll me drekën e Lamtumirës, që u shtrua në restorantin e famshëm për kohën të Athony Athanas ”Pier Four”. Dy sallat e mëdha të restorantit ishin të mbushura pot. Në drekën e mortit e “qau” me fjalë shpirti kryetarin, që iku në kulmin e punëve të mira për Vatrën, z. Hajdar Tonuzi, ish nën/kryetar i Vatrës.
Në të gjitha veprimtaritë përcjellëse ishin të përfaqësuara zyrta kryesore të shtëtit: Guvernatori, Kryetari i bashkisë, Kongresitët dhe senatorët. Nga Çikago kishte ardhë Profesor Torielli, i Universitetit të Loyola, që kishte qenë komandant i Petter-t gjatë luftës, kishin ardhë institute të njohura e agjensi sigurimesh etj. Vatra e Bostonit ishte e gjitha aty, por edhe degët e Vatrës nga shtete të ndryshme; nga Detroiti, Waterbury, New Yorku, New Jersey, Chikago, Ohio, Toronto. Një përfaqësi e përbërë nga ish kryetarët e Vatrës qëndronte në krye: Andrew Elia, Ali Arrëza, Christo Thanas, James Thanas, Barney Kirka, Editori i Diellit dr. Athanas Gegaj, Editori i gazetës”Liria” Dhimiter Trebicka. Nga personalitetet e Mërgimit shquheshin: Tahir Kolgjini, Selim Damani, Vasil Germenji, Dr. Rexhep Krasniqi, Lemi Kokalari, Vahit Chika, Nick Kreshpani, Ago Agaj, Reis Agaj, Gjon Gjinaj, një nga luftëtarët e lirisë etj.
Kryetari i Vatrës Peter Chikos la pas: Zonjën Nicholina, tre fëmijët- Marlyn 20 vjecare, Paul 19 vjecar dhe Roberta që atë kohë ishte 15 vjecare; la vëllanë John; dy motra- zonjën Flora Theodore prej Belmont, zonjën Tefi Chani prej Brockton, Boston.
EDHE GAZETA AMERIKANE”THE BOSTON GLOBE” E NDEROI PETER CHIKOS
Gazeta amerikane “The Boston Globe” në numrin e saj të së Enjtes të 2 korrikut 1970, në edicionin e mëngjesit shkroi një artikull special për ta përcjell qyetarin shembullor amerikan Peter Chikos, pa harruar t’i përmend edhe origjinën shqiptare të prindërve si dhe suksesin në drjtimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, bashkimin e mërgatës shqiptare dhe arbëreshe dhe sukseset në jeten ushtarake e civile.Gazeta shkruante : Si offcer i inteligjencës ushtarake ai ka shërbyer në stafin e Gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe ka luftuar për çlirimin e saj. Ai ka arrë pjesë në çlirimin e Jugut të Francës si anëtar i grupit ushtarak nr.6 dhe shërbeu në Misionin “Berlin Controll” pas thyrjes së nazistëve.
Për shërbim të jashtzakonshëm në Gjermani ai u dekorua me Medaljen “Ylli i Bronztë” dhe “ Freanch de Croix de guerre With Palms”, shkruante Boston Globe….(Lexoje të plotë në Diellin e printuar..Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra)